Rriten rezervimet: Heqja e masave po i jep vrullin e munguar turizmit shqiptar

J L

Heqja e të gjitha masave të Covid-it dhe renditja krah shteteve “Covid Free” po i jep menjëherë efektet e para pozitive në turizmin shqiptar sipas tur-operatorëve.

Ata e kishin kërkuar prej kohësh heqjen e detyrimit që turistët të paraqesin dokument vaksinimi, testim negativ apo certifikatë shërimi për të gjithë shtetasit që vizitojnë Shqipërinë.

Moslejimi i muzikës pas orës 23:00 ishte një tjetër masë që sipas tyre pengonte mbarëvajtjen e sezonit turistik. Ky vendim pritet të jetë faktori kryesor që do ta bëjë turizmin e këtij viti të jetë ca më afër asaj që njihnim para COVID-19.

Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut, thotë se ndonëse është herët për një pasqyrë të qartë duke qenë se masat kanë hyrë në fuqi para dy ditësh(1 maj), trendi duket shumë pozitiv dhe kjo heqje e masave po i jep vrullin e munguar turizmit shqiptar. “Kanë filluar menjëherë rezervimet e para dhe shtetas të ndryshëm po na kontaktojnë nëpërmjet email-it. Tashmë jemi renditur krahas shteteve të rajonit që gjithashtu i kanë hequr këto masa gjë që për ne është shumë e rëndësishme.

Turistët mund të vijnë rehat dhe nëse trendi vijon kështu, rezervimet do të rriten në numër”, shprehet ai.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar thotë se këto masa u hoqën pas kërkesës që ata i bënë qeverisë. “Prej kohësh kemi kërkuar që të hiqen masat dhe jemi shumë të lumtur që më në fund tashmë do të shmangim burokracitë e testeve në kufi apo në aeroporte. Ishte gjëja më e domosdoshme për t’u bërë pasi bizneset kanë nevojë për ndihmë dhe njëkohësisht duhet që turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë t’u krijohen kushtet për argëtim.

Ishin ca barriera që duheshin eliminuar që vitin e kaluar kur vende të rajonit si Kroacia ishin ende të mbyllur dhe ne mund të tërhiqnim turistët e tyre.

Një problem tjetër i masave ishte që ata krijuan probleme edhe në respektimin e marrëveshjeve me operatorët ndërkombëtarë që furnizojnë vendin tonë me turistë”, thotë ai.

Kasa shton se lejimi i muzikës do t’u shërbejë më shumë bizneseve duke qenë se me afrimin e stinës së verës, errësohet më vonë dhe darkat ngelen më të frekuentuara. Operatorët thonë se turistët që kishin bërë rezervime më parë janë kontaktuar nga vetë agjencitë të cilat i kanë lajmëruar për heqjen e masave.

Kasa thekson se turistët që do të vijnë pas heqjes së këtyre masave do jenë përgjithësisht të njëjtët.

“Ne tashmë kemi krijuar një bazë të përhershme turistësh që përgjithësisht janë ata të turizmit të organizuar dhe që vijnë me charter. Kryesojnë nordikët, polakët dhe zviceranët”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa Bedini shton se e vetmja gjë që do të pengojë sezonin turistik të kësaj vere është lufta në Ukrainë.

“Tre vitet e fundit kemi patur 42 mijë turistë nga ukrainas që vinin me charter, gjë që luajnë një peshë të konsiderueshme pasi këtë vit nuk i kemi më. Jemi shumë me minus nga ky treg të cilin po e ndjen më shumë Vlora. Vitin e shkuar në këtë kohë ishim të angazhuar me ta. Merreshim me rezervimet, akomodimin e tyre nëpër hotele ndërsa në këtë periudhë jemi bosh nga ai drejtim”, shprehet ai.

Megjithatë, parashikimi për këtë verë mbetet shumë optimist.

Operatorët thonë se kontratat me garanci janë 30% më të larta se viti i shkuar, gjë që i bën të besojnë se do të kemi një sezon të mbarë turistik.

Përpos turistëve të organizuar, ata thonë se presin shumë edhe nga turistët individualë që janë kryesisht kosovarët, maqedonasit dhe italianët.

Tur-operatorët shtojnë se parashikimi bëhet edhe më optimist duke marrë parasysh faktin që sëfundmi Shqipërisë i është shtuar edhe një treg potencial në rritje, që është ai i Lindjes së Mesme dhe kryesisht Emirateve të Bashkuara.

Ky është një treg që përgjithësisht shpenzon sipas Kasës dhe që ka pasur interes por shërbimet për të janë më specifike dhe ne duhet t’u përshtatemi më shumë kërkesave që ata kanë. Ndër të tjera ai thotë se gjatë këtij sezoni turistik pritet që të vijnë edhe turistë franzecë që munguan gjatë pandemisë.

Vendet evropiane që janë plotësisht të hapura për udhëtarët

Udhëtimi në Evropë më në fund ka filluar të duket sërish si diçka afër normales. Numri i vendeve që kanë hequr të gjitha kufizimet e hyrjes po rritet dhe shumë po heqin gjithashtu rregullat e brendshme për maskat dhe distancimin shoqëror. Këtu janë të gjitha destinacionet që tani ofrojnë udhëtime pa kufizime.

Republika Çeke

Republika Çeke hoqi të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me COVID-in për mbërritjet ndërkombëtare më 9 prill 2022. Nuk është më e nevojshme të vishni maskë për fytyrën në shumicën e vendeve publike – përjashtimet kryesore janë transporti publik dhe taksitë.

Danimarka

Falë shkallës së lartë të vaksinimit në vend, Danimarka u bë vendi i parë i BE-së që hoqi të gjitha kufizimet e brendshme të COVID në fillim të shkurtit. Të gjitha kërkesat e hyrjes për ardhjet ndërkombëtare u hoqën më pas më 29 mars 2022.

Greqia

Pas shumë lëvizjeve, Greqia konfirmoi zyrtarisht se do të hiqte të gjitha masat e hyrjes në lidhje me Covid-in më 1 maj 2022. Mbajtja e maskave do të mbetet e detyrueshme në ambiente të mbyllura..

Hungaria

Udhëtimet në Budapest janë rikthyer falë heqjes së të gjitha kërkesave të hyrjes në lidhje me Covid. Gjithashtu nuk ka më masa për distancimin social dhe nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskës në transportin publik ose në vendet e brendshme publike.

Islanda

Të gjitha kufizimet e Islandës në lidhje me Covid-in u hoqën më 25 shkurt 2022, si për ardhjet ndërkombëtare ashtu edhe brenda vetë vendit. Mbajtja e maskave nuk është më e detyrueshme askund dhe nuk ka masa distancuese sociale. Megjithatë vendi ende inkurajon testimin dhe izolimin për të kontrolluar përhapjen e Covid.

Irlanda

Irlanda hoqi të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me Covid-in më 6 mars 2022. Kjo përfshin vërtetimin e vaksinimit, testimin para mbërritjes dhe formularin e gjetjes së pasagjerëve.

Madeira

Edhe pse pjesë e Portugalisë (e cila ende kërkon testim ose vërtetim të vaksinimit), ishulli popullor i pushimeve Madeira ka hequr të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me Covid-in për turistët. Megjithatë, nuk është kthyer në normalitet total.

Territori ende rekomandon që vizitorët ndërkombëtarë të regjistrohen në platformën dixhitale Madeira Safe. Dhe pasi të jeni atje, është ende e detyrueshme të mbani një maskë për fytyrën në ambientet publike të brendshme dhe të mbani dëshmi të vaksinimit për të hyrë në restorante, bare dhe ambiente të tjera.

Mali i Zi

Mali i Zi hoqi të gjitha kufizimet e hyrjes në mes të marsit 2022. Gjithashtu nuk është më e nevojshme të mbani një pasaportë vaksine për të hyrë në mjediset sociale këtu, megjithëse Mali i Zi e ka mbajtur mandatin e maskës për mjediset publike të brendshme. Këtu përfshihen restorantet, baret dhe hotelet.

Norvegjia

“Asnjë testim, pa karantinë, pa regjistrim!” – kjo ka qenë politika e hyrjes së Norvegjisë që nga 12 shkurti 2022, kur vendi nordik hoqi të gjitha kërkesat e hyrjes në Covid për mbërritjet ndërkombëtare. Nuk ka gjithashtu kërkesa për testim nëse sëmureni, gjë që mund të ngrejë pikëpyetje tek udhëtarët e kujdesshëm. Të gjitha rregullat e distancimit social dhe të maskave të fytyrës janë hequr edhe në Norvegji.

Polonia

Polonia hoqi karantinimin në momentin e mbërritjes, provën e vaksinimit dhe testimin para mbërritjes më 28 mars 2022. Gjithashtu të gjitha rregullat për mbajtjen e maskave të fytyrës në publik.

Rumania

Ky vend i Evropës Lindore hoqi të gjitha kërkesat për karantinimin, testimin dhe gjurmimin e pasagjerëve për vizitorët ndërkombëtarë më 9 mars 2022. Në të njëjtën kohë, Rumania deklaroi se po hiqte kalimin dixhital që ishte kërkuar më parë për të hyrë në disa institucione dhe i bëri maskat për fytyrën jo – të detyrueshme si në ambiente të brendshme ashtu edhe në ato të jashtme.

Sllovenia

Udhëtimi drejt këtij kombi ballkanik u bë shumë më i lehtë që nga 19 shkurti 2022, kur hoqi të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me Covid-in për vizitorët, pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Shumica e kufizimeve për Covid brenda Sllovenisë përfunduan më 13 Prill 2022, megjithëse do t’ju duhet ende të mbani një maskë për fytyrën në transportin publik dhe në hapësirat publike të mbyllura.

Suedia

Më 1 Prill 2022, Suedia hoqi të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me Covid-in për vizitorët nga MB ose jashtë BE/ZEE. Kjo pasoi një ndalim të përkohshëm të mbërritjeve nga vendet e treta në mars për shkak të variantit omicron. Pavarësisht se nga po mbërrini, kjo do të thotë se nuk do të keni më nevojë të paraqisni prova të vaksinimit ose një test negativ për Covid.

Zvicra

Zvicra njoftoi se do të hiqte të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me Covid-in për vizitorët ndërkombëtarë nga 2 maji 2022. Para kësaj, udhëtarët duhej të tregonin prova të vaksinimit. Vendi alpin gjithashtu hoqi qafe maskat për fytyrën më 1 Prill 2022 dhe në të njëjtën kohë urdhëroi që njerëzit që kanë rezultuar pozitivë për Covid nuk kanë më nevojë të izolohen.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *