Kërkoi 200 mijë lekë ryshfet për një çështje proceduriale, arrestohet shefi i Antitrafikut në policinë e Fierit. Gjykata e Rrethit ka vendosur dje masën e sigurimit personal “arrest me burg” për kryekomisarin Altin Hadëri, që akuzohej për veprën penale “korrupsion pasiv”, pasi dyshohet se është i përfshirë në një abuzim me detyrën kundrejt pagesës. Burime nga policia vendore bënë me dije se në këmbim të këtyre parave, shefi i Trafiqeve të Paligjshme, Altin Hadëri, do t’i jepte dokumentet e makinës një qytetari. Ndërsa mësohet se dokumentet e makinës ishin të bllokuara, pasi i përkasin një mjeti të vjedhur. Policia e qytetit të Fierit konfirmoi mbrëmë se menjëherë pasi u njoh me masën e gjykatës, ka arrestuar kryekomisarin Hadëri. Hetimet mësohet se kishin nisur nga Zyra e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, e cila ka ndjekur dhe hetuar oficerin deri në procedurën për shërbimin kundrejt pagesës. Hadëri e ka mohuar akuzën, duke e quajtur inskenim të SHKB-së. “Shefi i Zyrës së Antitrafikut dyshohet se i ka marrë një personi 200 mijë lekë në këmbim të dokumenteve të automjetit”, thanë burime nga policia vendore. Policia e qyteti të Fierit ka bllokuar edhe dokumentet pasi dyshohet se ishin të një mjeti të vjedhur.