Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, në këtë bisedë ekskluzive për gazetën DITA, tregon se aktualisht jemi më pak të rrezikuar ndaj vendeve jo miqësore. “Dikur, për ne gjithë bota ishte jo miqësore, bile armike, dhe kësaj teze i jepej shumë rëndësi, natyrisht për konsum të brendshëm, dhe ne mburreshim që “në gojë të ujkut hidhnim valle”, shprehet Klosi, ndërsa shton se kjo nuk duhet të na bëjë të ulim vigjilencën. Ja ku rrezikohemi më shumë dhe cili duhet të jetë prioritet i Shërbimit tonë Informativ…
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Zoti Klosi, Helidon Bendo, kreu aktual i Sherbimit Informativ, ka dhënë alarmin se shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore me Shqipërinë veprojnë në vendin tonë me synim destabilizimin e Shqipërisë dhe te rajonit. Duket se është nje çështje alarmante. Sa e vërtetë është kjo sipas jush?
– Vendet jomiqësore, gjithmonë, nëpërmjet agjenturave të tyre në Shqipëri janë përpjekur për destabilizimin e vendit, se sigurisht një vend i destabilizuar bie më kollaj pre e interesave të tyre. Dikur, për ne gjithë bota ishte jo miqësore, bile armike, dhe kësaj teze i jepej shumë rëndësi, natyrisht për konsum të brendshëm, dhe ne mburreshim që “në gojë të ujkut hidhnim valle”.
Sigurisht, situata lidhur me vendet jomiqësore ka ndryshuar shumë. Sot, me shumicën dërrmuese të vendeve të rajonit dhe Europës ne kemi marrëdhënie miqësore, jemi të lidhur në një Aleancë politiko-ushtarake të fuqishme si NATO-ja, po përpiqemi të lidhemi dhe në një Aleancë politiko-ekonomike, ndaj dhe vendet jo miqësore janë reduktuar në shumë pak vende, që ndodhen gjithmonë e më “larg” nesh. Prandaj them se nuk është e drejtë, ta quajmë situatën “alarmante”.
E kjo, nuk do të thotë së Shërbimi ynë informativ nuk ka punë në këtë aspekt.
Rusia gjithmonë ka patur dhe ka interesa në rajon, dhe siç e thashë me lart, puna për destabilizimin e rajonit, është një nga rrugët drejt realizimit të interesave të saj. Edhe Serbia mbetet akoma aleate e saj historike, është akoma e pavendosur në rrugën që ka nisur drejt perëndimit.
Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj aktiviteteve të fshehta të këtyre vendeve në rajon, të bashkëpunojmë ngushtë me shërbimet partnere, që me punë të përbashkët, të mos u lëmë asnjë hapësirë aktiviteteve të tyre ilegale.
– Në dijeninë tuaj, a ka patur ndërhyrje në punët tona të brendshme sidomos pas vitit ’90?
– Sigurisht që ka patur përpjekje, që i kemi njohur, por dhe që nuk kemi arritur t’i njohim. Sot natyra e ndërhyrjeve në punët tona të brendshme po ndryshon me shpejtësi, nuk bëhet më fjalë për “zbulime sekretesh”, Shqipëria është bërë shumë e hapur me botën. Sot vendet ekonomikisht të fuqishëm, për t’u futur në rajon, ofrojnë projekte zhvillimi, investime joshëse etj., por vlerësimi i tyre, në aspektin ndërhyrës tek ne, është më shumë në dorë të politikës se sa të Shërbimit.
– Përveç bashkëpunimit që është normal në shërbimet sekrete si edhe në fusha të tjera, ku mendoni se është e rrezikshme ndërhyrja e vendeve te tjera?
– Më të vështira për të zbuluar qëllimet e vërteta pra dhe më të rrezikshme janë sot në rajon investimet e mëdha kineze dhe blerjet e pronave të patundshme nga oligarkët rusë.
– Aktualisht, cilat mendoni se janë prioritetet e këtij shërbimi inteligjent që ne kemi?
– Prioritete të Shërbimi mbeten bashkëpunimi me shërbimet partnerë në luftën me terrorizmin, me krimin e organizuar, kryesisht në trafiqet ndërkombëtarë, dhe në sqarimin e qëllimeve të vendeve jomiqësorë në rajon.