Quhet Edi Rama, lerë e rritur në Tiranë. Shoqëria dhe njohjet e tij janë mjaft të zgjeruara, megjithatë ai nuk e kupton pse statuset e tij në fb dhe deklaratat e pohimet në twitter nuk kanë atë jehonë që do të dëshironte.
Fjala vjen, pardje Rama shkroi në twitter: “Nesër, kafe me Tuçin ke Brryli. Miq, më ndiqni”, por në kafe nuk kishte ardhur askush përveç vetë Tuçit, edhe ky me gjysmë mendje.
Megjithatë Edi, ose siç e ka emrin e gjatë Edison Rama, 33 vjeç ndihmës-hidraulik, nuk dekurajohet. Ai është i bindur se popullariteti në rrjetet sociale kërkon punë, durim dhe këmbëngulje.
“Unë akoma nuk kam shumë ndjekës në tujter”, thotë Edi për Gojët e Liga, “po të përjashtojmë Mondin dhe Dianën, që më ndjekin me ose pa tujter, ngaqë u kam ca lekë borxh. Në fillim pati një valë regjistrimesh të hatashme, sepse mesa duket më ngatërruan me një Edi Rama tjetër. Por ato u anulluan menjëherë. Megjithatë, besoj se shpejt do të vijë dita që hapësira virtuale shqiptare të ketë vend vetëm për Ed Ramën e vërtetë, mua!”
Dhe hidrauliku i perspektivës menjëherë i kthen fjalët në vepra. Statusi i tij më i freskët në fejsbuk thotë: “Të dashur miq, Janullës te kati i katërt i rrjedh lavamani, ndaj për ndonjë orë jam i zënë. Më ndiqni!”
Por në grupin e vogël të të keqkuptuarve të mëdhenj të hapësirës sociale virtuale ka edhe të tjerë përveç Edison Ramës.
I ngjashëm me të është edhe 39 vjeçari Salahudin Berisha, i mbiquajtur Sala, elektroauto, i cili megjithëse është tiranas prej katër brezash, çuditërisht i ofrohen për t’u bërë Friend në fejsbuk vetëm tropojanë dhe kuksianë.
“S’di ça me thon’, plako. Faqja ime osh bo magnet për Veriun. Allah-allah”.
Ndërsa i pakënaquri më i madh është studenti Erjon Ibrahimi, i cili nuk arrin ta kuptojë përse statuset dhe qëndrimet e tij në fb nuk shndërrohen në lajme të edicioneve qëndrore.
“Gazetarët ngelën duke gërmuar në fejsbukun e Erjon Braçes”, thotë studenti nga Ura Vajgurore, “por thellë-thellë, edhe unë Erjon Braçe quhem, sepse mbiemri Ibrahimi shkurt bëhet Braçe!”
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pa fejsbuk

hahhahahahahha, Janulles tek kati i katert i eshte bllokuar lavamani. Do jem per nje ore me mision zhbllokimi. Me ndiqni! hahhahahahahaha, Salahudini eshte elektroauto digjital, çdo te enjte i nderron kandelat Parlamentit, hahhahahaa. Kur do ti gojelige behesh dorearte!
Ej, shume e bukur. Ed Rama me Tycin ne kafe, hahaha