Rritja e pensioneve nis nga 1 gushti

anazapta

As 1 korriku që kemi lënë pas, as 15 korriku që u premtua nga kryeministri në ikje Berisha nuk do të nisin rritjen e pensioneve. Por ky vendim për rritjen e pensioneve, i miratuar pak javë nga qeveria, do të marrë fuqi ligjore duke nisur nga data 1 gusht të këtij viti. Të paktën kështu është botuar në fletoren zyrtare, ku rritja e pensioneve do të jetë në masën 4 për qind dhe efektet financiare do t’i shtrijë nga data 1 gusht. Përtej vonesës dhe debatit publik për kohën e miratimit të vendimit, vetë pensionistët shprehen se janë të informuar për rritjen, por pritshmëria ishte që përfitimi të niste që në fillim të këtij muaji.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve nuk u miratua në datën 1 korrik. Duke hedhur poshtë si perherë pretendimet se vonesa në miratimin e vendimit lidhej me pamundësinë financiare të buxhetit, kryeministri Sali Berisha tha se arsyeja lidhej vetëm me faktin se vendi ndodhej në proces zgjedhor dhe nisma do të kishte sipas tij, efekt elektoral.

Por debati për rritjen e pagave dhe pensioneve shoqëroi thuajse të gjithë muajin korrik, ku u loz si me lojën e kungulleshkave, një herë do të ndodhte, një herë jo. Edhe pse efekti financiar i rritjes së pensioneve është i konsiderueshëm në kohën kur buxheti i shtetit është në ditë të vështira qeveria në ikje e ka marrë vendimin për rritjen e tyre dhe efekti financiar do të nisë nga 1 gushti i këtij viti. Por në fletoren zyrtare ende nuk ka dalë vendimi për rritjen e rrogave të administratës publike që gjithashtu është marrë si iniciativë nga qeveria në ikje.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *