Kanë nisur tashmë aplikimet për të gjithë arsimtarët që duan të përfitojnë një shkallë më të lartë kualifikimi, duke siguruar kështu edhe të drejtën e rritjes së pagës nga 5 deri në 10 për qind, sipas kategorisë ku bëjnë pjesë. Autoritetet e arsimit sqarojnë se 5 janë fushat, në të cilat do të testohen të gjithë arsimtarët që përmbushin kushtet për të hyrë në provimin e rritjes së pagës.
Konkretisht pyetjet e testit me shkrim që do të zhvillohet në Tiranë më datën 3 Maj, do të ndalen në njohjen që mësuesit duhet të kenë lidhur me zbatimin e legjislacionit arsimor, e në mënyrë të veçantë të risive më të fundit të reformës arsimore.
Një pjesë e rëndësishme e pyetjeve të testit do të jenë rreth aftësive dhe kompetencave profesionale që mësuesit duhet të kenë në kuadrin e mësimdhënës, dhe metodave që përdorin me nxënësit për të arritur drejt mësimdhënieje të suksesshme. Domosdoshmëria e njohjes së koncepteve bazë dhe ligjësive shkencore të lëndës që japin mësim, si dhe të zbatimit të tyre në praktikë, në përputhje me specifikat e moshës së nxënësve dhe të klasës ku japin mësim, do të ketë një pjesë të rëndësishme të pyetjeve që janë në përmbajtje të testit.
Gjithashtu një tjetër fushë, rreth të cilës mësuesit duhet t’u përgjigjen një sërë pyetjeve ka të bëjë me përgjegjshmërinë e arsimtarëve mbi njohjen dhe zbatimin e rregullave të etikës dhe komunikimit në punën e tyre në shkollë. Pavarësisht lëndës mësimore që japin, mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe në respektimin e rregullave të shkrimit të gjuhës shqipe. Një pjesë e e mirë e pyetjeve të testit do të orientohen drejt kontrollimit të aftësive të mësuesve në drejtim të zbatimit me saktësi të rregullave drejtshkrimore të shqipes.
Realizimi në praktikë nëpërmjet demonstrimit konkret të aftësive të fituara, e në mënyrë të veçantë nëpërmjet vlerësimit të arritjeve përmes testimit, përbën edhe pjesën e fundit të pyetjeve që do të ketë testi më shkrim i kualifikimit. Sipas përcaktimeve të bëra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të hyrë në këto provime arsimtarët më parë duhet të plotësojnë formularin përkatës të regjistrimit, si dhe të dorëzojnë portofolin profesional, në përmbajtje të cilit duhet të jenë të gjitha dokumentet që konfirmojnë kualifikimet e kryera.
Këto të fundit do të vlerësohen me pikë plus, krahas atyre të përcaktuara për provimin me shkrim. Mësuesit e interesuar për të marrë pjesë në testin për të fituar shkallën e kualifikimit duhet të nxitojnë që të bëjnë aplikimin dhe të dorëzojnë këto dokumente brenda datës 28 shkurt. Në të kundërt nuk mund të marrin pjesë në provimet e këtij viti. Mësuesit që kanë të paktën 5 vite punë në arsim do të konkurrojnë për shkallën “mësues i kualifikuar”, ata me 10 vjet pune në arsim do të testohen për shkallën “mësues specialist”, si dhe ata që kanë më shumë se kjo shkallë do të testohen për nivelin “mësues mjeshtër”.
Pikët plus që sigurohen nga portofoli profesional i mësuesit
Portofoli personal përmban këto dokumente:
Curriculum Vitae me fotografi.
Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite.
Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve dhe gradave shkencore (nëse ka).
Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhës së huaj (nëse ka).
Portofoli profesional duhet të ketë
një plan të plotë aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar.
një test kapitulli të një lëndë të caktuar.
Objektivat e arritjeve të nxënësve duke u mbështetur në një kapitull të caktuar të lëndës.
Një planifikim të një mësimi model.
Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin dhe realizimin e tij.
Si do vlerësohet portofoli dhe çfarë duhet të kenë mësuesit:
Komisioni i vlerësimit të Portofolit të ngritur nga titullari i Drejtorisë Rajonale të Arsimit vlerëson me 1 deri në 3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional.
Kandidati që nuk fiton të paktën 5 pikë nga portofoli profesional, ose që nuk dorëzon të paktën një përbërës të tij, përjashtohet nga e drejta e pjesëmarrjes në provim.
Kandidati fiton 5 pikë bonus kur :
Ka diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite, apo doktoraturë) e fituar në fushën e mësuesi. Këto pikë bonus do të shkojnë vetëm për ata kandidatë që janë diplomuara para janarit të 2011-s. Nëse diploma master është fituar pas janarit të 2011-s duhet të jetë e njohur nëpërmjet provimit të shtetit.
Gjuha e huaj e mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës do të shoqërohet me pikë plus për të gjithë mësuesit që janë diplomuar para janarit të 2010-s.
Nëse mësuesi ka siguruar të paktën shtatë kredite për çdo vit të kualifikimit nga lista e programeve të akredituara.
