Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, ka lëshuar një sërë kritikash ndaj deputetëve të opozitës. Duke iu referuar raportit të Instituti Demokratik Amerikan, Ruçi u shpreh se konkluzioni i parë i këtij raporti është se ka më shumë baltosje në Kuvend sesa debat.
Pjesë e kritikave ka qenë edhe fakti se deputetët e PD kanë bojkotuar votimin e ligjeve të rëndësishme që prekin direkt jetën e qytetarëve, por edhe fakti se nuk kanë bërë ndonjë interpelancë të qëndrueshme apo mocion mosbesimi, por që kanë hedhur vetëm baltë çdo herë që kanë marrë fjalën.
“Duke ndjekur të gjithë seancat kam medituar me veten duke dëgjuar kolegët dhe kam shtruar pyetjen “mirë këta, po ç’thonë ata që kanë votuar për ne?”, dhe jam mundur që kësaj pyetje t’i jepja përgjigje. Do të isha shumë subjektiv, s’do isha realisht.
Por këtë ditë edhe mazhoranca edhe minoranca kanë në dorë një dokument, një raport nga një fokus-grup që bën çdo vit Instituti Demokratik Amerikan, që ka edhe një rubrikë për Parlamentin. Meraku që kisha, atë që thonë njerëzit për ne, e gjej tek ky fokus-grup. Konkluzioni i parë: Më shumë baltosje sesa debat.
Pjesëmarrësit në fokus-grup shprehin interes të ulët për të ndjekur debatet në Parlament, si pasojë e ndjesisë së zhgënjimit nga politikanët. Ju nuk jeni pjesëmarrës. Keni një vit e gjysmë këtu është vendi i fjalës, askush nga ju, ka gjysmë ore për të folur për komunitetin që përfaqësoni. Asnjë nuk e ka bërë. Shikoni procesverbalet ku flitet për halle të komunitet.
Asnjë projektligj të votuar nga ato që përmenda, si reforma në arsim, e pensioneve, e energjisë. Kush nga ju ka bërë një interpelancë me qeverinë, një mocion me debat me qeverinë, një mocion mosbesimi? Edhe një mocion që bëtë, e firmosët në darkë dhe e mohuat në mëngjes.
Si nuk jeni serioz me veten tuaj. Qytetarët ju kanë votuar që të shohin se ç’alternativë ofroni, jo për sherrxhinj. Prandaj ju lutem shumë, duke marrë shkas nga të gjitha konkluzionet se ç’mendojnë votuesit tanë për ne të zgjedhurit, ka nevojë të reflektojmë të gjithë, duke filluar nga unë”, tha Ruci.
