Kjo nuk dihet, por e lirë nuk do të jetë e as e sinqertë jo. E sinqertë nuk do të jetë sepse ajo para se të na shpall dashuri neve, duhet të trajtojë me dashuri kurdët dhe pakicat tjera. Tua njohë atyre të drejtat e elementare ashtu siç kërkon BEE, e jo t’ i vrasë pse kërkojnë liri dhe barazi…
Sa herë shfaqen guvernatorët turq në trojet e copëtuara shqiptare – të copëtuar me fajin e tyre sepse na kishin ndarë në katër vilajete, siç na ndau pastaj edhe Tito në tri republika dhe një krahinë – na sjellin informata të reja. Njëri tregon për numrin e shqiptarëve atje. Tjetri na tregon sa vezirë shqiptarë kishte në Perandorinë Osmane. Kur vjen i treti na rrëfen sa kryeministra shqiptarë kishin qeverisur Perandorinë.
Pse ky flirt kaq i madh? Kush u sugjeron atyre këtë? Një njeri nuk mund ta bëjë këtë dhe sigurisht nuk e bëjnë vet, por këto informata bombastike, u dorëzohen nga turqit që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Nga turqit që brenda shtiren si shqiptarë, por shpirt e trup i takojnë Turqisë sa krenohen edhe me ekonominë e tyre, edhe me sofrën turke.
Çdo personalitet turk na sjell një risi, që ne nuk i kishim ditur më parë. Risi me këste. Këta numra dolën kryesisht pasi në Itali u botua një libër për 24 perandorët ilir në Perandorinë Romake. Tani veziri turk tha: “Në historinë tonë të përbashkët kemi pasur 28 sadrezamë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare.” Çka domethënë kjo në historinë tonë të përbashkët? Kjo domethënë se Perandoria Osmane paska qenë edhe e jona, se ne paskemi pushtuar Ballkanin, Turqinë dhe vetveten? Po çka domethënë akoma kjo? Kjo domethënë se ne duhet t’ i kërkojmë ndjesë popujve të Ballkanit, sepse në fakt nuk ishin osmanët, por shqiptarë që pushtuan ata. Po a domethënë edhe diçka tjetër? Po natyrisht, kjo përforcon edhe vëllazërinë e tyre me Berishën dhe Thaçin. Ky i dyti nuk ka dashur të dëgjojë gjë për Turqinë derisa nuk u shfaq Marti me akuzat dhe kështu në gazep, lindi një vëllazëri. Të njëjta motive ka edhe Berisha, që u krenua me dashurinë e turqve ndaj grave shqiptare…
Nuk përfundon këtu flirti turk me shqiptarët. E përforcuan edhe albanologët turq. Ata thanë se shqiptarët kishin themeluar letërsinë turke (tonën na e kishin ndaluar ata); ata thanë se ne kishim shkruar himnin për ta (për ne e kishim vjedhur nga rumunët, ose nuk na duhej, sepse Turqia nuk na lejonte shtetin dhe shuante çdo kryengritje shqiptare për pavarësi, mu ashtu si i shuante edhe Millosheviçi).
Ata vazhduan me flirtin e tyre dhe thanë se për ta përshkruar kokëfortësinë u nevojiten shqiptarët dhe e quajnë: ‘arnaut inadi’ ose inat më të theksuar ‘arnaut lashmak’. Ky është paragjykim. Kjo është racizëm! Ky është ofendim në baza kombëtare, ofendim në mes të Prishtinës dhe, për ta nënvizuar vëllazërinë apo trashësinë e dashurisë turke, ata shtuan edhe këtë: “Shqiptarët e Turqisë dinë të bëjnë katër lloj byreku!”
Mrekulli: Shqiptarët ishin kryeministra, shqiptarët ishin ministra, shqiptarët themeluan letërsinë turke, shqiptarët shkruan himnin e Turqisë, shqiptarët ishin arkitekt të mëdhenj dhe pasardhësit e asaj elite, nga ajo pozitë, kanë përparuar akoma më shumë dhe sot, dinë të bëjnë katër lloje të byrekut. Ja si u falënderuan për kontribut shqiptarët: me lirinë për të gatuar byrek! Edhe atë ,katër lloje! Liri e madhe kjo në botën e gastronomisë! Ndërkaq, Serbisë Turqia i dhuroi 10 milion euro për të ndërtuar një aeroport në Kralevë. Kishte të drejtë një gazetë gjermane, që shkruante se shqiptarët ndihmohen me deklarata nga Turqia, maqedonët dhe serbet me dollarë. Pse? Po ne i dorëzohemi falas dhe nuk ka nevojë të paguajë!
Dashuria turke nuk mund të kuptohet, nuk mund të shpjegohet, por mund të interpretohet. Ajo ka asimiluar miliona shqiptarë në Turqi, urren kurdët deri në zhdukje, vjen në Europë e na shpall neve dashuri. Pse? Pse nuk e bëri këtë kur kishim nevojë, por pasi na çliroi Perëndimi? Madje, pat ndihmuar edhe Maqedoninë në luftë kundër shqiptarëve. Meqenëse qenkemi vëllezër, pse atëherë toleron vjedhjen e detit shqiptar nga Greqia?
Pse tani na akuzon edhe ne se kemi qeverisur perandorinë më regresive, që ka njohur planeti tokë? Pse nuk mbajnë fajin për vete, por e shpërndanë mbi supet tona? Edhe në qeverinë e Jugosllavisë kemi pasur kryeministra, ministra, fakultete, shkolla të mesme, fillore dhe me ta së bashku kemi qeverisur një perandori komuniste sllave, po a i kemi serbet vëllezër?
Nuk mund të krenohet njeriu me një perandori, që kishte gjetur popujt duke shkruar dhe ua kishte ndaluar edhe alfabetin, kryesisht shqiptarëve, sepse sllavët dhe grekët trajtoheshin më mirë dhe kishin dhe kanë qendrën e kishës së tyre në Turqi. Si mund të krenohet njeriu me një Perandori, që kur u tërhoq nuk la asnjë arkiv pas vete, asnjë libër, asnjë shkollë dhe asgjë me vlerë? Kjo dashuri këmbëngulëse turke po krijon edhe dilema tjera: duhet festuar ardhjen e turqve në Ballkan dhe a duhet vajtuar ikjen e tyre? Poeti i shquar, publicisti i madh dhe iluministi i rrallë Ndue Ukaj, i brengosur shtron këtë pyetje: »… prej kujt u çliruam? A u çliruam me luftë, me gjak dhe me mijëra viktima? (…) Çdo gjë u shkatërrua, nga armiqtë apo nga vëllezërit?« Kjo pyetje krijon shumë dilema dhe kërkon përgjigje konkrete. Këtë vit festojmë çlirimin apo ndarjen nga vëllai? Nëse e quajmë vëlla, atëherë nuk mund ta quajmë çlirim, kjo ndoshta është arsyeja pse po quhet përvjetori i Pavarësisë e jo edhe i Çlirimit…
Nga qeveritarët që kemi nuk mund të pritet diçka tjetër. Zogu sipas kushtetutës së tij Art.71 ishte “komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore”, kur ikën komandanti atëherë dënohet me vdekje për dezertim dhe tradhti. Berisha mirëpo i ndërton përmendore dhe e shpall hero ,sepse i përshtatet politikës së tij, konceptit të tij. Njëri fali tokë shqiptare, ky fal detin shqiptar… Berisha rrëzoi përmendoren e Enver Hoxhës, nesër do të rrëzohet përmendorja e Zogut dhe Berishës…Miqësi me të gjithë popujt, vëllazëri me asnjë. Vëllazëria në mes popujve është e pamundur sepse populli nuk është një subjekt edhe pse është në njëjës…