Mëngjesin e së shtunës së 24 nëntorit Europa u zgjua më e plakur dhe më e rrudhur se kurrë. Pas më shumë se 14 orë diskutimesh, kontradiktash dhe zemërimesh, 27 liderët e Bashkimit Europian nuk ranë dot dakort mbi projekt-buxhetin e shtatë viteve të ardhshme. Mbledhja e Këshillit Europian dështoi për disa arsye: të gjitha dritëshkurtra.
Projekt-buxheti është akti më i rëndësishëm dhe më i ndërlikuar që institucionet europiane duhet të miratojnë. Bëhet fjalë për mbi 1000 miliardë euro që BE-ja do administrojë gjatë një shtatëvjeçari dhe secili prej 27 shteteve kërkon një ekuilibër sa më të favorshëm midis parave që i transferon Brukselit dhe parave që i rikthehen mbrapa. Diçka normale për një kohë krize kur asnjë shtet nuk dëshiron të paguajë më shumë.
Problemi i vërtetë lind kur Bashkimi Europian cifloset në disa copëza që nuk komunikojnë midis tyre. “Europa duhet të bashkohet me botën reale, këtu nuk po luajmë me paratë”, mësohet të ketë shfryrë anglezi Cameron, një ndër më të vendosurit për të kërkuar shkurtime. I ashtuquajturi “klubi i të pasurve” (Anglia, Suedia, Hollanda, Finlanda, Danimarka dhe Gjermania) kërkon një ulje buxhetore më të majme sesa ajo prej 80 miliardë eurosh e propozuar nga Herman Van Rumpy, presidenti i Këshillit Europian. Për Merkel dhe shokë nuk mjaftoi zbritja nga 1023 në 971 miliardë euro që belgu Van Rumpy hodhi mbi tavolinë për të gjetur konsensus. “Nuk mund të shtrengojmë rripin nëpër shtëpitë tona dhe pastaj të vijmë këtu dhe të shohim sesi rriten shpenzimet europiane”- u shpreh Cameron. Iu përgjigj i bezdisur francezi Hollande: “Nuk është e pranueshme që shtetet më të pasura të na kërkojnë akoma skonto”.
Dihet që kur hyn në skenë interesi edhe shoqëritë më të mira mund të prishen. Por thelb i kontradiktave a është me të vërtetë një çështje parash? Në fund të fundit flitet për 0,01% të GDP-së së BE-së, një sasi e papërfillshme në kontekstin e përgjithshëm. Ngërçi real është politik. Nëse Bashkimi Europian perceptohet nga qytetarët e vet si një organizëm i pafuqishëm për të luftuar krizën. Nëse po përhapet mendimi se paratë që menaxhohen nga Brukseli zhduken në njëmijë rrëke të papërfillshme. Nëse europianët veriorë dyshojnë se po paguajnë faturat e gostive të grekëve apo të spanjollëve. Atëhere si do mundin Cameron apo Merkel të fuqizojnë akoma më shumë bilancin e BE-së dhe në të njëjtën kohë të rifitojnë zgjedhjet politike që po trokasin tek dera?
Europa e Bashkuar po humbet forcën tërheqëse që kishte disa dekada më parë. Mrekullia e një paqeje 50 vjeçare në kontinentin më luftarak të globit nuk është më e mjaftueshme për europianët e trembur nga problemet ekonomike. Liderët politikë të disa shteteve janë të detyruar të kalërojnë tigrin e “euro-skepticizmit” për të vazhduar qëndrimin në pushtet duke dobësuar akoma më shumë ndërgjegjen europiane të qytetarëve të vet. Është një rreth vicioz i cili nuk ka për të sjellë asgjë të mirë.
Një ndër ekonomistët më të shquar të kohërave moderne, John Maynard Keynes, shpjegonte se për të zbutur pasojat e një krize nevojiten investime. Por për ti kryer ato duhen shpenzuar para publike duke marrë vendime të guximshme dhe disa herë jo popullore. Një Europë pa asnjë kacidhe do jetë e dobishme vetëm si një fabrikë llafesh duke u plakur shumë shpejt. Një dështim i kësaj përmase shfaqi një rrudhë të thellë në ballin e BE-së.
Elton Xhanari
PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona