Rusia në gjendje lufte me NATO-n (III)

Ornela

Shaqir Vukaj*

(Vijon nga numri i kaluar – Kliko KETU)

26.03.1999

U bënë tri ditë nga dita e fillimit të bombardimeve. Edhe sot të gjitha gazetat, stacionet e shumta të radiove e kanaleve televizive ruse, vendin kryesor ia kushtojnë Jugosllavisë ose, më saktë, Serbisë. Flitet e shkruhet gjithçka për të. E asnjë fjalë për Kosovën e fatin e shqiptarëve. Nga agjenci të huaja marrim vesh se ç’po bëjnë serbet në Kosovë kundër shqiptarëve. Rusia hesht. Në njoftimet që jepen për rezultatet e bombardimeve (për të cilat, për çudinë tonë dhe të shumë të tjerëve, ato i bën publike Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kvashnjin), thotë se NATO po bombardon me shumicë objekte civile, nga të cilat janë vrarë 20 vetë dhe janë plagosur 200 të tjerë…

Edhe sot vazhduan deklaratat e intervistat e politikanëve të lartë rusë, nga të cilat më tërhoqën vëmendjen ato të kryetarit të PKR, G. Zjuganov, Kryetarit të Këshillit të Federatës Ruse (Dhoma e dytë e Parlamentit) J. Strojev, Kryetarit të Bashkisë së Moskës dhe, njëkohësisht, Kryetar i Lëvizjes “Atdheu”, Llushkov, dhe, sigurisht, të ministrit të jashtëm, Ivanov.

  1. Zjuganov, ndërmjet tjerave, tha se: “Vendimi i marrë nga SHBA dhe NATO për të bombarduar Jugosllavinë, në fakt i fshin të gjitha arritjet e fundit në fushën e sigurimit të paqes në botë. Kjo do të thotë paralizim i OKB-së dhe përvetësim nga Amerika i të drejtës për të ndëshkuar kë t’i shkrepet asaj. Rusia duhet t’i përgjigjet agresionit të Perëndimit në mënyrë serioze. Në këtë situatë, ajo mund ta konsiderojë veten të çliruar nga respektimi i embargos ndërkombëtare dhe menjëherë, duhet të ndihmojë serbët me teknikë moderne. Në situatën e krijuar, mendoj se nuk ka kurrfarë perspektive për ratifikimin nga Duma të Traktatit SALT-2”
  2. Strojev tha se “Rusia ka mjaft mundësi diplomatike dhe ekonomike për të mbështetur Jugosllavinë dhe për të ndikuar në situatën e krijuar. Rusia është një vend i arsyeshëm dhe ajo nuk ka ndërmend t’i drejtojë askujt raketat. Nuk bën që një çmendurie t’i përgjigjesh me çmenduri. Të vetmet masa adekuate të Rusisë mund të jenë përpjekjet që duhen bërë për ndërprerjen e luftimeve në Jugosllavi. Ne duhet të ecim në rrugën e bisedimeve. Këshilli i Federatës po përgatit një thirje drejtuar vendeve të Bashkësisë së Vendeve të Pavarura për të mbështetur qëndrimin e Rusisë”
  3. Llushkov, tha se “Primakovi e anulloi vizitën e tij në SHBA, mbasi nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveç veprimeve të tilla. Krijohet një vlerësim i dyfishtë ndaj vendimit të Primakovit. Ndoshta nuk ia vlente të ndërpritej vizita në SHBA dhe të filloheshin bisedimet me kreun e FMN-së për të diskutuar mundësinë e marrjes së kredive. Kurse vizitën mund ta ndërpriste edhe mbas ndërmarrjes së veprimeve ushtarake të NATO-s në Kosovë”.

Përsëri sot kanë vazhduar protestat antiamerikane e anti-NATO në të gjithë Rusinë. Vazhdon regjistrimi i vullnetarëve për të shkuar në Jugosllavi. Në lajme të kanaleve të ndryshme televizive thuhet se numri i vullnetarëve rritet çdo orë. Jepen pamje direkte nga sheshet kryesore të qyteteve të ndryshme ku njerëzit shihen në radhë duke u regjistruar.

Histeri lufte nga lart e nga poshtë. Duket nxisin njëri – tjetrin. Por, në qoftë se  poshtë përhapet e merr rrugët, siç po ngjet këto dy-ti ditë, zor se mund  të ndalet. Për më tepër disa atje lart, në pushtet, veçanërisht ushtarakët, po e nxisin me qëndrimet e deklarimet e tyre….Po vazhdoi kështu, do të jetë vështirë për Jelcinin e grupin e tij që t’i ndalojnë. Mund të kthehen kundër tij e situata të dalë jashtë kontrollit. Jashtë kontrollit është një fjalë goje, por këtu është Rusi…ku armatimet nuk numërohen e nuk peshohen. E ato nuk janë të çfarëdoshme. Fillojnë nga më të thjeshtat e deri tek ato bërthamore.  Vetëm për kokat bërthamore thuhet se janë mbi tridhjetë mijë, para të cilave planeti ynë s’është asgjë, madje disa dhjetëra planete si i yni mund të kthehen ne pluhur e hi brenda pak minutash….Përmenda kokat bërthamore se para dy ditësh ministri i jashtëm, Ivanov, bëri thirrje për rivendosjen e raketave bërthamore në Bjellorusi.

Sot më bënë  përshtypje të veçantë lajmet mbi qëndrimet e disa prej ish -republikave të ish – B.Sovjetik. Po i përmend ashtu siç u thanë:

Letoni – Presidenti Ulmanis u tha gazetarëve se në situatën e krijuar nuk kishte rrugë tjetër. Ministri i jashtëm, Birkavs, shpreson që mbështetja e veprimeve luftarake që po i bën Letonia NATO-s, nuk do të prishë marrëdhëniet me Moskën.

Estoni – Kandidati për ministër i punëve të jashtme të Estonisë, Ilves, e cilëson veprimin e NATO-s si të shumëpritur.

Gjeorgji – Shefi i këshilltarëve të presidentit Shevranadze thekson se koncepti i ri i NATO-s që presupozon përdorimin e forcës për qëllime humanitare pa mandatin e KS të OKB-së mund të bëhet një mjet efektiv për rregullimin e konflikteve të tjera në Abhazi, Nagorni Karabak, Pridnjestrovje.

Azerbaixhan – Presidenti Gajdar Alijev deklaroi se Bakuja do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e shumta që ka për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ushtarak me SHBA – në dhe NATO – n

Ukrainë – Deputetët e Verhovnaja Rada (Parlamenti i Ukrainës) votuan dje për heqjen e statusit të vendit pa armë bërthamore, kurse presidenti Kuçma u distancua nga ky veprim propagandistik i Parlamentit dhe deklaroi se ky veprim hyn në kompetencat e presidentit.

Kazakistan – Atje kanë filluar të dëgjohen zëra për të dalë nga statusi i vendit pa armë bërthamore.

Bjellorusi – Ajo mbështet plotësisht qëndrimin e Rusisë ndaj goditjeve të NATO-s. Presidenti Llukashenko, duke shfrytëzuar këtë rast, kërkoi dislokimin në Bjellorusi të armëve bërthamore.

Propozimet e shumta  që kemi dëgjuar këto ditë për të ndërprerë marrëdhëniet me NATO-n po bëhen realitet. Politikanët e lartë rusë, me sa duket, e kanë humbur dhe nuk dinë ç’bëjnë. Sot mbas dreke u përzu nga Moska përfaqësuesi i NATO-s në Rusi, Shahtantinski. Në të vërtetë ai ishte një diplomat i atashuar pranë Ambasadës Franceze, si përfaqësues i NATO-s pa ndonjë kompetencë të veçantë.

Isha njohur me të në një tryezë të rrumbullakët, organizuar nga Universiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare për problemin e Kosovës, para fillimit të bombardimeve kundër Jugosllavisë, ku ai me logjikë e argumente mbrojti shqiptarët e Kosovës.  Ishte një djalë i hijshëm e tepër simpatik. Me një rusishte të shkëlqyer. E kisha takuar edhe herë të tjera në pritje të ndryshme. E gjeti dhe Moska kë të përziejë. Sikur ai ishte e keqja e Rusisë.

Në një deklaratë që u transmetua sonte vonë, ministri i Punëve të Jashtme Ivanov u shpreh kështu “Iu propozua Shahtantinskit të kthehet në atdhe” dhe shtoi se “Rusia nuk do të mbajë asnjë kontakt me NATO-n deri sa të vazhdojnë bombardimet në Jugosllavi”.

Moska nuk u mjaftua me kaq. Ajo paralajmëroi të gjithë grupin e ndërlidhjes të NATO-s që operon në Rusi, që brenda 48 orësh të largohet prej këtu. U thirrën në Moskë  të gjithë ushtarakët rusë, që, në kuadrin e bashkëpunimit me NATO – n, apo në përgjithësi me vendet perëndimore, ndodheshin në këto vende. U kufizua në minimum lëvizja nepër Rusi e atasheve ushtarakë të akredituar në Moskë.

Rusia sikur po vihet në gjendje lufte me NATO-n…

27.03.1998

Përsëri një ditë e tensionuar. Në lajmet e mëngjesit nuk ka ndonjë gjë të re. Përsëriten ato që janë thënë mbrëmë. Ndërsa shtypi boton lajme tronditëse. Gazeta e sotme “Sevodnja” boton lajmin se në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, ekspertët ushtarakë po rakordojnë detajet teknike të dislokimit në Bjellorusi të një pjese të bombarduesve strategjikë rusë, të aftë që të godasin me raketa  me krahë si bombarduesit amerikanë B-52.

Moska zyrtare që në prag të fillimit të bombardimeve ishte aq entuziaste për aftësitë luftarake të ushtrisë jugosllave e, veçanërisht, të mbrojtjes së saj kundërajrore, shpreh habi për pasivitetin e komplekseve mbrojtëse kundërajrore të Jugosllavisë, të cilat nuk po kundërpërgjigjen si pritej dhe siç ishin reklamuar. Burime ushtarake ruse thonë se edhe në NATO çuditen me këtë pasivitet. Ndoshta, thonë disa specialistë rusë, serbët duan të mbajnë të fshehte e të mos dekonspirojnë radarët e komplekset mbrojtëse kundërajrore, mbasi, si shprehen këtu,  “ata po përgatiten për luftë të gjatë”.

Edhe sot politikanë të niveleve të ndryshme vazhduan deklarimet e tyre. Me ndonjë përjashtim të rrallë, ata flasin të gjithë njëlloj. Dje kryetari i Dumës Shtetërore Seleznjov, i ndodhur për vizitë në Kube i ka bërë të ditur Fidel Kastros se që nga dita e djeshme, Moska nuk e konsideron veten të lidhur me embargon e OKB-së për furnizimin me armë për Jugosllavinë.

Të jetë kështu! Deri tani në Moskë nuk është folur për  një gjë të  tillë.

Kryetari komunist Zjuganov, përsëriti thirrjen për daljen e Rusisë nga regjimi i sanksioneve ndaj Jugosllavisë. Ministri i jashtëm Ivanov foli turbullt për këtë problem. Ndërmjet tjerave ai tha se:”Rusia nuk do të dalë nga ky regjim, por në qoftë se goditjet vazhdojnë, atëherë, anëtarët e OKB-së kanë të drejtë të ndihmojnë Jugosllavinë”.  Gjuhë e pakuptueshme, sigurisht e përdorur me qëllim….

Sot u deklarua se nuk ka divergjenca për qëndrimet ndaj ngjarjeve në Jugosllavi midis Kremlinit, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ato, të gjitha njëlloj, sulmet ajrore të NATO-s i konsiderojnë si agresion kundër një shteti të pavarur, shkelje e rëndë e Aktit Themelor Rusi – NATO, shkelje e parimeve të OKB-së dhe OSBE-së, përpjekje për t’i imponuar botës diktatin amerikan.

Megjithëse këto jepen për konsum të brendshëm, njerëzit nuk besojnë. Realisht ka qëndrime të ndryshme, qoftë brenda vetë Qeverisë, pra midis ministrive të ndryshme, qoftë midis Qeverisë e Kremlinit e, veçanërisht Dumës Shtetërore.  Deklarata të tilla e kanë një qëllim…..

Duke parë e analizuar me kujdes qëndrimet e shprehura, shihet se një pjesë e Qeverisë me kryeministrin Primakov në krye, janë për qëndrime më të ashpra ndaj NATO-s e Perëndimit, në ndryshim me presidentin Jelcin, i cili, pavarësisht nga tonet e larta që përdor, është për një qëndrim më të zbutur. Sigurisht brenda caqeve të politikës tradicionale ruse në mbrojtje të serbëve.

Nga një intervistë që dha ministri i jashtëm Ivanov, ndërmjet tjerave, tërheqin vëmendjen :

– Në Rambuje nuk u arrit nënshkrimi i Projekt-marrëveshjes politike dhe fajtorë ishin shqiptarët.

– Në Paris Marrëveshjes Politike iu ngjiten dy shtojca: një ushtarake dhe një tjetër policore, të përgatitura nga NATO e për të cilat Grupi i Kontaktit nuk ka patur kurrfarë lidhjeje.

– Serbët dhe shqiptarët duhet të gjejnë vetë zgjidhjen e pranuar për të dy palët. Por, ata shqiptarë që morën pjesë në Rambuje , “ kanë avulluar”.

– Ata që kanë marrë drejtpërsëdrejti vendimin për fillimin e agresionit duhet të gjykohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Siç pritej, sot u zhvillua një seancë e posaçme e Dumës Shtetërore kushtuar “Fillimit të luftës në Ballkan”, siç u emërtua kjo seancë. Ajo u transmetua e plotë nga  të gjitha kanalet televizive ruse. Në të morën pjesë 392 deputetë nga 340 – 350 vetë qe marrin pjesë zakonisht, pra ajo ishte vlerësuar shumë nga të gjitha partitë e lëvizjet që përfaqësohen në Dumë.

Që në hapje, tonet ishin tepër të larta. Fillimisht foli Ministri i Jashtëm, që ishte thirur për të raportuar për zhvillimet në Jugosllavi e qendrimin e Rusisë. Që në fillim ai u ndal në problemin e Kosovës, madje si shkak të fillimit të konfliktit atje, ai përmendi heqjen e autonomisë së Krahinës në vitin 1989. Më poshtë, duke folur për përbërjen etnike të Kosovës, ai tha se aty jetojnë rreth 60 përqind shqiptarë. (Eshtë e para herë që një politikan rus, për më tepër një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme, kopjon dhe  përsërit atë shifër që përmendi para pak ditësh ambasadori jugosllav këtu.. Në të gjitha materialet e botuara në Rusi, që me  fillimin e krizës në Kosovë është thënë e shkruar se   aty rreth  90 përqind e popullsisë janë shqiptarë. Një fakt të tillë e kanë pohuar edhe më proserbët e më antishqiptarët). Më poshtë Ivanovi, ndërmjet tjerave, tha:

– Jugosllavia ka qenë dhe është dakord për zgjidhjen e problemeve,  nëpërmjet bisedimeve. Delegacioni jugosllav ka bërë gabim që nuk ka nënshkruar marrëveshjen në Rambuje, sepse po ta kishte nënshkruar, ngjarjet mund të kishin marrë drejtim tjetër. Shqiptarët, duke u mbështetur, në radhë të parë nga amerikanët, e nënshkruan marrëveshjen në paketë, bashkë me shtojcat ushtarake dhe policore, të përgatitura pa dijeninë e Rusisë…

Strategjia e Rusisë në Ballkan synon kthimin e  Ballkanit në zonë paqeje e mirëkuptimi….”

Nga pyetjet, që u bënë dukej qartë se një pjesë e deputetëve ishte e pakënaqur nga përgjigjet e ministrit e,  kryesorja, nga qëndrimi i Rusisë.

Edhe në përgjigje të pyetjeve, Ivanovi ruajti të njëjtën linjë, si në fjalimin që mbajti, madje duke përsëritur të njëjtat teza, por me fjalë të tjera. Ajo që nuk kënaqi shumë deputetë ishte konkluzioni.  “Në asnjë mënyrë ne nuk duhet të biem në konfrontime, për më tepër të futemi në ndonjë lloj aventure ushtarake. Për këto ne kemi qëndrimin e prerë të Presidentit të Rusisë”.

Dihej që më përpara se shumica e deputetëve nuk do të ishin të kënaqur me ato që do të thoshte Ivanovi. Këta ultrapatriotë gjoja në emër të patriotizmit e të dashurisë për atdheun e tyre, janë gati ta fusin Rusinë në aventura  e deri në konfrontime ushtarake me NATO-n e SHBA. Ata  ishin përgatitur të flisnin me një gjuhë, sikur Rusia ishte në rrezik e duhej përgatitur për luftë. Për më tepër që kjo seancë  transmetohej direkt, pra njerëzit i dëgjonin e i shikonin këta farë trimash.

Ishte një  rast mjaft i mirë për të bërë fushatë në prag zgjedhjesh. Dhe në Rusi bën kollaj fushatë me antiamerikanizëm, antiperëndim, antiNATO e shumë anti të tjera me të cilat populli rus është edukuar  në vite e vite…

Ndër të parët e mori fjalën kryetari i PKR, Zjuganov. Mbasi sulmoi ashpër amerikanët të cilët, sipas tij, po ecin në rrugën e “Hitlerianëve”, iu kthye NATO-s e cila, sipas tij, po kryente veprime “fashiste”. Në fund sulmoi udhëheqësit e Rusisë , të cilët  “janë fajtorët kryesorë për atë që po ndodh në Ballkan”

Si gjithmonë, me një ton emocional foli kryetari i PLB, Zhirinovski, i cili sulmoi djathtas e majtas (shumë njerëz në Rusi e jashtë saj, Zhirinovskin e quajnë si një njeri jonormal, sharlatan etj. Por, në fakt, ai nuk është i tillë. Ai e luan shumë bukur këtë rol, i cili i pëlqen dhe i intereson disa qarqeve të caktuara në Rusi e, pse jo, edhe jashtë saj.). Ai, mbasi sulmoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, e cila, sipas tij, kishte penguar furnizimin me armë të ushtrisë jugosllave, bëri thirje të dilet nga sanksionet e vendosura, jo vetëm ndaj Jugosllavisë, por edhe ndaj Irakut, Libisë, Iranit, Koresë së Veriut, Sudanit e Kubës.

Në këtë frymë folën edhe shumë deputetë të tjerë. Pati edhe ndonjë (tepër pak) që foli realisht e pa pasione. Megjithatë duhet thënë se të gjithë ishin të një mendimi “për agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë”, çka u duk qartë në dy dokumentat që aprovoi Duma, lidhur me  “Vendimin e Dumës Shtetërore për Deklaratën lidhur me Agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë”. Pro këtij dokumenti të turpshëm votuan 365 deputetë, 4 deputetë votuan kundër dhe 2 deputetë abstenuan. 27 deputetë nuk morën pjesë në votim.

Shifrat flasin vetë e nuk kanë nevojë për komente.

Vendimi ndërmjet të tjerash, përmban:

-Të aprovohet Deklarata e Dumës Shtetërore e Federatës Ruse lidhur me agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë.

-Të ndërpriten marrëdhëniet midis Dumës Shtetërore dhe NATO-s

Në deklaratën e Dumes thuhet:

“Me 24 mars 1999 NATO ka filluar sulmet me raketa e bomba kundër një shteti të pavarur, RF të Jugosllavisë. Përderisa shkak i bombardimeve u bënë tentativat e Jugosllavisë për t’iu kundërvënie separatizmit të armatosur agresiv, brenda territorit të tij, është i padiskutueshëm fakti se, akti i kryer nga NATO, është një akt agresiv, që shkel rëndë Kartën e OKB-së, parimet e pranuara nga të gjithë dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Kjo ditë  është një ditë e zezë për historinë e Evropës. Për faj të NATO-s kontinenti ynë u ndodh në kufijtë e krizës më të rëndë ushtarako-politike të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. Çdo ditë e më shumë, po bëhet real kërcënimi i një konflikti ushtarak të përmasave të mëdha në Ballkan, në të cilin mund të përfshihen shumë shtete.

Aksionet ushtarake kundër Jugosllavisë, të ndërmarra nga NATO pa sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shkatërrojnë gjithë sistemin e sigurisë ndërkombëtare, të bazuar në autoritetin  OKB-së, diskreditojnë rolin e OSBE-së, demonstrojnë paturpësisht se diplomacia me bomba e raketa e NATO-s, e frymëzuar nga SHBA , është një kërcënim real për paqen e stabilitetin në Evropë dhe në gjithë botën….

Duma Shtetërore kërkon me forcë ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ushtarake kundër Jugosllavisë dhe të akteve të dhunës në Kosovë e Metohi dhe insiston për ripërtëritjen e pakthyeshme të bisedimeve politike, me qëllim,  gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e konfliktit vetëm me mjete paqësore,  mbi bazën e parimeve të respektimit të  pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Jugosllavisë si dhe të respektimit të plotë të normave të së drejtes ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes  së të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare….“.

Ky është qëndrimi i Dumës Shtetërore të Rusisë, e cila, krahas tjerave, kërkon që të “ndërpritet dhuna në Kosovë e Metohi”. Jo, ajo nuk kërkon ndërprerjen e dhunës ndaj shqiptarëve. Në asnjë mënyrë. Ajo kërkon ndërprerjen e “dhunës ndaj serbëve“, që, sipas saj, po ushtrojnë shqiptarët…

Kjo është Duma Shtetërore ose Parlamenti i Rusisë… fatkeqësisht i Rusisë së sotme.

***

Sonte në darkë, rreth orës 21, një grup të rinjsh u futen në oborrin e godinës ku ndodhet  ambasada (Ambasada Shqiptare ndodhet në një apartament në katin e katërt të një godine shumëkatëshe). Mbasi hodhën parulla kundër nesh e  në mbrojtje të serbëve, gjuajtën me gurë në drejtim të dritareve tona dhe thyen disa xhama…. të komshinjve. Mbas këtij “akti heroik”, këta farë trimash (të organizuar nga të tjerë) u larguan. Sidoqoftë, kjo ngjarje shërbeu për mirë, mbasi që sonte autoritetet ruse përforcuan ruajtjen e ambasadës edhe me roje ushtarake, mbasi deri tani ajo kishte vetëm roje civile.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

(Vijon)

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *