Rrogozhina, shkëlqimi dhe rënia e një qyteti  

Dita

Rrogozhina, buzë lumit Shkumbin, është në qendër të Shqipërisë, një pikë referuese, që, në mënyrë pothuajse të barabartë ndan Jugun me Veriun. Historikisht njihet si një qendër e banuar që në lashtësi, në shekullin II të erës së re, ndërsa lulëzim dhe zhvillim ka patur gjatë periudhës historike të shfrytëzimit të rrugës Egnatia nga romakët, nga kryqëzatat evropiane drejt Lindjes dhe nga qytetërimi Bizantin. Rrogozhina antike ka qenë një nyje lidhëse e rrugëve të Durrësit me Jugun dhe Lindjen.

Në periudhën e Mesjetës, jeta në këtë u zbeh shumë, duke u kthyer në një fshat nga më të varfrit në zonë. Emri Rrogozhinë, vjen prej rrogozit, që është një thurje e zhukës së kallamit për të izoluar nga lagështia. Në kushtet e varfërisë ekstreme, sidomos në Myzeqe, rrogozat përdoreshin në masë si shtroje.

Rrogozhina është përfshirë në të gjitha periudhat historike, por veçanërisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku janë zhvilluar disa aksione të nga partizanët, sidomos ata të Grupit të Pezës. Në Rrogozhinë, nën ndikimin e Pezës, është ngritur Këshilli Nacionalçlirimtar më herët se në çdo vend tjetër në Shqipëri. Gjatë Luftës gjermanët hodhën në erë urën Shkumbinit që lidhte Rrogozhinën me Myzeqenë dhe Kodrën e Hysgjokajve. Ura u rindërtua menjëherë pas çlirimit, në vitin 1945.

70492153Rizgjimi i jetës urbane dhe qytetare të Rrogozhinës u bë në periudhën e socializmit. Një nga arsyet e këtij zhvillimi ishte pozicioni gjeografik, vendndodhja midis fushave pjellore, të Cerrikut, Myzeqesë dhe Kavajës. Këtu u ndërtua industria e përpunimit të produkteve bujqësore që vinin nga fusha. Rrogozhina kishte fabrikat më në zë të Shqipërisë të prodhimit, të vaj-sapunit ku prodhohej vaji i lule diellit dhe ku kishte një linjë të përpunim-konservimit të ushqimeve, midis të cilave edhe një fabrikë makaronash. E një rëndësie të veçantë ishte uzina e zhveshjes së pambukut, ku vinte pothuajse i gjithë prodhimi shqiptar i pambukut, si dhe punishtja e  përpunimit të bimëve mjekësore dhe etero-vajore, ku veç të tjerash, Rrogozhina përmendej për rakinë e dëllinjës (juniperos)

Por ajo që i dha zhvillim e gjallëri dhe e ktheu në një qendër të rëndësishme urbane Rrogozhinën ishte ardhja e hekurudhës në vitin 1947. Në Rrogozhinë ishte një nga stacionet hekurudhor më të mëdhenj në vend, ku ndalonte gjithë Jugu i vendit. Ky fluks lëvizjesh shtoi objektet tregtare dhe social-kulturore në qytet, por edhe krijoi kushte shumë të mira jetese. Deri në vitin 1990 në Rrogozhinë kishte pallat kulture, spital, shtëpi lindjeje, grupe artistike si dhe një rrjet shërbimi komunal dhe tregtar që plotësonte nevojat e mbi 10 mijë banorëve.

Rrogozhina sot

47977120Sot në Rrogozhinë nuk ka fabrika industriale si më parë, ato u shkatërruan në vitet e ashtuquajtura të demokracisë. Jeta në qytet nuk ka gjallërinë e dikurshme. Toka për gjithë atë numër banorësh, megjithëse pjellore, është e pakët. I vetmi objekt dhe institucion shtetëror i ndërtuar së fundmi këtu është burgu i Rrogozhinës. Ndërtimi i tij ngjalli fillimisht ngjalli shpresë për punësim, por këto shpresa u shuan shpejt, kur u panë të vinin militantë partie që nga Tirana, Durrësi, Lushnja dhe Elbasani. Sot burgu është në Rrogozhinë, por pa punonjës të këtij qyteti. Shumë familje të Rrogozhinës, si në të gjithë Shqipërinë, jetojnë me të ardhura nga emigracioni. Veç të tjerash Rrogozhinën e “mori më qafë”, duke e varfëruar më tej, devijimi i autostradës. Shumë objekte tregtare, dyqane, lokale falimentuan. Qyteti ra në një varfëri të menjëhershme

Nga pazaret më të mëdhenj të gjësë në Shqipëri

Dita e vetme e gjallë dhe festive sot në Rrogozhinë, është dita e pazarit që zhvillohet një herë në javë. Pazari i Rrogozhinës, sidomos ai i gjësë së gjallë, është nga më të mëdhenjtë në vend. Është i tillë, pasi, siç kemi thënë më lartë, Rrogozhina ka një pozicion shumë të favorshëm gjeografik. Në pazarin e Rrogozhinës vijnë fermerë që sjellin gjënë e gjallë dhe produkte bujqësore dhe blegtorale nga disa zona: nga fshatrat e fushës dhe kodrës së Kavajës, nga Peza, Peqini, Kodra dhe Fusha e Lushnjes etj.

 

Shembull i një harmonie të admirueshme mes komunitetesh
Në periudha të ndryshme, për shkak të pozicionit gjeografik, mundësive dhe lehtësive të terrenit për të krijuar një jetë normale, këtu kanë ardhur komunitete të ndryshme si grekë të Luftës Civile Greke të 1945-ës, çamë të Luftës së Dytë Botërore, vllenj të mesjetës, gollobordas të socializmit, jevgj, arixhinj, kuksianë, lebër, myzeqarë të të gjitha kohërave etj. Të gjithë këta u vendosën poshtë hekurudhës, ndërsa vendasit ishin më sipër. Komuniteti më i madh dhe më në zë në Rrogozhinë kanë qenë dhe janë çamët. Bishti i Zhurit dhe Dy Çezmat janë pikat më të njohura të Rrogozhinës të populluara me çamët e dëbuar nga Greqia në 1944-ën. Në Rrogozhinë është një lagje me emrin “Miqësia” që, pavarësisht se është vënë për propagandë nga socializmi, e ka justifikuar emrin. Vendësit, me një natyrë të butë e të qytetëruar, kalojnë në një harmoni të admirueshme me çamët dhe me të gjitha komunitetet e tjerë të vendosur aty. Moshat e vjetra mbajnë mend që nga grupi folklorik çam i Rrogozhinës doli kënga e famshme elegjiake e Çelo Mezanit, këngë që është vlerësuar si një simfoni botërore.

 

Share This Article
2 Comments
  • ” E ke prishur me ate periudhen e socializmit,me ato fabrikat eme ate hekurudhen” Duhet te mburrje me te madhe ate burgun si nje veper madheshtore te demokracise saliniane. Me gjithe ate te falenderoi per shkrimin.

  • Totalisht dakord, por e ka prish në fund me stereotipat e thenieve për komunitetet… Publikimi është i ditëve të sotme, prandaj duhej të përdorte termat e njohura dhe të pranuara Rom & Egjiptianë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *