Rumania kërkon anije luftarake në Detin e Zi

Saimir Lleshi

Rumania kërkoi një angazhim më të fortë të NATO-s në Evropën Lindore, këtë herë duke propozuar krijimin e një flote të përhershme të aleancës me bazë në Detin e Zi, një lëvizje që synon të balancojë praninë e fortë të Rusisë në rajon dhe që u mikprit si propozim nga analistët në vend.

“NATO duhet të përgatitet për kërcënimet dhe sfidat kurdo që ato shfaqen, përfshirë në krahun e vet lindor. Një flotë e përhershme e NATO-s në Detin e Zi do të kontribuojë në mënyrë vendimtare në këtë drejtim dhe roli i saj duhet të jetë vetëm mbrojtja dhe parandalimi,” tha analisti ushtarak  Constantin Corneanu.

Ministri i Mbrojtjes Mihnea Motoc të dielën deklaroi se Rumania këtë muaj do të ndërmarrë hapat e parë për të negociuar me NATO-n ndërtimin e një flote patrulluese të përhershme në Detin e Zi.

“Mundësia për ndërtimin e një flote të tille mund të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik,” tha Motoc. Ai shtoi se Rumania duhet të jetë gati në atë kohë me një plan dhe propozim të qartë.

Raportet e medias thonë se flota e rregullt mund të përfshijë anije nga vendet e NATO-s që janë me dalje në Detin e Zi, pra Bullgaria, Rumania dhe Turqia, por edhe nga vende si Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjithsesi, sipas Konventës së Montrosë të vitit 1936, anijet e luftës të vendeve që nuk kanë dalje në Detin e Zi janë të ndaluara të qëndrojnë në këtë det për më shumë se 21 ditë.

Rumania përballet me sfida të tjera në sigurimin e angazhimit detar të NATO-s në rajon, thonë analistët.

“Bukureshtit i duhet të bindë aleatët e vet se një angazhim i tillë nuk është tepër i kushtueshëm dhe se flota mund të jetë e vlefshme në kuptimin e kërcënimeve të tjera të sigurisë, të tilla si terrorizmi dhe kiberterrorizmi. Dhe, në fund, kjo lëvizje nuk duhet të shkaktojë telashe ndërkombëtare, veçanërisht me Rusinë,” komentoi analisti politik Andrei Tarnea për radion RFI të hënën. “Kjo nuk do të jetë punë e lehtë,” shtoi ai.

Të shqetësuar nga konflikti në Ukrainën lindore dhe nga aneksimi i Krimesë nga Rusia, rumunët dhe disa vende të tjera ish-komuniste si Polonia dhe shtetet Balltike, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur vendosjen në mënyrë të përhershme të trupave të NATO-s në territoret e tyre.

Gjithsesi, Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s janë shqetësuar se lëvizje të tilla mund të sjellin përgjigje të ashpër nga Rusia dhe kanë refuzuar thirrjet duke zgjedhur në vend të tyre të shtojnë numrin e stërvitjeve të përbashkëta dhe të bëjnë rotacion të trupave të aleancës nëpër rajon.

Për rrjedhojë, NATO vitin e kaluar shtoi prezencën e vet në rajonin e Detit të Zi duke dërguar një flotë të vogël për të trajnuar marinat ushtarake të Rumanisë, Bullgarisë dhe Turqisë.

Bukureshti e ka rritur ndjeshëm buxhetin e vet të mbrojtjes këtë vit me para të planifikuara për t’u shpenzuar në modernizimin e anijes së saj, përfshirë fregatat Mbreti Ferdinant dhe Mbretëresha Maria.

Rumania është një nga mbështetëset më të mëdha të Aleancave mes ish-vendeve komuniste në Europën Lindore.

Në dhjetor, Marina e SHBA-së inauguroi formalisht bazën e saj të re të mbrojtjes raketore në Deveselu, në jug të Rumanisë.

Kjo është një nga dy bazat europiane të sistemit sinjalizues të mbrojtjes raketore të NATO-s, skemë e cila shihet me dyshime të thella nga Rusia.

Ajo do të jetë e para që do të mbajë sistemin antibalistik Aegis, një version me bazë në tokë i sistemit të radarëve që është instaluar në anijet amerikane të luftës që nga viti 2004. Baza do të mbajë 200 deri në 500 ushtarakë dhe civilë amerikanë.

Rusia ka paralajmëruar gjithsesi Rumaninë të heqë dotë nga vendosja e sistemit antiraketor amerikan në Deveselu.

Marrëdhëniet mes Bukureshtit dhe Moskës janë aktualisht të vështira. Rumania ka qenë mes mbështetësve të më fortë të rajonit të paketës së sanksioneve perëndimore të vendosura kundër Rusisë në lidhje me krizën në Ukrainën lindore dhe Krime.

Moska kundërshton çdo fuqizim të pranisë ushtarake të NATO-s në lindje duke e parë atë si kërcënim ndaj sigurisë së Rusisë.

Rumania ka gjithashtu edhe një bazë tjetër të madhe amerikane në aeroportin Mihail Kogalniceanu pranë Detit të Zi, e cila u bë operacionale në vitin 2007. /BIRN

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *