Tre qytete të mëdha në Rusi janë gjendur sot nën një shi meteorësh, që ka shkaktuar plagosjen e 1000 personave. Dhjetëra ndërtesa janë dëmtuar dhe qindra dritare janë thyer si pasojë e impaktit të shpërthimeve në atmosferë të copave të vogla të meteorëve. Qindra qytetarë në Ekaterinburg, Tyumen dhe Chelyabinsk po mjekohen për plagë të lehta të shkaktuara nga dëmtimi i çative apo thyerja e xhamave.
Ushtria ruse ka gjetur fragmente të meteorëve që kanë arritur të bien në tokë. Dy prej tyre janë gjetur në afërsi të liqenit Chebarkul, ndërsa një kishte shkaktuar një krater me diametër gjashtë metër në Chebarkul.
Agjencia ruse e hapësirës, Roskosmos, konfirmoi se objekte e gjetura në Chelyabinsk janë pjesë e një meteori. “Sipas vlerësimeve paraprake, objekti i ardhur nga hapësira nuk ka origjinë teknologjike dhe klasifikohet si meteorit. Ai ka lëvizur në një trajektore të ulët me një shpejtësi rreth 30 km/orë”, bënë të ditur ekspertët e kësaj agjencie.
Sipas përllogaritjeve të Akademisë Ruse të Shkencave, objekti i ardhur nga hapësira peshonte 10 tonë, para se të hynte në atmosferën e Tokës.
Mësohet se mes të plagosurve ka shumë fëmijë, ndërsa ushtria ruse është angazhuar në një operacion për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave të lënduar. Gjithashtu, autoritetet ruse kanë aktivizuar skuadrat e mbrojtjes radioaktive, kimike dhe biologjike.
Një pjesë meteori ka rënë në Chelyabinsk, duke dëmtuar murin e një fabrike zinku. Si pasojë është shkëputur shërbimi telefonik dhe ai i internetit për të gjithë zonën.
Dëshmitarët okularë thanë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa i ngjante një tërmeti të fortë, ndërsa qielli u mbush me tym. Shkollat dhe kopshtet janë mbyllur deri të hënën, në mënyrë që fëmijët të jenë në familjet e tyre. Mediat ruse raportuan minutë pas minute për ngjarjet nga pjesë të ndryshme të vendit, të ndihmuar edhe nga raportimet dhe fotot e dërguara nga qytetarët nëpër rrjetet sociale. / Përgatiti: Gazmira Sokoli