Ryshfetçiu ka bërë ligjin në çdo epokë e shoqëri. Edhe në komunizëm kishte, paçka se bëheshin fshehurazi. Por sot, ky lanet rryshfet na qenka bërë si buka e djathi. Politikanë, pushtetarë, biznesmenë, zyrtarë të mëdhenj me “dekorata” nuk i zë gjumi pa rryshfet. Dhe poshtë në bazë, në fshatra, komuna e bashki, sa zënë karriken a postin, menjëherë mendja u shkon tek rryshfeti. Ec e shiko kryepleqtë, edhe të fshatit tim, nuk i përjashtoj, me shtëpi të reja e komode, me prona që nuk i patën as baballarët e tyre, kur më përpara vërtiteshin si fukarenj e hiqeshin të ndershmit e botës. Pse, harrohen komisionet që kaluan në fshatrat e Bregut për legalizimin e shtëpive e trojeve rreth tyre? Një komision i tillë erdhi vitin e kaluar edhe në Dhërmi, i përbërë nga një zonjë tiranase me… të bijën.
Madje, tek shpallja tek dera e zyrës ku punonin, implikohej dhe bashkia e Himarës si bashkëpunëtore e kësaj pune. Kërkonin 100 euro për çdo familje paraprakisht dhe në muajin dhjetor familjarët do të merrnin në dorë çertifikatën e pronësisë. Pati nga ata që u peshkuan dhe i paguan paratë. Të tjerë u dhanë përgjigjen e merituar: Na jepni në dorë çertifikatën dhe ne do ju japim paratë.
Po afrohet dhjetori tjetër, ikën paratë, u zhduken faqedheut dhe nënë e bijë, bashkia e kryepleqësitë nuk ndihen. Problemi tjetër, katrahura me lejet e ndërtimit. Që duhet leje ndërtimi për një shesh të ri, kjo dihet e është e qartë. Por që të nxjerrësh leje sepse thyen ca gurë brenda truallit tënd për të sheshuar një bahçe të vogël, apo të ndërrosh çatinë e shtëpisë se çfare bie jashtë futet brenda, s’ka bythë ku të qëndrojë.
Akoma më keq: Një bashkëfshatarit tim iu desh të bënte avllinë e shtëpisë që të mos hynin kafshët brenda. As fqinjët nuk bezdiste, as rrugën e fshatit nuk e ngacmonte. Po sa shpejt ja behën nëpunësit e bashkisë me policët e tyre, rrushfetxhinjtë e ditës, të informuar nga rrushfetxhinjtë e natës! Dhe bam gjoba të shkretit; 100 mijë lekë të reja. Por ai ua grisi fletën e gjobës e ua përplasi. Mirë a keq, por edhe u duhej kjo përgjigje. Tjetrit, kur e sheh që është në shkelje të rregullave, paraqitju me rregulloren, me ligjin a urdhërin, të bindet dhe ai. Me ligje e urdhra të pashkruara, nuk të qas njeri. Gjynah, nuk e prisnim të tillë demokracinë. Ata që e drejtojnë le t’i thërrasin pak mendjes, se kanë filluar të humbasin vaj në tru.
Letër e nënshkruar,
Foto Lesko
