Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në përpjekje për të treguar se është i paanshëm, ka thirrur në takim krerët e grupeve parlamentare të forcave kryesore në vend, për të diskutuar në lidhje me çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri.
Nishani u ka kërkuar atyre që të specifikojnë kushtet se si duhet të jetë prokurori i ri, ndërsa nuk kanë thënë emra.
Fillimisht në takim ka hyrë kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, që deklaroi pas takimit se ka kërkuar një kryeprokuror me integritet.
Sipas Patozit, demokratët nuk i kanë propozuar kreut të shtetit ndonjë emër konkret për postin e kryeprokurorit të ri të vendit, pasi sipas tyre me rëndësi është që kryeprokurori i ri të ketë integritet moral dhe përvojë në sistemin e drejtësisë. Patozi nënvizoi se për demokratët është thelbësore që kreu i organit të akuzës të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të emërohet brenda nëntorit.
Më pas në takim ka hyrë kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, që tha se ka respektuar ftesën, por shtoi se ata nuk janë dakord me presidentin, pasi mandati i kryeprokurores mbaron në maj të vitit të ardhshëm.
“Ne jemi këtu në respekt të ftesës së presidentit, por ajo që na ndan prerazi në këtë konsultim institucional është pikërisht pikëpamja që ne kemi. Pas një konsulte me konstitucionalistë lidhur me kushtetutshmërinë e mandatit të kryeprokurores dhe amendimet kushtetuese që kanë të bëjnë me mandatin e kufizuar të prokurorit dhe me përvojën ndërkombëtare ku është shprehur edhe ambasadori i OSBE-së, ne mendojmë që mandati i kryeprokurores nuk mbaron në 22 nëntor ku plotësohet edhe afati prej 5 vitesh por në 23 maj të 2013-ës pikërisht në datën që është futur në fuqi ndryshimi kushtetues”, tha Ruçi.
LSI nga ana e saj duket se ndan të njëjtin qëndrim me Partinë Demokratike.
Ndërsa Fryma e Re Demokratike, e anashkaluar sërish nga presidenti nga këto takime, e ka quajtur shkelje ligjore përfundimin e mandatit të Ina Ramës pikërisht në këto momente. Ata thonë se një gjë të tillë e vendos Gjykata Kushtetuese.