Rritja e faturës së studimeve, studentët paralajmërojnë nisjen e protestave

anazapta

 Pas njohjes me ndryshimet e propozuara në draftin e arsimit të lartë, studentët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës shprehen kundër, pasi propozimet e bëra çojnë në rritjen e tarifave studimore, heqjen e të drejtës në përzgjedhjen e drejtuesve të fakulteteve dhe departamenteve, cenojnë autonominë universitare, si dhe vënë në një garë të pabarabartë strukturat publike dhe ato private të arsimit të lartë në vend. Megjithatë studentët shqetësimet më të mëdha i ngrenë rreth mundësisë së rritjes së tarifave të shkollimit, të cilat parashikohen në një nga pikat e raportit të parë. Përkundrejt këtij shqetësimi ata kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme nga Rektorati i UT-së që të dalë në një qëndrim të unifikuar dhe në mbështetje të studentëve. E nëse kjo nuk do të ndodhë, studentët paralajmërojnë nisjen e një sërë protestave pranë të gjitha fakulteteve. Më tej studentët dalin kundër pikës së parashikuar për krijimin e bordeve, të cilat do të menaxhojnë universitetet. Sipas tyre, një vendim i tillë është i patolerueshëm, pasi cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë. “Përgjegjësia e shtetit, si rregullator, duhet të garantojë se nxënësi dhe studenti do të marrin shërbim cilësor  në institucionet e arsimit të lartë. Në këtë rast, këto institucione kanë nevojë të orientohen nga shteti. Nëse parimi bazë do të jetë se shteti planifikon një buxhet për arsimin e lartë, në formën e kuotacionit për çdo student  dhe pastaj këto lekë shkojnë aty ku vetë studenti zgjedh të arsimohet, atëherë shteti duhet të kujdeset që ta mbrojë studentin (bashkë me faturën që shkon mbas tij).  Në këtë rast, ai që mund të paguajë më shumë do të mundte të arsimohej, duke diskriminuar studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Besojmë se një kombinim i të dyjave do t’i shkonte përshtat sistemit të ri,  pasi botërisht  dihet se, truri dhe paraja nuk shkojnë në proporcion të drejtë me njëri-tjetrin. Ne shprehemi kundër pagimit të tarifës për pagesën e vitit përsëritës”, sqarohet nga përfaqësia e studentëve. Prej ditësh, në mbështetje të qëndrimit të studentëve janë pozicionuar edhe një pjesë e konsiderueshme e stafit akademik nga të gjitha fakultetet e UT-së, të cilët kanë shfaqur në mënyrë të argumentuar rezervat ndaj skemës së financimit që do të ndiqet në bazë të performancës që diktohet në draft. 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *