Rruga e mundimshme drejt standardizimit të shqipes (II)

J L

Intervistë me Prof. Rami Memushajn

(Vijon nga numri i kaluar)

 

– Profesor, e ndërpremë intervistën tek sulmet kundër shqipes standarde, cilët janë faktorët e tjerë që ndikojnë?

– Po vazhdoj aty ku e lamë. Nga vitet 2000 e këndej, kur Kosova u çlirua nga pushtimi serb, këtij kori iu bashkuan hapur edhe gjuhëtarë dhe intelektualë të atjeshëm, shumica në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Këta pavarësimin e Kosovës e shihnin si një lëvizje identitare, që shprehej në idenë për krijimin e flamurit dardan, të monedhës dardane, pse jo edhe gjuhës dardane, siç lë të nënkuptohet R. Ismajli (Infinitiv apo status minoritar, Studime 8-9, 2002, f. 56-57) dhe siç bisedohej kafeneve. Sipas tyre, meqë Kosova u bë e pavarur, duhet t’i kthehej çështjes së gjuhës, duke kërkuar planifikim të ri gjuhësor. Për t’ia arritur kësaj, ky teoricien i zhbërjes së gjuhës standarde doli me tezën se në përpjekjet e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë për të ruajtur identitetin kombëtar nëpërmjet gjuhës “u favorizua importimi i standardit” (po aty, f. 47) dhe ky standard, saktëson një ithtar i tij, “u pranua në Kosovë për shkaqe krejtësisht politike” (Rr. Paçarrizi, Thesis Kosova, nr. 1, 2008, f. 107). Teza se gjuha standarde në Kosovë është e importuar dhe “e imponuar me forcë nga jashtë”, e kopjuar nga mediet serbe, është hedhur poshtë nga akad. Idriz Ajeti  në disa shkrime të tij, i cili thotë se “përdorimin e gjuhës letrare e ka pranuar në mënyrë plebishitare dhe e ka përvetësuar tërë kombësia shqiptare në Jugosllavi” (Për të vërtetën shkencore, 2006, f. 47.). Një tezë tjetër e tij për shkatërrimin e standardit është ajo e policentrizmit, sipas së cilës, ashtu si serbokroatishtja sot është ndarë në katër gjuhë, edhe gjuha standarde shqipe të lëvrohet në tri variante – i Tiranës, i Prishtinës dhe i Shkupit. Por meqë kjo tezë ndeshi në kritika të ashpra, prej të njëjtit autor u formulua kërkesa për ta bërë gjuhën standarde “gjithëpërfshirëse”, për ta zgjeruar këmishën e standardit që i rri gjuhës shqipe ngushtë, “si kostumi i një të vdekuri”. Kjo kërkesë u shpreh edhe në “Orientimet” e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për çështjet e gjuhës standarde, orientime që do të udhëhiqnin anëtarët e palës kosovare në Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.  Në këto orientime përsëritet ideja e Ismajlit se “arsyet e pranimit të gjuhës së përbashkët… ishin të ndryshme: në Tiranë – edhe nën ndikimin e mekanizmave shtetërorë, në Prishtinë – nga kërkesa e përgjithshme për integrim kombëtar…” dhe se në kushtet e reja, për të zhdukur “pabarazinë gjuhësore” drejtshkrimi duhej rishikuar, duheshin mënjanuar disa elemente të shqiptimit, të morfologjisë, të sintaksës, të leksikut etj.” të toskërishtes dhe duhej pasuruar standardi duke futur në “përdorim të përgjithshëm ndonjë element morfologjik” të gegërishtes. Dhe grupi i Prishtinës në Këshillin Ndërakademik, edhe me mbështetjen e disa gjuhëtarëve të këtushëm, u përpoq të përmbyste bazën e gjuhës standarde, duke hequr ë-në e patheksuar në rreth 15 % të leksikut të shqipes, duke rrëgjuar shumë përdorimin e tingullit nj dhe duke bërë edhe shumë ndryshime të pambështetura të normës morfologjike e sintaksore. Ky Këshill, që në vitin 2014 e mbylli pa lavdi veprimtarinë e vet në dëm të gjuhës standarde, është riaktivizuar vitet e fundit nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad R. Ismajli po e vijon luftën kundër standardit, por tashmë duke nxitur përpjekjet për normëzimin e gegërishtes dhe duke u bërë jehonë pikëpamjeve të atyre që e quajnë gjuhë gegërishten (Migjen Kelmendi, Letër e hapur R. Ismajlit, 2005). Kështu, vitin e kaluar është botuar në Tiranë nga Mehmet Elezi “Drejtshkrimi i Gegnishtes ose Gegnishtja e standardizueme” (Tiranë, 2021). Ky libërth nuk është tjetër veçse projekti i drejtshkrimit i Prishtinës i vitit 1964, të cilin intelektualët kosovarë e braktisën në Konsultën e Prishtinës. Në “Parathanie” M. Elezi falënderon akad. R. Ismajlin, i cili i “ofroi bujarisht botime me shumë vlerë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës” (f. 13), ndër to besojmë edhe variantin elektronik të këtij projekti të arkivuar.

Burimi i gjithë këtyre përpjekjeve janë ndjenja e dobët kombëtare dhe mendësitë partikulariste e mesjetare të një pjese të elitës kosovare, e cila një krahinë ia kundërvë pjesës tjetër të kombit, duke u nisur thjesht nga numri i popullsisë së saj. Sigurisht, këtu ndikon edhe fakti që për 100 vjet kjo trevë shqiptare ka bërë një jetë të shkëputur nga trungu amtar, gjë që ka krijuar njëfarë tëhuajësimi. Këtë tëhuajësim e kanë bërë më të theksuar edhe largësia më e madhe e ligjërimit kosovar nga ligjërimi i Shqipërisë në jug të Drinit, për shkak jo vetëm të veçorive të këtij nëndialekti verilindor, po edhe të huazimeve të shumta leksikore e sintaksore nga serbishtja. Por kjo nuk duhet të çojë në dëshirë për largim, për t’u dalluar edhe më tepër, sepse ashtu si degët nuk mund të jetojnë pa trungun, edhe e folmja e Kosovës nuk mund të ekzistojë si dialekt i shqipes pa qenë nën ombrellën e gjuhës standarde.

 

– Pas gjysmë shekulli, a mendoni se shqipja standarde ka triumfuar përfundimisht?

– Shkaku i krijimit të gjuhëve standarde është nevoja e një kombi për një mjet që të mundësojë komunikimin në shkallë kombëtare. Thënë ndryshe, gjuha standarde është “limfa” që përshkon e bashkon gjymtyrët e kombit. Prandaj shqipja standarde u pranua nga shqiptarët brenda e jashtë trojeve “në mënyrë plebishitare”, sikundër shprehet prof. Idriz Ajeti. Gjatë këtij gjysmëshekulli të qenies së saj ajo ka lehtësuar komunikimin e qytetarëve me shtetin, komunikimin e folësve nga krahina të ndryshme të vendit dhe komunikimin në fushën e kulturës, të arsimit, të shkencës etj. Shkolla, shtypi i shkruar, radioja e televizioni e kanë përhapur atë në të tëra hapësirat ku jetojnë shqiptarë. Janë disa breza folësish deri në moshën 50-vjeçare që edhe në ligjërimin e përditshëm jozyrtar përdorin gjuhën standarde dhe jo dialektin e prindërve të vet. Të tillë gjen gjithandej në trevat shqiptare, jo vetëm në Tiranë dhe në jug të saj, po edhe në veri. Ndikimi i gjuhës standarde përhapet në formën e valëve nga qendra drejt periferisë dhe vetëkuptohet që shkalla e ngulitjes dhe e përdorimit të saj është më e fortë në rrathët afër qendrës e më e dobët sa më shumë largohemi nga qendra. Por ngulitja e saj nuk varet vetëm nga largësia prej qendrës, po edhe nga niveli kulturor i familjes dhe i mjedisit shoqëror. Folës korrektë të standardit gjen edhe në Preshevë, edhe në Kumanovë, edhe në Mal të Zi. Të kemi parasysh edhe që asnjë gjuhë standarde, sado e vjetër të jetë, nuk zotërohet nga qind për qind e popullsisë së një vendi, aq më tepër që nuk është e mundur që një përqindje të tillë zotërimi ta presim për shqipen standarde, që është relativisht e re. Të mos harrojmë edhe se gjysma e popullsisë shqiptare jeton në fshat, ku pushteti i dialektit është ende i fortë.

Pyetjes se a ka fituar përfundimisht gjuha standarde, mund t’i përgjigjemi edhe po, edhe jo. Po, sepse ajo është sot gjuhë zyrtare e tre shteteve, është gjuha e shkollës, e shkencës, e medies dhe e marketingut, funksione tipike të gjuhëve standarde. Atë e përhapin në eter ditë e natë dhjetëra e dhjetëra televizione e radio.

Jo, sepse gjuhët standarde nuk janë të lindura sikundër dialektet. Ato krijohen duke përpunuar një nga variantet letrare të një gjuhe, pra krijimi i tyre është një lloj “inxhinierie” gjuhësore dhe, si krijime të tilla, ato kanë nevojë të mirëmbahen e të përsosen. Prandaj planifikimi gjuhësor është një proces që ka fillim, por nuk ka fund në të dy aspektet e tij: në planifikimin e normave të standardit dhe në politikat gjuhësore të shtetit për pranimin dhe zbatimin e tyre. Për këtë arsye sociolinguisti amerikan Joshua Fishman njërit prej librave të tij të fundit i ka vënë titullin: “Do not leave your language alone!” (Mos e lini gjuhën në fatin e vet!), si një porosi për kombet dhe shtetet e tyre.

Në fushën e planifikimit të normave puna vijon pandërprerë, sepse normat e gjuhës janë kategori historike – ka elemente të reja që ngrihen në normë, ka edhe elemente të vjetra që dalin nga norma – dhe studimi i këtyre lëvizjeve është detyrë e përhershme e institucioneve që merren me studimin e gjuhës shqipe. Gjuhëtarët duhet të studiojnë ligjërimin e folur e të shkruar për të dalluar ato elemente të normës që e kanë humbur karakterin normativ dhe duhen mënjanuar dhe për të ngritur në normë letrare elementet e reja konkurruese; për të zbuluar ndikimet e gjuhëve të huaja në gramatikë e për ta pastruar sintaksën nga ndërtimet e skemat e huaja sintaksore; për të pasuruar leksikun e gjuhës e për të shmangur prej tij huazimet e panevojshme.

Normat e gjuhës standarde, që i hartojnë gjuhëtarët, bëhen për t’u zbatuar në ligjërim. Por ato nuk mund të zbatohen pa forcën detyruese të shtetit. Në botën e sotme që rend çmendurisht pas fitimit, shtëpitë botuese nuk janë të interesuara t’i korrektojnë e t’i redaktojnë librat që botojnë; redaksitë e gazetave, po ashtu, që nganjëherë i botojnë shkrimet edhe pa ë e pa ç, siç u vijnë nga autorët; ata që reklamojnë mallra e shërbime nuk e ndiejnë të nevojshme t’i redaktojnë reklamat e tyre; redaksitë e televizioneve e të radiove nuk shpenzojnë për të monitoruar ligjërimin e folësve televizivë e radiofonikë; gazetarët e të gjitha medieve nuk ndiejnë asnjë detyrim të punojnë për kualifikimin e tyre gjuhësor. Këtë shpërfillje të palejueshme të normave të gjuhës vetëm shteti mund ta ndalojë. Ai ka tagrin ligjor t’i detyrojë të gjithë shkelësit t’i zbatojnë këto norma. Pra, për t’i dhënë fund këtij bastardimi të pashembullt të gjuhës amtare andej dhe këndej kufirit, është e domosdoshme ndërhyrja me ligj e shtetit. Të dy shtetet tona me kushtetutë e kanë për detyrë “kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe” dhe ky detyrim kushtetues nënkupton, në radhë të parë, hartimin dhe miratimin e ligjit për gjuhën shqipe, si në Shqipëri, edhe në Kosovë.  Ky ligj do t’i vinte fre talljes me gjuhën amtare, me këtë thesar të çmuar shpirtëror të popullit tonë.

Për të treguar se sa të rënda janë pasojat e mungesës së disiplinës gjuhësore në botimet tona, po sjell vetëm dy shembuj nga botimet e Prishtinës dhe të Tiranës.

Gjatë verës së kaluar lexova vëllimin e parë dhe të shtatë të “Veprave” të Ali Podrimjes, botime të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dhe 8 vepra (romane e publicistikë, disa botime të Tiranës, e disa të Prishtinës) të shkrimtarit Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Gjëja e parë që më ra në sy, ishte se në veprat e Podrimjes nuk kishte emër korrektori e redaktori letrar, ndërsa në botimet e akad. Krajës disa vepra kishin redaktor letrar, por asnjëra prej tyre nuk kishte korrektor letrar. Gjatë leximit, sidomos të veprës së Podrimjes, ndesha në një numër të madh gabimesh gjuhësore: gabime shtypshkrimi, drejtshkrimi, morfologjike e fjalë të huaja të panevojshme. Ja disa prej tyre vetëm nga vepra e Podrimjes:

Gabime shtypshkrimi, drejtshkrimi e morfologjike: ringallej, nxerrjen në dritë, humbaste theksimi, me fishkëllimen e tij, krejtë afër, të rrumbëllakët, duç cigareje, u lëshova ngadal shkallëve, kisha ulëruar, Mjaft xhezdise nëpër Arbëri, duke fshehur pas xhadejen e vjetër, kisha parandjerë, në avullin e rërës që ngritej pas shiut të natës, në brek të gjata, kisha arrnuar mirë Këmishën, haraqin e paguajnë brezat, famkeq, Ballkani përpilitet, Në cingërimën e tretë ngris receptorin, spec Zadrimeje, Tragjika e një fjale, Si i thuani kësaj? ç’përgjigjeje t’i jepte, paqi faqen e bardhë, Fabrika e parë që ngritet pas çlirimit, në atë deregje, qerekun tjetër të fjalisë, duartroktitje, Pleçnarët e Kombit, fëmijët e Zeuzit, gërrhamët e deputetit, ndonjë e dhirë mini, hija e mejtit (meitit), mendonte se talboja (tabloja), shpiejnë (shpien) përpara, ortiqe, ngrisim (ngremë), ngritet një çështje, mbatanë përrockës, kurajo, rrejtit të merimangës, nga civilizmi i ri; paqje (paqe)e çuditshme, Nuk doja t’ja prishja qejfin etj., etj.

Fjalë të huaja: vizuelisht, duam ta lansojmë, nuk mund të harrohet se reprizohet, kishte veneruar, propagon e bën çmos, majë një lisi në karadakllëk, fundi i palaçiadës, me një sensibilitet të një liriku, imagjinativ, mbyllja hermetike është katastrofale, vargun famoz, nuk mund të elaborohet, kazamate, profiter shqiptar, dezekuilibrohet, bën çmos të na devalvojë, kohë terribël, sedrën e profiterëve etj.

Përveç këtyre, ka shumë fjalë krahinore që nuk shpjegohen në fund të tekstit, të cilat nuk gjenden as në fjalorët krahinorë.

Kush ka durim ta lexojë një libër të tillë? Kushdo që do ta merrte në dorë këtë libër, do ta flakte sa të hapte faqen e parë. A i bëhet nder poetit duke ia botuar librat pa u lektoruar e redaktuar? Po vetë akademikët e redaksisë së librit të Podrimjes, një nga të cilët është gjuhëtar, a i nderon një botim i tillë? Po kryetarin e Akademisë së Kosovës? Kur akademitë dhe akademikët nuk çajnë kokën për zbatimin e normave të gjuhës, çfarë mund të pritet nga të tjerët? Është e qartë se ç’ dëm i madh i bën një shpërfillje e tillë e normave të gjuhës përvetësimit dhe zbatimit të standardit.

 

– A ka ndonjë problem që ju shqetëson për të ardhmen në këtë fushë?

– Ka jo pak probleme shqetësuese. Problemi më i madh është prapambetja në të cilën ndodhet gjuhësia shqiptare, e cila nuk e kapërceu dot hendekun e krijuar me gjuhësinë botërore gjatë 50 vjetëve të shkuar, por po e thellon atë edhe më shumë. Nga niveli i gjuhësisë varet edhe shërimi i plagëve prej të cilave lëngon gjuha dhe ligjërimi shqip sot. As Shqipëria e as Kosova nuk mund të krijojnë shkollë gjuhësore shqiptare. Idetë e reja do vijojmë t’i marrim nga gjuhësia perëndimore. Por këto ide merren duke dërguar studentë për studime magjistrature e doktorata në vendet ku lindin këto ide. Është për të ardhur keq që, nëse në kohën e diktaturës dërgoheshin periodikisht studentë të gjuhës dhe gjuhëtarë në Francë, në Itali, në Suedi etj., këta 30 vjet shtetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë bursë studimi për gjuhën shqipe. Sot është vështirë të gjesh në institutet e gjuhësisë dhe në departamentet e gjuhës shqipe studiues a pedagogë të shkolluar në Perëndim.

Për projekte serioze shkencore është i domosdoshëm bashkimi i forcave shkencore dhe bashkërendimi i punës së tyre. Po, për fat të keq, një bashkim i tillë mungon, madje po shfaqen nisma paralele që shpien në një harxhim të panevojshëm të kapaciteteve shkencore, në vend që të kishte një shpërndarje të arsyeshme të forcave. P.sh., studiuesit e gjuhës të të gjitha fushave për të kryer studime kanë nevojë për një korpus gjuhësor elektronik, i cili zëvendëson skedat prej letre që përdoreshin para se të futej në përdorim kompjuteri. Por sot për korpuset po punohet paralelisht nga disa qendra që merren me shqipen, kur bashkërendimi i forcave do të sillte një ndarje të punës dhe do të jepte një korpus më të madh të shqipes. Edhe më të dëmshme janë rivalitetet e përplasjet midis institucioneve, të cilat po shfaqen kohëve të fundit, sidomos midis institucioneve në Prishtinë dhe në Tiranë. Brezi i vjetër i gjuhëtarëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni la një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi. Tubimet tona shkencore ishin jo vetëm takime pune, po edhe ditë festash për ne, sepse shiheshim e çmalleshim me njëri-tjetrin. Kjo frymë do të duhej të vazhdonte, për shkak se problemet me të cilat përballemi janë të përbashkëta dhe së bashku mund t’i zgjidhim më shpejt dhe më mirë.

Studimi i gjuhës është detyrë e gjuhëtarëve, po kujdesi për të, veç shtetit, është detyrë edhe e të gjithë aktorëve të përfshirë në ligjërimin publik – shkolla, shtypi i shkruar dhe televizioni e radioja. Mirëpo puna e të gjithë këtyre aktorëve çalon. Sidomos televizioni, që është bërë media me ndikimin më të madh në shoqëri, jo vetëm se është burimi kryesor i informacionit, po edhe sepse po modelon jetën tonë: mënyrën si sillemi, si vishemi, si flasim. Mirëpo televizioni e radioja po ndikojnë për keq në ligjërimin e shikuesve dhe të dëgjuesve. Në përgjithësi, folësit dhe gazetarët televizivë e radiofonikë të Tiranës po përdorin një gjuhë që do ta quanim shqiplishte, dmth. një shqipe të ndikuar fort nga anglishtja, si në leksik, edhe në theksimin e fjalëve dhe në metrikën e frazës. Kjo lloj gjuhe dallohet, së pari, për përdorimin me tepri të fjalëve dhe të shprehjeve të huaja. Shumë rubrika e programe televizive emërtohen, pa qenë nevoja, anglisht, si p.sh. Wake up, kur mund të thuhej shqip “Koha për t’u zgjuar”; Big brother, kur mund të thuhej “Vëllai i madh” (si italianët që kanë “Grande fratello” etj.); Breaking news, kur mund të thuhej “Lajmi i fundit) etj., etj. Vërshimi i fjalëve të huaja kryesisht nga anglishtja sjell me vete pasoja edhe për rrafshet e tjera të gjuhës, sepse fjala e huaj bart me vete edhe mënyrën e theksimit karakteristik për gjuhën nga merret. Si rrjedhim, ka marrë të përhapur shqiptimi i fjalëve si në anglishte, me theks në rrokjen e parë dhe jo në rrokjen e fundit siç e do përgjithësisht shqipja. Kështu, gazetarët televizivë sforcohen të shqiptojnë kóvid dhe jo kovíd, siç e shqiptojnë mjekët dhe njerëzit e thjeshtë, ómikron dhe jo omikrónféjsbuk dhe jo fejsbúk, vódafon dhe jo vodafón, Pútin dhe jo Putín etj. Sa shumë ka depërtuar kjo mënyrë theksimi e fjalëve, duket në shqiptimin nga brezi i ri të emrave tanë të përveçëm, p.sh., Ármand dhe jo Armánd, Bójken dhe jo Bojkén, Érvin dhe jo Ervín, Hásan dhe jo Hasán etj., po edhe të emrave të përgjithshëm.

Mirëpo shqiptimi i emrave në rrokjen e parë e bën të vështirë edhe lakimin e tyre, pasi shtohet numri i rrokjeve që vijnë pas theksit, ndërkohë që shqipja e ka të kufizuar këtë numër. Kështu që në frazë fjalët e mësipërme përdoren pa mbaresa rasore, p.sh.: e zuri kóvid, kaloi kóvid, pasojat e kóvid (dhe jo e zuri kovídi, kaloi kovídin, pasojat e kovídit); Makron takon Putin, vizita e Makron (Makroni takon Putinin, vizita e Makronit); Uejkap në Top Channel, po dëgjoni Uéjkap (Uejkápi në Top çenëll, po dëgjoni Uejkápin)  etj. E njëjta gjë po ndodh edhe me shkurtesat e fjalëve: SPAK kërkon, vendimi i SPAK (në vend të SPAK-u kërkon, vendimi i SPAK-ut); KQZ shpall, deklaratë e KQZ (në vend të KQZ-ja shpall, Deklaratë e KQZ-së) etj. Përdorimi i emrave pa mbaresa rasore cenon morfologjinë e shqipes, e cila shekuj me radhë i ka bërë ballë trysnisë së gjuhëve të huaja me struktura të tjera gramatikore.

Po nuk është prekur vetëm morfologjia e emrit; është prekur edhe zgjedhimi foljor. Kështu, vërehet jo rrallë përdorimi i gabuar i foljeve në kohë e veta të ndryshme, sidomos i foljeve që kanë ndërrime zanoresh, veçanërisht në Kosovë, ku hasen në të folur dhe në shtyp trajta si ka japur, do të del, ngrit nivelin etj. Vrojtuesit e ligjërimit të shkruar thonë se po dalin nga përdorimi habitorja dhe dëshirorja, dy mënyra të foljes që i japin shprehësi të lartë ligjërimit dhe që përbëjnë një pasuri të çmuar për shqipen. Të shumta janë edhe ndikimet në sintaksë të anglishtes e të italishtes në Shqipëri, të serbishtes e të anglishtes në Kosovë dhe të maqedonishtes në Maqedoninë e Veriut. Pra, janë goditur shtyllat themelore të gjuhës: leksiku, fonetika me theksat nistorë dhe ritmin e panatyrshëm të frazës, morfologjia dhe sintaksa. Nëse nuk do t’u pritet rruga këtyre shkeljeve, shqipja do të humbë karakteristika që e bëjnë një gjuhë të veçantë, do të humbë origjinalitetin e saj.

Çështja e fundit (por jo e fundit nga rëndësia) që dëshiroj të ngre në këtë intervistë, është roli i shkollës. Gjuha shqipe mësohet në shkollë nga klasa e parë në të dymbëdhjetën, po efektshmëria e kësaj lënde është shumë e ulët. Nxënësit e arsimit parauniversitar më mirë nxënë anglishten e kurseve private, sesa shqipen. Për këtë efektshmëri të ulët nuk mund të fajësohen vetëm mësuesit. Faji zë fill që në politikat arsimore të qeverive, çdonjëra prej të cilave, për të treguar sukseset e mëdha të arritura gjatë mandatit të tyre në fushën e arsimit, i japin rëndësi anës formale, mbushjes së lloj-lloj formularëve, regjistrave e defterëve dhe jo përmbajtjes, forcimit të punës së shkollës. Pastaj janë dobësitë e programeve mësimore – që nuk hartohen e as diskutohen nga specialistë të fushave – dhe të teksteve që hartohen mbi bazën e këtyre programeve. Pa folur për mangësi të tjera të tyre, në këto programe, ndoshta nën ndikimin e gjuhëve pa lakim e me zgjedhim të rrëgjuar si anglishtja, është vënë theksi më shumë nga ç’duhet te kompetenca komunikative, zhvillimi i aftësive shprehëse të nxënësit, duke i kushtuar pak rëndësi kompetencës gramatikore, njohjes së morfologjisë dhe të sintaksës. Por, pa njohur mundësitë e mëdha shprehëse që krijojnë format e kohëve e të mënyrave të foljes dhe skemat e larmishme të fjalive, nuk mund të mendohet për aftësi shprehëse të zhvilluara.

 

Intervistoi Xhevdet Shehu

FUND

 

Share This Article
5 Comments
  • Gjuha standarte duhet, por dhe kjo duhet kuptuar si nje proces dhe jo kategori e vendosur njehere e mire dhe e pandryshueshme! Dialektet jane pasuri dhe nuk ka pse te kemi frike prej tyre! Fatkeqesisht, brezi i ri sot, si ne Shqiperi ashtu edhe jashte, flasin nje shqipe te deformuar, qe duket sikur po flet nje i huaj apo nje tre vjecar!

  • Akademik JANI ThOMAI shkruar: “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972) është një nga veprimtaritë shkencore më të shënuara për gjuhësinë e kulturën shqiptare, do ta quaja “binjak” të Kongresit të Manastirit (1908) nga ideali i bashkimit kombëtar. Ai ishte kongres mbarëkombëtar, me delegatë e pjesëmarrës nga të gjitha trevat gjuhësore të shqipes, i paraprirë nga Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968), me thirrjen “një komb – një gjuhë letrare”
    E si mund të shprehet njeriu më mirë, më bukur, më arsyeshëm e më qartë se ato që ka shkruar Akademik Jani Thomai? I lumtë profesor Jani Thomai! I lumtë profesor Ramiut!
    .

    • Akademik JANI ThOMAI ka shkruar: “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972) është një nga veprimtaritë shkencore më të shënuara për gjuhësinë e kulturën shqiptare, do ta quaja “binjak” të Kongresit të Manastirit (1908) nga ideali i bashkimit kombëtar. Ai ishte kongres mbarëkombëtar, me delegatë e pjesëmarrës nga të gjitha trevat gjuhësore të shqipes, i paraprirë nga Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968), me thirrjen “një komb – një gjuhë letrare”
      E si mund të shprehet njeriu më mirë, më bukur, më arsyeshëm e më qartë se ato që ka shkruar Akademik Jani Thomait? I lumtë profesor Jani Thomait! I lumtë profesor Ramiut!
      .

  • Akademik JANI ThOMAI : “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972) është një nga veprimtaritë shkencore më të shënuara për gjuhësinë e kulturën shqiptare, do ta quaja “binjak” të Kongresit të Manastirit (1908) nga ideali i bashkimit kombëtar. Ai ishte kongres mbarëkombëtar, me delegatë e pjesëmarrës nga të gjitha trevat gjuhësore të shqipes, i paraprirë nga Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968), me thirrjen “një komb – një gjuhë letrare”
    .E si mund të shprehet njeriu më mirë, më bukur, më arsyeshëm e më qartë se ato që ka shkruar Akademik Jani Thomai? I lumtë profesor Jani Thomait! I lumtë profesor Ramiut!

  • I nderuar profesor ! Une nuk jam i kesaj fushe , por meraku per kete problem me shqeteson. Humbja e shkronjave “ç” dhe “ë” nuk eshte faji i brezit te ri , por i shtetit tone qe e ka detyre me ligj te mbroje gjyhen shqipe.Tastierat e kompjuterave nuk i kane keto dy shkronja. Si e tille per shkur shkruajne me “e” dhe “c”. Shteti duhet te porosit tastjera qe te permbajte keto dy shkronja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *