Rusët bëjnë “ligjin” në Euroligë

Dita

Show i skuadrave ruse në Euroleaguen e basketbollit. Cska e Moskës vijoi ecurinë pozitive pasi mundi me rezultatin 93-87 italianët e Dynamo Sassarit, duke marrë sërish kryesimin në grupin D. Në kryeqytetin rus, skuadra e drejtuar nga trajneri grek Itoudis iu fal paraqitjes së yllit të saj Milos Teodosic për të regjistruar fitoren e 6-t në grup.

Basketbollisti serb koleksionoi në total 21 pikë 3 asiste dhe 2 rebound, ndërsa Dynamos së Sassarit për të evituar disfatën nuk i mjaftuan 21 pikët e Logan. Në ndeshjen tjetër të grupit D, arriti një fitore shumë të rëndësishme skuadra gjermane e Brose Baskets.Këta të fundit kaluan në transfertë me shifrat 65-54 turqit e Darrusafakas. Shkëlqeu edhe një tjetër skuadër ruse, pikërisht Lokomotiv Kuban që mundi në shtëpi Zalgiris Kaunas me rezultatin e thellë 80-50.

Falë kësaj fitoreje Lokomotiv Kuban iu bashkangjit Barcelonës në vendin e parë të grupit C, por janë katalanasit ata që kryesojnë falë pikavarazhit më të mirë. U rikthye te suksesi edhe Panathinaikos që triumfoi me shifrat 69-66 në transfertën e Turqisë përballë Pinar Karsyiakas. Në grupin A ndërkohë vazhdon të zhgënjejë Reali i Madridit.

Kampionët në fuqi të Euroleagues pësuan humbjen e tretë radhazi, pasi u mposhtën në Serbi nga Crvena Zvezda dhe tashmë rrezikojnë seriozisht eliminimin. 94-88 ishte rezultati i sfidës në favor të vendasve që iu falën paraqitjes së mirë të gjermanit Zirbes i cili e mbylli ndeshjen me 26 pikë në total.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *