Rusia dhe Japonia akuzojnë njëra-tjetrën për përgatitje luftarake

Edona Llukacaj

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Rusisë dhe Japonisë u takuan të enjten në Tokio.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Rusia ishte e shqetësuar për planin e Tokios për të ndërtuar sistemin e mbrojtjes raketore “Aegis Ashore”, duke nënvizuar se ky veprim paraqet një “kërcënim potencial ndaj Rusisë”.

Ministri japonez i mbrojtjes Takeshi Iwaya i mohoi këto akuza duke theksuar se Aegis Ashore janë “për qëllime mbrojtjeje dhe kurrë për të kërcënuar Rusinë apo vende të tjera ”.

Aegis Ashore, planifikuar për tu vendosur në bregun verior si dhe në jugperëndim të Japonisë, janë pjesë e sistemit të mbrojtjes raketore që po zhvillohet me shpejtësi në Japoni, për të rritur aftësinë e saj për të luftuar kërcënimet potenciale nga Koreja e Veriut dhe Kina.  Për këtë, Japonia vazhdon të zgjerojë bashkëpunimin e saj ushtarak me SHBA-në.  Në fakt, qeveria e kryeministrit Shinzo Abe po planifikon të blejë pajisje ushtarake amerikane, përfshi avionët luftarakë F-35 dhe raketat e lundrimit.

Nga ana tjetër,  ministri i jashtëm japonez Taro Kono akuzoi Rusinë për një strukturim ushtarak në ishujt e kontrolluar nga Rusia, por që Japonia pretendon, gjithashtu, se i përkasin. Mosmarrëveshja mbi ishujt, të cilën Rusia e quan Kurilen Jugore ndërsa Japonia Territoret e Veriut, i ka penguar këto dy shtete të nënshkruajnë traktatin e paqes për përfundimin zyrtarë të Luftës së Dytë Botërore.

“Pozicioni ligjor i vendit tonë nuk pranon stërvitjet raketore, vendosjen e avionëve luftarakë dhe rritjen e pranisë ushtarake në Territoret e Veriut”, tha Kono.

Lavrov i hodhi poshtë kritikat e Kono, duke thënë se vendi i tij vepron vetëm në territorin e vet. “Sipas ligjit ndërkombëtar, territori është nën sovranitetin e Rusisë dhe ato janë aktivitete ushtarake ruse në territorin rus,” tha ai.

Duhet theksuar se rifitimi i ishujve të shumë diskutuar, që janë në veri të ishullit kryesor Hokkaido në veri të Japonisë, ka qenë një përparësi për kryeministrin japonez Abe dhe bazën e tij konservatore. Abe është, gjthashtu, i etur për të përfunduar mosmarrëveshjen me Rusinë dhe për të gjetur mundësi për bashkëpunim me të në lidhje me naftën, gazin dhe burimet e tjera natyrore.

Kryeministri japonez Abe dhe presidenti rus Putin parimisht kanë rënë dakord për të përshpejtuar negociatat për ishujt në bazën të një propozimi sovjetik të 1956-ës për kthimin e dy ishujve në Japoni, por deri tani asgjë nuk ka marrë udhë, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *