Rritet kreditimi në ekonomi, sipërmarrja u kthehet investimeve

Edlira Shehu

Huaja për ekonominë është gjallëruar ndjeshëm në muajt gusht dhe shtator, sinjal ky që biznesi po i rikthehet investimeve.

Sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 553 miliardë lekë, me një zgjerim prej 0.7% me bazë mujore.

Rritja ka ardhur, në mbi 80% të saj nga kredia që është dhënë për korporatat jo financiare, pra bizneset, kryesisht në lekë. Stoku i huasë për korporatat financiare arriti në 339 miliardë lekë, me një zgjerim mujor prej 0.9%. Kredia për bizneset zë peshën kryesore të financimit që jepet nga bankat, teksa ajo përbënte 61% të totalit në fund të muajit shtator.

 

Edhe kredia për individët ka vijuar rritjen në shtator, ndonëse me ritme më të ulëta se në gusht. Karakteristikë është  se huaja po jepet pothuajse tërësisht për blerjen e pasurive të paluajtshme, ndërsa kredia konsumatorë është në rënie.

Muajt e fundit është shënuar një gjallërim i tregut të pasurive të paluajtshme, kryesisht në kryeqytet, i nxitur edhe nga kredia bankare.

Bankat nga ana e tyre po tregohen më të prirura të financojnë individët, teksa ata po rezultojnë kredimarrës më të mirë dhe janë më korrektë në pagesën e kësteve mujore. Sipas të dhënave të Bankës, stoku i huasë me probleme për individë është nën 10% ndërsa ai për biznese është afër 20%.

 

Një tjetër tendencë që kanë raportuar bankat është financimi i bizneseve të mesme e të vogla dhe heqja dorë prej kompanive të mëdha, ku ekspozimi është më i lartë dhe si rrjedhojë dhe risku i moskthimit është më i madh.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *