Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, njëkohësisht deputet i kësaj partie, Saimir Tahiri e ka konsideruar si shembull të papërgjegjshmërisë qeveritare mungesën e ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli në Gjykatën e Tiranës ku është dukë u shqyrtuar kallëzimi i tij ndaj deklaratave të Tahirit.
Sot ishte parashikuar të zhvillohej seanca e radhës në procesin ku Ministri Ruli ka paditur deputetin Tahiri, për shkak të deklaratave të këtij të fundit lidhur me skandalin e shfrytëzimit të kromit në Bulqizë. Deklarata e deputetit socialist janë bërë kohë më parë, kur Ruli mbante detyrën e Ministrisë së Ekonomisë dhe ishte përgjegjësi i drejtpërdrejtë për mënyrën korruptive të shfrytëzimit të rezervave minerare të kromit në Bulqizë, prej së cilës një numër I madh minatorësh kanë humbur jetën.
Në seancën e sotme, ministri Ruli duhej të paraqitej përpara gjykatës për të dhënë shpjegime direkte për një sërë pyetjesh të drejtuara nga deputeti socialist.
“Sot ishte një seancë e veçantë sepse kisha thirrur zotin Ruli të vinte para gjykatës të jepte sqarime në lidhje me një sërë pyetjesh që unë i kam parashtruar edhe në parlament por edhe në gjykatë. Për surprizën time zoti Ruli nuk u paraqit, por shpresoj të paktën të ketë kurajë të vij seancën tjetër. Ajo që mund të them me siguri është fakti se nuk përbën ndonjë habi të madhe për mua, por gjithsesi përbën një shembull sesi funksionon përgjegjësia publike në Shqipëri, ashtu siç funksionon edhe llogaridhënia e qeveritarëve para publikut, para opozitës, para qytetarëve dhe para minatorëve dhe familjeve të tyre në Bulqizës. Unë që kam denoncuar korrupsionin shtetëror në Bulqizë, jam i detyruar dhe vij këtu para gjykatës për të dhënë sqarime. Ata që mbajnë përgjegjësi për humbjen e jetëve të mbi 65 minatorëve në minierën e Bulqizës, për incidente të panumërta, aq sa minatorët kanë filluar ti varrosin dhe natën tashmë, nuk japin më as përgjigje dhe as llogari para qytetarëve dhe para gjykatës”.
Për deputetin socialist ky sigurisht është një shembull i radhës i papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, siç është edhe një shembull i radhës i mungesës tërësore të përgjegjësisë publike përball ligjeve të shtetit, Kushtetutës dhe qytetarëve. “Gjithsesi unë do të vazhdoj këtë proces gjyqësor edhe përballë zotit Ruli edhe përballë gjithë të tjerëve, deri në momentin kur e vërteta për qytetarët e Bulqizës dhe shfrytëzimin barbar të kromit, duke i trajtuar qytetarët e Bulqizës dhe minatorët si skllevër, të dali në dritën e diellit”, e ka përfunduar deklaratën e tij Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri.