Rumania nis hetimet për dhunën e policisë ndaj protestuesve

Dita

Rumania ka nisur hetimet ndaj dhunës së ushtruar nga policia në protestat e javës së kaluar.

Rreth 80 mijë rumunë, shumica e të cilëve jetojnë jashtë vendit, demonstruan mbrëmjen e së premtes në Bukuresht, duke kërkuar që qeveria të japë dorëheqjen.

Policia përdori ndaj tyre ujin me presion, gazin lotsjellës, shkopinjtë e gomës e mjete të tjera. Më shumë se 450 persona u plagosën, duke u përfshirë këtu edhe 30 policë.

Në ditët që pasuan, u zhvilluan protesta më të vogla në numër, por pa incidente të dhunshme.

Prokurori Ionel Corbu deklaroi se “ deri tani kemi marrë rreth 30 ankesa dhe kolegët e mi po intervistojnë ata që u plagosën”. Ai shtoi se “të gjithë ata që dyshohet se kanë vepruar kundër ligjit” do të merren në pyetje.

Prokurorët do të analizojnë gjithashtu edhe pamjet filmike të regjistruara nga forcat e sigurisë, shtypi apo demonstruesit.

Autoritetet policore thanë se forcat e rendit u përgjigjën në mënyrë “proporcionale” ndaj dhunës. Sipas tyre, dhuna u ushtrua fillimisht nga dhjetëra huliganë futbolli, të cilët u përpoqën të thyenin kordonin e policisë duke hedhur mjete të forta.

Kritiku i qeverisë, udhëheqësi i qendrës së djathtë Klaus Iohannis e dënoi ndërhyrjen e policisë. Ai tha se ishte përdorur forcë e tepruar, në ndryshim nga sjellja e shumicës së demonstruesve, dhe e akuzoi qeverinë për “krijim të kaosit dhe trazirave”.

Në Rumani janë zhvilluar gjithnjë protesta, por rastet e dhunës kanë qenë të rralla.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *