Me mbështetjen e Komisionit Europian, shoqatat e gazetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor monitoruan zhvillimin e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në vendet e tyre.
Gjetjet e raportit të Rrjeti i gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor (Safe Journalists) theksojnë se Shqipëria ka bërë përparim drejt demokratizimit në 30 vitet e fundit pas rënies së regjimit komunist.
Duke iu përgjigjur ndryshimeve social-kulturore, politike dhe ekonomike të vendit dhe përparimeve në teknologji, tendencave globale të medias dhe së fundmi, edhe krizës COVID-19, në raport specifikohet se mediat në Shqipëri kanë bërë përparime të konsiderueshme.
Referuar kësaj linje, nuk mund të flasim për një zhvillim linear. Në media reflektohet një dinamikë kryesore, ku dominojnë mediat klienteliste, të karakterizuara nga ndërvarësi dhe lidhje të fshehta me politikën dhe biznesin.
Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes, të medias dhe të informimit, por kjo liri vëren raporti nuk zbatohet plotësisht në praktikë ku evidentohen shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të informimit dhe të shtypit.
Rekomandimi i raportit “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri” thekson se duhet ende punë në sigurimin e zbatimin e garancive ligjore për lirinë e shprehjes dhe të medias.
Për sa i përket pozicionit ekonomik të gazetarëve, vështirësitë kryesore vazhduan edhe në vitin 2020, veçanërisht në lidhje me punësimin, kushtet e punës, sigurinë dhe zhvillimin profesional.
Ndërkaq, në raporte të ndryshme argumentohet se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk ka qenë në gjendje të funksionojë si e pavarur nga politika.
Raporti thekson se anëtarët e AMA-s kanë përkatësi të pastër politike, duke qenë se anëtarët e këtij autoriteti propozohen nga partia/koalicioni në pushtet që ka shumicën e vendeve në Kuvend dhe kjo rrjedhimisht e bën të vështirë pavarësinë e mediave në Shqipëri.
Një nga rekomandimet kryesore të raportit është rritja e transparencës dhe llogaridhënies së autoritetit rregullator të mediave.
Në vitin 2020, u hapën më shumë se dhjetë procese gjyqësore kundër gazetarëve, kryesisht për shpifje.
Nga raporti bëhet me dije se sulmet ndaj sigurisë së gazetarëve zakonisht janë dënuar edhe nga zyrtarët shtetërorë dhe konsiderohen si shkelje e lirisë së shprehjes.
Po ashtu vërehet se institucionet shtetërore nuk ofrojnë ndonjë mbrojtje të veçantë, por organizatat e mediave, rrjetet ndërkombëtare të mediave dhe shoqëria civile ofrojnë mbështetje dhe burime.
Shoqata rekomandon se rastet kërcënuese dhe sulmet që kanë si objektiv median dhe gazetarët nuk duhen toleruar.
e.r/dita
