Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi do të nis nesër, më datë 6 nëntor një vizitë dy ditore në Kosovë.
Në këtë vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron do të priten në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Pas takimit, dy homologët do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Gjatë kësaj vizite Ruçi do të shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili.
Ruçi do të pritet në disa takime të tjera dypalëshe nga Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.
Pjesë e axhendës së takimeve do të jenë edhe kryetarët e partive opozitare në Kosovë si Visar Ymeri, Kryetar i Partisë Vetëvendosje, dhe Isa Mustafa Kryetar i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ruçi do të zhvillojë homazhe edhe tek varreza e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rrugova dhe në Prekaz tek varri i Komandantit Adem Jashari.
