Situata e rëndë financiare e trashëguar nga qeveria e kaluar, e ka detyruar qeverinë e re të rrisë borxhin publik, duke e detyruar Ministrinë e Financave të kërkojë së shpejti nga ligjvënësit kuvendorë një shtesë të deficitit buxhetor për vitin 2013. Dhe kjo nevojë del kur tashmë viti 2013 po shkon drejt mbylljes.Gjendja faktike është shumë larg asaj të shkruar në ligjin e buxhetit të shtetit dhe deficiti i parashikuar në masën rreth 49 miliardë lekë është i pamjaftueshëm për të mbajtur në këmbë financat publike. Rritja e deficitit prej 24 miliardë lekësh për të mbyllur këtë vit buxhetor, pritet të thellojë më tej edhe treguesit e borxhit publik, që po i afrohet me shpejtësi kuotës 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, e konfirmuar kjo dhe nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave, deficiti buxhetor do të shkojë në masën 6 për qind të PBB, nga 3.5 për qind që ka qenë vitin e kaluar. Në një kohë kur të ardhurat për tetë muajt e këtij viti nuk janë realizuar në masën e pritshme dhe shpenzimet janë tejkaluar mbi planifikimin, ndryshimi i treguesve fiskalë në ligjin për buxhetin e shtetit u bë i pashmangshëm. Burime pranë Ministrisë së Financave bëëjnë të ditur se ekspertët e kësaj ministrie kanë nisur punën për hartimin e ndryshimeve buxhetore, që pritet të miratohen së shpejti në Qeveri. Akoma nuk ka një shifër sesa do të jenë shkurtimet në buxhet, sqarojnë burimet nga Ministria e Financave, por duke iu referuar të dhënave paraprake të treguesve fiskalë të 8-mujorit, mendohet se ato do të jenë në vlerë të konsiderueshme. Ligji i buxhetit për këtë vit u zhvlerësua vetëm disa muaj pas miratimit të tij, kur Qeverisë i dolën nga kontrolli të gjithë treguesit e parashikuar, për shkak të rritjes së shpenzimeve, por edhe uljes së taksave në prag të zgjedhjeve. Megjithatë, dhe sipas ekspertëve, nuk ka shumë alternativa për të zgjedhur. Rënia e të ardhurave imponon vetëm dy rrugë, ose rritje të borxhit përtej kufirit të përcaktuar në ligj, ose shkurtime drastike të shpenzimeve. Lidhur me këtë qeverisë së re i janë bërë rekomandime nga përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që vlerësuan se borxhi publik është rritur në përmasa shqetësuese, ku një problem më vete janë detyrimet e prapambetura dhe të padokumentuara ndaj bizneseve. Sipas FMN, borxhi mund të arrijë deri në 80 për qind të PBB në vitin 2018, nëse nuk merren masa serioze për mbajtjen e tij nën kontroll. Paketa e re fiskale që pritet të shpallet pas pak javësh parashikohet të përfshijë edhe disa nga premtimet zgjedhore dhe në këtë pikë FMN apo Banka Botërore mbeten vëzhgues të vëmendshëm. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë. Këto shifra tashmë duhen lënë pas dhe pas pak ditësh, Ministria e Financave do të shpallë një dokument krejt të ri për ligjin financiare të vitit 2013. Një dokument që do të synojë të rregullojë lëmshin e krijuar në 9 muajt e parë të vitit dhe të parashikojë një ecje të qetë në tre muajt e mbetur dhe se cfarë do të ndodhë me vitin 2014.
