Për shekuj Ruanda ka qenë e përçarë nga konflikti etnik ndërmjet shumicës hutu dhe pakicës tutsi. Më 6 prill të 1994-s, u rrëzua avioni i presidentit hutu Habyarimana. Disa orë më vonë nisi gjuetia ndaj tutsëve dhe prej aty zuri fill gjenocidi
Njëzet vjet më parë gjithçka nisi me një krim shtetëror. Avioni i presidentit të Ruandës, Juvenal Habyarimana që po kthehej nga një samit me krerët e shtetit të Tanzanisë dhe i shoqëruar në bord nga presidenti i Burindit, Cyprien Ntaryamira, u godit nga një raketë kur ishte në fazën e uljes në Kigali, kryeqytetin ruandez. Askush nuk i mbijetoi sulmit. Kaluan disa orë dhe e gjithë Ruanda u zhyt në gjak. Në spazmat e një tragjedie të gjatë etnike, vëllezërit kundërshtarë hutu dhe tutsi luftonin prej shekujsh për një parajsë tokësore. Vdekja e presidentit hutu ishte si një sinjal i pritshëm për rindezjen e tensioneve, sepse gjithçka ishte parapërgatitur: lista e atyre që duhej të vriteshin, magazinat me armët e blera falë huasë së një banke franceze (Parisi atëkohë ishte aleatja e madhe e hutuve në pushtet) dhe ekstremistët hutu që ishin në pritje të urdhrit.
Në vend zbriti koha e Kainit. Një ushtri tutsi, e armatour nga Uganda dhe amerikanët, po avanconte: ishin fëmijët e një tjetër gjenocidi që kërkonin shpagimin. Francezët dhe amerikanët edhe këtë herë ishin në sfondin e konfliktit. Bandat e punëtorëve të vdekjes, që e quanin veten “shokët”, shkuan në kazermat për të marrë pushkë dhe granata dore. Raibanët, të dehur në alkool dhe urrejtje bllokuan Kigalin dhe fshatrat përreth me postblloqe. Në dokumentet e identitetit përkufizimi etnik, ishte një farë “ylli i verdhë i hebrenjve” që ndante ata që kishin të drejtë për jetën nga të tjerët, “insektet” që duheshin shtypur . Në 100 ditë vrasjesh masive, kur vrasësve iu mbaruan municionet, nxorën thikat, kaçavidat, heshtat “masu” apo bastunët rreth e qark me gozhdë. Fqinjët hutu e tutsi, që deri një natë më parë takoheshin për ritet e vogla të përditshmërisë, ishin kthyer në persekutues dhe të persekutuar, duke i masakruar me tërbimin e vrasësve profesionistë ata që si faj të vetëm kishin prejardhjen tutsi.
Ndërsa, mullarët e kufomave shtoheshin dita-ditës, kryebashkiaku i Kigalit punësoi të burgosurit për të hapur varre masive në periferi, sepse nuk donte asesi që të shpërthente një epidemi! Qëkur hutut dhe tutsit nisën të shkëmbenin masakrat, viktimat gjithnjë kërkonin strehë në kisha.
Këtu urrejtja ishte ndalur, dora e vrasësve ulej në emër të mëshirës që impononte feja. Por njëzet vjet më parë as civilët e thjeshtë e as priftërinjtë nuk u kursyen. Ata që deri një ditë më parë kishin qenë besimtarë të devotshëm mbuluan me gjakun e vëllezërve të tyre altarët dhe statujat e shenjtëve. Në familjet e përziera (me mijëra të tilla), hutut u detyruan të zgjidhnin nëse do të vrisnin bashkëshortët/et apo të vdisnin bashkë me ta. Të shumtë ishin heronjtë që kundërshtuan, por fatkeqësisht shumë më shumë ishin të nënshtruarit.
Edhe atëherë Perëndimi lejoi që të rridhnin njëra pas tjetrës ditët e masakrës. Paralajmërimet, britmat e tmerrit dhe apelet e dëshpëruara për ndihmë u shurdhuan nga paragjykimi i kahershëm: janë afrikanë, të varfrit kanë vetëm thika e shkopinj, për të bërë një gjenocid duhet industrializimi, dhomat me gaz ku vrasësit dhe viktimat nuk takohen, por mjafton shtypja e butonave anonimë dhe manovrimi i levave në dukje neutrale. Ja që në Ruandë, vrasësit nuk kishin një grimë pendese. 800 mijë të vdekur la pas vetes gjenocidi ruandez. Dhjetëra-mijëra të tjerë askush nuk i numëroi ndonjëherë. Skeletet e tyre janë ende në pyjet e Kongos fqinj, atje ku më kot ishin zvarritur në kërkim të strehimit. Për t’i dhënë fund horrorit nuk mjaftonin fjalët. Duheshin imazhet që bota të kuptonte./ Dorina Gjuzi