Rritet kreditimi në dhjetor, ulen kreditë me probleme

redaktor

Të dhënat e Bankës Qëndrore flasin për rritje të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë ne muajin dhjetor të vitit të kaluar, por një tendencë sërish të ulët në muajin janar të këtij viti. Kështu sipas këtyre të dhënave kredia për ekonominë arriti në 544 miliardë lekë në fund të janarit 2014, duke shënuar një rënie prej 0.6 për qind në raport me dhjetorin 2013, teksa në muajin e fundit të vitit huadhënia për ekonominë kishte shfaqur sinjale gjallërimi, duke u rritur me 1.28 për qind. Në fund të muajit dhjetor, huaja për ekonominë arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej prej 6.8 miliardë lekë, apo 1.22 për qind. Ritmet e rënies janë ngadalësuar në raport me 11 mujorin, si rrjedhojë e shtimit të ndjeshëm të huadhënies në dhjetor.

Kreditë e këqija ulen në 23.2 për qind

Po kështu të dhënat e Bankës flasin për një rënie të nivelit të kredive të këqija me 1.12 pikë përqindje në tremujorin e katërt 2013, në raport me tremujorin e mëparshëm, duke e mbyllur vitin në kuotën e 23.22 për qind. Në raport me vitin e mëparshëm, huatë e pakthyera në afat u rritën me vetëm 0.46 pikë përqindjeje, duke ndalur ritmet e rritjes, pas 5 vitesh, kur ky tregues kishte parë zgjerim të pandalshëm. Por ndonëse në total, kreditë me probleme nuk janë rritur, ajo që konstatohet është shtimi i huave të humbura, që në fund të 2013-s arritën në 11.45 për qind të totalit, nga 7.7 për qind që ishte ky tregues në 2012-n. Në vlerë absolute huatë që bankat nuk kanë shpresë se do t’i rikuperojnë më arritën në 450 milionë euro në fund të vitit 2013, nga 280 milionë euro që ishte kjo shumë në fund të 2012-s. Bankat gjatë vitit 2013, e lanë mënjanë kreditimin, i cili shënoi rënie prej 1.2 për qind  me bazë vjetore, dhe u përqendruan në menaxhimin e huave me probleme, ndërkohë që u intensifikua dhe procesi i pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë e këqija.

Tej një përmirësimi të vogël në fund të vitit që kemi lënë pas, viti 2013 ka shënuar vitin më negativ që nga 2002, kur raportohen të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe kur sistemi bankar filloi të zhvillohej vrullshëm, pas pastrimit të bankave shtetërore nga kreditë e këqija dhe teksa kapitali i huaj i shtoi investimet në sistemin financiar shqiptar. Kjo solli një rritje të ndjeshme të kredisë për ekonominë, sidomos në periudhën 2005-2008. Pas krizës globale të fundit të 2008-s, ritmet e rritjes së huadhënies filluan të ngadalësohen ndjeshëm, për të zbritur në vetëm 2.4 për qind në 2013, teksa në kahun tjetër huat me probleme u shtuan me shpejtësi. Për herë që nga fillimi i viteve 2000, viti 2013 shënoi një tkurrje të huadhënies me bazë vjetore. Arsyet e kësaj tendence zbritëse lidhen me shtrëngimin e kritereve të huadhënies nga bankat, teksa kreditë me probleme u rritën ndjeshëm nga njëra anë dhe nga mungesa e kërkesës për financime si nga biznesi ashtu dhe individi, në një mjedis me rritje të dobët ekonomike, nga ana tjetër. Një tjetër arsye që ka ndikuar në uljen e stokut të kredisë është dhe fillimi i procesit të pastrimit të bilanceve nga kreditë e këqija nga bankat, që u intensifikua në pjesën e dytë të vitit të kaluar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *