Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, tha se nuk mund të ketë politika fiskale, pa miratimin e 10 pikave të propozuar nga PS-ja. Duke bërë një krahasim të çmimeve aktuale me ato të ditëve të para të qeverisjes së Berishës në 2005-n, Ruçi tha se shqiptarët janë sot shumë më të varfër, ndërsa mbi shpatullat e tyre rëndon një borxh i madh publik.
“Zoti kryeministër, kur erdhe në pushtet e gjete bukën 50 lekë, sot po e lë me 100 lekë. Kur u bëre kryeministër, një kile miell e gjete 50 lekë, sot është 90 lekë. Një kilovator energji e gjete 50 lekë, sot e ke 90 lekë. Rritjen ekonomike e gjete 5.5 %, sot e ke 1 %. Borxhin e gjete nën 55 %, sot e ke mbi 62 për qind. Kështu mund të vazhdohet për shifrat e shërbimeve shëndetësore. Këto qytetarët i dinë, nuk mund t’i mashtrosh. Nuk ka politika fiskale, nëse je për të tilla mirato propozimet tona. Ky buxhet nuk bën asnjë përpjekje për të përmirësuar situatën e rrënuar të sistemit energjetik në vend. Ky buxhet nuk e shpëton Shqipërinë nga plehrat, as lan borxhet që ti u ke borxh firmave të ndërtimit. Ky buxhet shkatërron autonominë vendore”, tha Ruçi.