Aktori i mirënjohur francez Gerard Depardieu ka një hall të madh. Pasi presidenti i vet Francois Hollande bëri publik vendimin e rritjes së taksimit për të ardhurat mbi 1 milion euro (pjesa që do i takojë shtetit do jetë 75%), i madhi Depardieu po kërkon me ngulm një regjim fiskal ku të mund të kursejë ca të holla.
Pasi u zhvendos në Belgjikë për disa muaj, aktori vendosi t’ia mbathte deri në Rusinë e largët të Vladimir Putin-it. Dhe ishte Zari doravetë që të enjten firmosi një dekret për dhënien e nënshtetësisë ruse. “Adhuroj Rusinë – rridhte mjaltë Depardieu – historinë dhe shkrimtarët e saj (edhe unë kam qënë komunist). Adhuroj presidentin tuaj, Vladimir Putin, të cilit i thashë që Rusia është një demokraci e madhe”.
Dashuria e aktorit për Rusinë kushton saktësisht 13% të të ardhurave të veta vjetore (taksa e sheshtë në fuqi atje): kaq mjafton që 64-vjeçari të shesi jo vetëm atdheun e vet por gjithashtu edhe të emërtojë “demokraci”, regjimin aspak liridashës të Putinit. “Dua të iki nga Franca edhe sepse kam konsideratë shumë të ulët për këta qeveritarë – deklaronte më tej Depardieu – nuk e di si mund të mendohet një taksë aq e lartë që del jashtë parametrave kushtetuese”.
Mundimi i Gerard-it për të paguar më pak taksa është i kuptueshëm, por të paktën mos të mbante leksione morali. Gjykata kushtetuese franceze u shpreh për paligjshmërinë e kësaj taske jo sepse është e lartë, por sepse është e llogaritur në bazë të të ardhurave personale dhe jo familjare. Një çështje teknike që nuk prek aspak logjikën e sistemit progresiv të taksimit i cili është themeli i shumë demokracive të ashtuquajtura “sociale” të Europës së Bashkuar.
Mjafton të zgjedhësh që në agim të paktit politik midis shtetasve (pra në hartim të kushtetutës) se cili do duhet të jetë roli i shtetit. Nëse duhet të jetë një autoritet publik neutral, me detyra të kufizuara (rend, mbrojtje dhe shërbimet bazë), apo një aktor thelbësor në jetën sociale. Në hipotezën e parë (teoria liberale) shteti “minimal” takson minimalisht, ofron shërbime minimale dhe lë në mëshirën e tregut raportet sociale (shembulli i Shteteve të Bashkuara).
Demokracitë sociale që lindën në Europë pas Luftës së Dytë Botërore kanë si qëllim jo vetëm bashkëjetesën paqësore midis shtetasve, por edhe sigurimin e një jetese dinjitoze për të gjithë. Pra dora publike ka për qëllim edhe zbutjen e diferencave midis shtresave duke rishpërndarë pasurinë për të siguruar një dysheme mirëqënieje të njëjtë. Tavani, pastaj, varet nga aftësitë e gjithësecilit.
Të mira apo të këqija, funksionale apo jo, të kombinuara apo të kulluara, këto janë modelet e shteteve demokratike aktuale. Franca, ashtu si Italia dhe vëndet nordike, është një demokraci sociale, ku sitemi progresiv i taksimit (kush ka më shumë paguan më shumë edhe si përqindje mbi të ardhurat) lejon që gjithë francezët (apo italianët, apo norvegjezët) të mos vuajnë kurrë skamjen dhe të zhvillojnë përgjatë gjithë jetës së tyre aktivitete bazë për një ekzistencë dinjitoze.
Nëse Depardieu e gjen më mirë veten në Rusinë autokratike të Putin-it apo në Çeçeninë diktatoriale të miliarderit Ramazan Kadyrov (bëri bujë pjesmarrja e francezit në festën e ditëlindjes të diktatorit), kjo është çështje thjesht personale. Por, edhe përse është aktor i zoti, të paktën mos të luajë rolin e të persekutuarit. Gjithçka paska një çmim pra, por dinjiteti qënka më i liri.
PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrikën e autorit “Europa” mund ta lexoni në DITA çdo të shtunë