(Rrëfimi i trishtë i një gruaje)
Jovan Bizhyti
Dhuna dhe krimi në familje qëndrojnë shumë afër njera-tjetrës, ndaj shpesh ato gjenerojnë deri dhe në humbje jete të njerit apo tjetrit bashkëshortë. Kryesisht viktimë bëhen gratë e vajzat, si seksi më i dobët e më inferior që ka shoqëria jonë maskiliste. Shkaktarë të kësaj dhune shpesh bëhen burrat, meshkujt, që xhelozinë, apo mentalitetin konservator, e shprehin me dhunë, duke e quajtur bashkëshorten apo dhe të dashurën si pronë të tyre. Dhe rrëfimi i trishtë i një gruaje të dhunuar, tregon më së miri rrethanat kritike që e gjenerojnë këtë dhunë në krim, në humbje jete. Sigurisht, vrastari këtë krim e paguan me burgim, pavarësisht sa vite, pavarësisht dhe nga pendesa që mund të vijë më pas, por ikën jeta e një njeriu dhe mbi të gjitha, janë fëmijët, të pafajshmit, që e vuajnë këtë tragjedi gjithë jetën.
Kështu u përfshi në një ngjarje të tillë të trishtë dhe personazhi i ynë i këtij shkrimi. Ajo është një grua, një nënë, një bashkëshorte që jetonte jetën e saj në harmoni të plotë me burrin dhe fëmijët e saj. Por ja një ditë, pa pritur e pa kujtuar gjithçka e ngritur ndër vite u tronditë, u shemb totalisht dhe ajo u kthye në një vrasëse, pavarësisht rrethanave për të cilat i trajton në rrëfimin e saj të trishtë.
Ditët e fundit të burgimit, i kaloi në burgun e grave të Tiranës. Lirimin nga burgu nuk e priti shumë e gëzuar, pasi mbante mbi supe jo vetëm damkën e vrasësit që do e ndiqte pas gjithë jetën, por tek porta s’e priste askush, ishte bërë e harruar nga vitet e burgut, nuk njihte as fëmijët e saj, që e kishin mohuar, pasi jetonin me prindërit e ish burrit. Ajo doli nga porta e asaj shtëpie që për vite të tëra i privoi lirinë, me një çantë në krah të mbushur me ndërresa dhe doli në rrugë të madhe. Ecte e çoroditur trotuareve të ngushta të lagjes “Ali Demi” në Tiranë. Ishte pasdite, dielli po varej në horizont dhe ajo kërkonte hotel për të kaluar natën. Më së fundi e gjeti dhe pasi u regjistrua në sportel, u ngjitë për në katin e tretë.
-Dhoma është dyshe,- i tha sportelistja,- është regjistruar dhe një vajzë. Eshtë në dhomë. Klientia me çantën në krah, ngjiti shkallët e katit të tretë. Trokiti në derë.
-Kush është?- u dëgjua zëri nga brenda.
-Jam një kliente,- u përgjigj ajo. Dera u hap. U përshëndetën. Jashtë po binte muzgu i mbrëmjes. Vajza që ishte në dhomë, qendronte para pasqyrës, provonte një fustan që sapo e kishte blerë.
-Të rri shumë bukur,- i tha gruaja.
-Nga je e pyeti Natasha?
-Jam nga fshatrat e Ersekës, e martuar në një fshat të Bilishtit. Më quajnë Farselet, por shkurt më thërrasin, Leta.
-Pse ke dal në Tiranë?- i tha shoqja.
-Sot jam liruar nga burgu,- i tha ajo. Natasha mbeti e befasuar!- Pse po habitesh?- reagoi gruaja.
-Jo nuk u habita, por mesa të shoh, nuk po më dukesh grua e keqe!
-Sipas teje, vetëm njerëzit e këqij hyjnë në burg? Ka dhe njerëz të mirë, që e keqja u zë derën dhe bien viktimë e saj.
-Mundet,- i tha Natasha, por unë kam njohur një njeri të keq që është ende në burg. Po ti ç’ke bërë që u fute në atë derë?
-Kam bërë një krim të rënd, kam vrarë një njeri!
-Ke vrarë njeri!?
-Po, kam vrarë bashkëshortin tim, burrin, babanë e tre fëmijëve!
-Dhe të kanë liruar?!
-I bëra 12 vjet. Isha dënuar diçka më shumë, por dënimi i shkurtuar më uli diçka, edhe sjellja në burg më lehtësoi, pastaj dhe amnistitë e përvitëshme gjithashtu më kanë lehtësuar dhe ja tani e shoh veten në liri.
-Tani ndihesh e gëzuar?
-Eshtë e shtrenjt liria, por duhet t’a kesh vuajtur mungesën e saj që t’a kuptosh, t’a ndiesh siç e ndjej unë.
-Tani të presin fëmijët,- i tha Natasha.
-Liria ime është ende me mungesa, me dhimbje. Nuk është liri e plotë, më mungojnë fëmijët, jetojnë me njerëzit e burrit. Edhe jeta e ime është e dyshimtë nga zakoni i hakmarjes. Mentaliteti i ynë kështu është, siç e the ti, njerëzit që burgosen janë të këqij. Edhe unë kështu quhem, mbaj damkën e një vrasësi.
-Në realitet kështu je,- i tha Natasha,- je vrasëse, ke vrarë një njeri!
-Vrasjet kanë versione të ndryshme, kanë shkaqet dhe rrethanat e tyre. Unë e kam ndjerë thellë krimin që kam bërë tani pas 12 vitesh me llogjikë të ftohtë, por në ato rrethana që isha atëherë, nuk gjeja dot rrugë tjetër për t’iu shmangur asaj dhune të egër. Eshtë histori e gjatë. Ato u shtrinë në krevatet përkatëse, rreth dritës së zbehtë të abazhurit dhe ajo nisi të tregonte ngjarjen e asaj nate makabre, që e tmerronte sa herë i shfaqej në kujtesën e saj.
-Kishim dy fëmijë,- nisi ajo të tregojë.- Burri iku në emigracion në Greqi. Vinte rrallë se ishin rrethanat e punës dhe mungesa e dokumentacionit që e pengonin. Herën e fundit erdhi pas shtatë muajësh. Do bëjmë dhe një fëmijë tjetër,- më tha. Donte djalë, se kishim dy vajza. Një muaj nuk u shqit nga unë, deri sa e mori lajmin, që unë mbeta shtatëzënë. U gëzua dhe iku me bindjen se do e kishim djalë. Dhe shtatëzania më eci mbarë deri në lindjen e djalit. Burri u ndje shumë i gëzuar.
Gjithë ato muaj nuk mundi dot të vinte, veç lidhej me telefon. Ndonjë nga gojët e liga në fshat, e vuri në dyshim shtazanin time dhe fjalët shkuan deri në vesh të burrit atje në Greqi. Ai ishte i sigurt që fëmija ishte i tij, pasi e mori vet lajmin kur ishte pranë meje, por presioni keqdashës i opinionit bëri efektin e tij. Pasi lindi djali, ai erdhi me tjetër mendim dhe nisi dhuna e keqtrajtimi ndaj meje. Dyshonte në moralin tim, sipas gojëve të liga.
Unë isha në të drejtën time, në moralin dhe besnikërinë time bashkëshortore, por nuk mundja dot të ndryshoja mendimin e tij. Dhunë për ditë e për natë. Ah, kurbeti sa plagë të rënda ka hapur në familjet shqiptare! Dikur kishim shumë harmoni në familje. Vërtetë ishim martuar me mblesëri, por me kalimin e kohës, e donim shumë njeri-tjetrin. Dhe ja, kurbeti e shkëputi këtë harmoni dhe u bëmë hasëm për jetë. Ai ishte egërsuar, saqë dukej tjetër njeri!
-Me kë e ke djalin?- më bënte presion dhe dhunë për natë.
-Me ty e kam,- i thoshja,- kaq shpejt e harrove të vërtetën? Por hajde t’i mbushje mendjen atij.
Ajo natë e krimit më shfaqet në mendje si një natë e zezë. Nuk sosej ajo natë me grindje dhe dhunë shtazarake. Më rrihte sikur të isha kafshë e egër. Pastaj mori pistoletën, e la mbi krevat dhe më vuri duart në grykë për të më mbytur. Njerën dorë ma mbante shtrënguar në grykë dhe me dorën tjetër mori pistoletën dhe ma drejtoi në gojë. Përjetova një tmerr të vërtetë! Pa pritur lehu qeni në oborr, lehu fortë sikur të kish përballë ndonjë njeri. Ai la pistoletën mbi krevat dhe doli me të shpejtë në dritare. Gjeta momentin që u shkëputa nga kthetrat e tij, u zvarrita duke zgjatur dorën dhe mora pistoletën që ishte e mbushur me plumb në gojë. Ai u kthye sërish si shtazë. Sa hodhi hapin e parë, unë mbylla sytë dhe tërhoqa këmzën e pistoletës, duke e zbrazur pa mëshirë. Ai u kthye nga unë dhe s’arriti të hidhte dot asnjë hap. Sytë iu zgurdulluan sikur do më përpinte.
-Më vrave,- tha me gjysmë zëri dhe u shtri për tokë pa ndjenja. Ndjeva keqardhje, megjithse isha ende në çmenduri! Nuk e di si nuk qëllova dhe veten, por më përmbajti ndjenja për fëmijët, nuk doja të mbesnin jetim pa prindër. Pastaj kur e mblodha disi veten, thash, jo nuk dua t’a marrë turpin me vete. Më mirë marë fajësinë e krimit se sa turpin e nderit tim.
Dhe në atë gjendje çmendurie, dola në oborr. Fëmijët i lash në gjumë në dhomën e tyre. Mora rrugën e fshatit atë natë të zezë të trishtuar. Nuk dija ku do vija. Doja të thërrisja me zë të lartë:- “Çohuni o popull se kam vrarë një njeri”! Por e mendoja se opinioni nuk do më besonte. U nisa rrugës së errët të fshatit pa ditur se ku do shkoja. Përtej nga fundi i grykës së malit në horizont, pash dritat e postës kufitare të Kapështicës që ishte pranë fshatit tonë. U nisa drejtë saj. E shihja veten në një çmenduri të plotë. S’më bënin përshtypje as errësira e natës, as vetmia, as frika në ato rrugë të errëta e të baltosura nga një vesë shiu që kish rënë në orët e para të natës. Në postën kufitare ishte një oficer dhe ushtari i shërbimit që qëndronte para traut ndarës me Greqinë.
-Kam bërë një krim,- fola me zë të lartë e të dridhur. Kam vrarë burrin, më ndihmoni të dorëzohem në polici! Ata u befasuan, më strehuan aty në një dhomë dhe njoftuan komisariatin e policisë së Bilishtit. Nuk vonoi dhe erdhi një furgon policie dhe më çoi në komisariat.
Këtu u mbyll kalvari i historisë sime dhe pas disa seancash hetuesie dhe një gjykimi të shpejtë e pa zvarritje, u dha pretenca dhe unë u dënova me 20 vite burgim. Isha e bindur për fajin që kisha bërë dhe vitet e burgut i pranova me ndërgjegje, sepse ky ndëshkim s’ishte thjesht për një faj ordiner, por për një krim të rëndë me pasojë vrasjen e një njeriu, pavarësisht rrethanave lehtësuese që unë paraqita. Unë u mbrojta me një avokat, por fola edhe vet për rrethanat vetmbrojtëse në situata të tilla të rrezikëshme dhe kjo u vlerësua si një farë mburoje për mua. Gjykata më dënoi me vite burgimi, se po të ishte koha e disa viteve më parë, vrasja dënohej dhe me pushkatim. Dhe pas një sëri faljesh, unë bëra 12 vite nga dënimi dhe ja sot kam dal në liri. Ajo zuri fytyrën me duar dhe nisi të qaj.
-Mos qaj,- i tha Natasha,- liria nuk festohet me lotë.
-Kjo nuk është liri,- i tha ajo. Kam 12 vjet që nuk i shoh fëmijët e mi, nuk e di si kanë ndryshuar, si janë rritur, janë zbukuruar! Dhe biseda nuk vazhdoi më gjatë.- Nesër do nisem për në Ersekë,- shtoi ajo,- do shkojë në familjen time, kam nënën, motrat dhe vëllezërit dhe midis tyre do shtyj jetën time edhe unë, për aq vite sa më kanë mbetur.
Pastaj drita e abazhurit u fik dhe shoqes së dhomës e gjithë kjo histori, po i dukej si një legjendë. Ndodh dhe kështu, që një grua bëhet vrasëse, ndoshta një në 100 raste, por në 99 rastet e tjera, ato mbeten viktima të kësaj dhune maskiliste, që pa iu dridhur dora kthehet në krim, që u merë edhe jetën.
