Duke përfituar nga udhëtimi i tij në Iran për të marrë pjesë në Forumin e Tretë të Vendeve Eksportuese të Gazit (GECF) presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë publik një dekret përmes të cilit Moska heq embargon e eksportit të materialeve dhe teknologjisë nukleare të Republikës Islamike. Masa që i jep fund një embargoje të zgjatur kundër Iranit si pasojë e konfliktit bërthamor me Perëndimin i jep autorizimin institucioneve publike, bankave dhe kompanive ruse të furnizojnë Iranin me mallrat dhe pajisjet e nevojshme për pasurimin e uraniumit.
Plani Integral i Veprimit të Përbashkët (JPOA) i aprovuar 14 korrikun e shkuar mes Iranit dhe G5+1 (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Rusi, Kinë, Francë dhe Gjermani) përcakton se Republika Islamike nuk mund të pasurojë uraniumin me një përqendrim më të madh se 3.67%. Uraniumi i zbërthyeshëm i pasuruar mbi 85% mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.
Edhe pse Irani gjithmonë e ka mohuar se pretendon të fabrikojë bomba, marrëveshja historike detyron Teheranin të reduktojë në mënyrë drastike përgjatë 15 viteve të ardhshme rezervat e uraniumit deri në 300 kg, në mënyrë që në rast se Teherani pretendon të fabrikojë armë atomike do të ketë nevojë të paktën për në vit për t’ia arritur. Teprica e uraniumit të pasuruar do të eksportohet dhe ruhet në Rusi, një proces që do të fillojë në 2016-ën.
Masa e njoftuar dje nga Kremlini do të lehtësojë këtë dërgim të uraniumit të pasuruar nga Irani në Rusi duke qenë se procesi i ruajtjes dhe eksportimit të materialit kimik kërkon një teknologji të cilën Irani nuk e disponon për shkak të sanksioneve. Heqja e embargos nga ana e Rusisë do të ndihmojë për më tepër Republikën Islamike të modernizojë dhe modifikojë fabrikën nukleare të Fordos- marrëveshja përcakton se duhet të shndërrohet në një qendër hetimi me qëllime civile.
Një raport i transmetuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (AIEA) për mediat në muajin nëntor zbuloi se vetëm në një muaj Irani ka çaktivizuar një të katërtën e rreth 4500 centrifugave të pasurimit të uraniumit që posedon vendi. Para nënshkrimit të marrëveshjes, Republika Islamike posedonte rreth 19000 centrifuga, edhe pse vetëm 10000 vazhdonin të ishin në funksion në muajt e fundit. /DITA
