Së fundi dokumente konfidenciale dhe materiale sensitive si plane privatizimi të kompanive shtetërore kanë gjetur rrugën e publikimit në Kazakistan. Kjo ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë masën drastike të ndalimit të mbajtjes së smartphon-ëve në mjediset e punës, për zyrtarët e administratës kazake dhe vizitorët e tyre. Kështu, nga 24 marsi punonjësit dhe kushdo që hyn në zyrat e administratës lënë telefonat e tyre në hyrje të ndërtesës. Një dokument i siguruar nga Reuters, thotë se rastet e shtuara të rrjedhjes së informacionit konfidencial detyron për masa sigurie si përdorimi vetëm i telefonave “primitivë”, pa kamera dhe internet. Ironikisht, edhe kjo masë drastike është mësuar përmes rrjedhjes së një memoje të brendshme, dhe u botua nga sajti Tengrinews.kz.
