Pranvera Kola
Provimi për shkallën e kualifikimit të arsimtarëve do të zhvillohet në datën 20 korrik. Në këtë testim do të marrin pjesë të gjithë mësuesit që kanë mbi pesë vite pune në arsimin parauniversitar dhe që kanë kaluar me sukses fazën e vlerësimit të portofolit profesional. Rezultatet e këtij testimi që do të zhvillohet me shkrim janë vendimtare në konfirmimin e rritjes së pagës sipas shkallës së kualifikimit për të cilën mësuesi kalon në testim.
“Provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2019-2020 do të zhvillohet në datën 20 korrik, ora 10-12:30, në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga (Qendra e Shërbimeve të Arsimit). Strukturat përgjegjëse arsimore duhet të marrin masat e duhur për procedurat e organizimit të provimit dhe njoftimin e mësuesve kandidat për kualifikim”, sqarohet në udhëzimin që u është dërguar drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar në vend.
Në këtë testim do të përfshihen të gjithë mësuesit që deri në mbyllje të dhjetorit të 2019-s, zotërojnë të paktën pesë vite pune në arsim. Kjo kategori mësuesish kualifikohet për kategorinë “mësues i kualifikuar”. Mësuesit me vjetërsi pune 10-vjeçare do të testohen për kategorinë e kualifikimit “mësues i specialist”, si dhe kategoria e fundit janë mësuesit me vjetërsi 20 vjeçare që do të testohen për shkallën më të lartë të kualifikimit që është “mësues mjeshtër”.
Kjo ndarje konfirmon edhe rritjen e pagës që mësuesi siguron në rastet kur vlerësohet pozitivisht në testin përkatës. Rritja e pagës vijon nga 5 për qind për mësuesit e kategorisë së tretë, me 10 për qind për kategorinë e dytë “mësues i kualifikuar”, si dhe 20 për qind për shkallen e parë të kualifikimit në të cilën marrin pjesë mësuesit që kanë mbi 20 vite pune në arsim. Arsimtarët që nuk arrijnë të sigurojnë pikët kaluese përgjatë këtij viti, kanë të drejtë që të testohen sërish për të fituar shkallën përkatëse të kualifikimit përgjatë vitit 2021, çka do të thotë se rezultatet negative nuk penalizojnë mësuesin me humbje të vendit të punës.
Ja çfarë duhet të dini rreth testit me shkrim!
Mësuesit kanë marrë tashmë udhëzimet përkatëse në lidhje me strukturën dhe përgatitjen që duhet të kenë për këtë provim. Më herët janë shpallur edhe programet e kualifikimit për secilën lëndë mësimore, në të cilat jepen orientimet përkatëse rreth përmbajtjes së testit dhe tematikave që mësuesit duhet të përgatisin për provimin.
Sipas ekspertëve çdo test do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të përfshijë pyetjet rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë me nxënësit e tij.
“Krahas përmbajtjes specifike të lëndës që është e detajuar në mënyrë specifike sipas llojit të lëndës që mësuesi jep, njohja e dokumenteve zyrtare është shumë e rëndësishme. Një pjesë e konsiderueshme e pyetjeve të testit kanë të bëjnë me njohjen e urdhrave, udhëzimeve, ligjeve dhe dokumenteve të tjera ligjore në funksion të veprimtarisë mësimore. Sa i takon gramatikës, mësuesi duhet të dëshmojë në test njohjen e rregullave të drejtshkrimit të standardit të gjuhës shqipe”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit.
Sa i takon pyetjeve rreth etikës, mësuesi duhet të dijë si të përshkruajë parimet themelore mbi të cilat është hartuar Kodi i Etikës së Mësuesit, të dallojë sjelljet e mësuesit që burojnë nga parimet themelore, të hartojë vetë një kod të thjeshtë sjelljeje që bazohet në parimet dhe standardet e Kodit të Etikës, të përshkruajë sjelljet model që duhet ta karakterizojnë, në varësi të funksionit që ka në komunitetin e shkollës, si dhe të dijë të sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.
Vlerësimi i mësuesve
Sipas skemës së përcaktuar çdo mësues që merr pjesë në shkallën e kualifikimit për vitin shkollor 2019-2020 do të vlerësohet me një sistem prej 100 pikësh, ku 70 janë pikët maksimale që mësuesit mund të sigurojnë nëpërmjet testimit me shkrim, si dhe 30 janë pikët maksimale që mësuesit kanë siguruar nëpërmjet portofolit profesional. Drejtoritë arsimore rajonale të çdo rrethi në vend kanë zbardhur tashmë edhe pikët që mësuesit kanë siguruar nga vlerësimi i portofolit profesional.
Fushat ku do testohen njohuritë e mësuesve
- Dokumentet zyrtare të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësimdhënie-nxënies në shkollë. Këtu është fjala për të gjitha dokumentet ligjore, urdhëresat dhe udhëzimet e MASR që zbatohen në shkollë, duke u përqendruar vecanërisht në ato të viteve të fundit.
- Programet lëndore të secilës klasë.
- Aspekte të pedagogjisë dhe të metodologjisë në ciklin fillor, të detyruar dhe në gjimnaz.
- Aspekte të etikës dhe të komunikimit.
- Aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
- Përmbajtja shkencore e lëndëve të secilit cikël mësimor.
Dokumentet që ligjore që duhet të njihni!
- Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Udhëzimi nr.18, datë 20.08.2019 “Për vitin shkollor 2019-2020 në sistemin arsimor parauniversitar”.
- Udhëzimi nr. 30, datë 12.09.2018 “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”.
- Udhëzimi nr. 1, datë 20.01.2017 “Për funksionimin e sistemit të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë”.
- Udhëzimi nr. 2, datë 12.02.2015. “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”.
- Udhëzimi nr. 34, datë 11.09.2015 “Për vlerësimin e nxënësve për kurrikulën me kompetenca, në arsimin bazë”.
- Udhëzimi nr. 14, datë 28.07.2016 “Për vlerësimin e nxënësve në arsimin e mesëm të lartë”.
- Urdhri Nr.6, datë 10.01.2018 për zbatimin e nismës “Tri lëndë në gjashtë orë”.
- Kodi i Etikës së Mësuesit në arsimin parauniversitar publik dhe privat.
- Korniza Kurrikulare (Kurrikula bërthamë për klasën përgatitore dhe arsimin fillor, kurrikula bërthamë VI -IX, kurrikula bërthamë X -XII.
