Rusia i ndaloi transmetimet në Rusi të transmetuesit ndërkombëtar gjerman Deutsche Welle-s. Ky hap është reagim ndaj ndalimit të programit gjermanisht të transmetuesit shtetëror rus RT DE.
Ministria e Jashtme ruse urdhëroi veç kësaj mbylljen e zyrës së korrespondentëve të DW në Moskë dhe u hoqi akreditimin gazetarëve të DW. Në bazë të urdhëresës, ndalohet përhapja e programit në gjuhën ruse të Deutsche Welle-s përmes satelitit dhe në të gjitha rrugët e tjera të transmetimit. Veç kësaj, do të nisë një proces për ta shpallur Deutsche Welle-n “agjent të huaj”.
Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limbourg u shpreh:
“Masat e marra nga autoritetet ruse nuk janë aspak të kuptueshme dhe përbëjnë një reagim plotësisht të tepruar. Këtu na bëjnë peng në një mënyrë që mediat e përjetojnë vetëm në autokraci. Ne protestojmë energjikisht kundër këtij reagimi absurd të qeverisë ruse dhe do të përdorim kanalet ligjore për të kundërshtuar masat e shpallura. Derisa këto masa të na njoftohen zyrtarisht, ne do të vazhdojmë të përcjellim lajme nga zyra jonë në Moskë. Edhe nëse në fund do të detyrohemi ta mbyllim (zyrën), kjo nuk do të ndikonte në raportimin tonë për Rusinë. Përkundrazi, ne do të forconim ndjeshëm raportimin tonë”.
a.m/dita
