Letër e nënshkruar,
Bujar Cani
Kam një ballkon në shtëpi, ku bie dielli vazhdimisht. Sa herë që ulem e meditoj, kujtoj babain tim të shtrenjtë, ish-partizan, ish-veteran e ushtarak, një njeri të mrekullueshëm. Ishte pra babai im që ulej në këtë ballkon dhe pinte kafen e mëngjezit. Dhe sa herë që ulej aty, jetonte në botën e fëmijërisë së tij. Në një familje që pasurinë e saj e vuri në shërbim të atdheut dhe luftës. Jetonte me idealet, se besonte se Shqipëria ishte vend i bekuar. Ndonëse idealet që patën nuk u realizuan ashtu siç ëndërruan ata, shumë gjëra dhe premtime u mbajtën. U zhduk analfabetizmi, ndryshoi në maksimum mënyra e jetesës. Nga një vend gjysmë feudal, Shqiperia u bë me një bujqësi moderne, me industri, me rrugë dhe hekurudha, me një shërbim shëndetesor e arsim falas e në çdo skaj të vendit. Dhe në ato çaste kur ai jetonte në këtë botë, gjithmonë këndonte këngë lufte dhe pune, këngë dasmash të krahinës.
Po sot kur unë ulem, në vendin ku ulej babai im i mirë, më vjen zor shumë që jetoj në këtë vend, idealet që patëm për një botë krejt ndryshe, nuk u bënë realitet. E përse vallë kështu u zhgënjyem kaq shpejt? Një klasë politike e papërgjegjshme, amorale e sejmene, kuislinge dhe servile, një klasë politike që shkatërroi gjithë pasurinë e ndërtuar gjatë 50 viteve… Sa poshtë kemi rënë.
