Përshëndetje stafi i Dita-s! Me thënë të vërtetën me këtë parlament që kemi aktualisht ne, çdo emër mundë t’i vëmë, por vetëm parlament jo, sepse i ka tejkaluar caqet si institucion shtetëror që kemi. Dita, pse të mos quhet parlamenti i gallatës, sepse e meriton këtë emër? Parlamenti është vendi ku miratohen ligjet e këtij vendi. Shikoni seancat që zhvillohen çdo të enjte çfarë bëhet, njëri i bie thumbit, tjetri i bie patkoit. Shikon deputetë duke kruar veshët, tjetri matanë përtyp çamçakiz, tjetri lexon gazetën, tjetri bisedon në telefon, tjetri i shkruan SMS dikujt. Më e lezetshmja, shikojmë edhe deputetë duke i luajtur sytë njëri-tjetrit. Ja pra, këta janë deputetët tanë të nderuar që ne presim të mira prej tyre. Dita! Në parlament kemi deputetë që kanë 20 vjet, ka edhe të tjerë me nga 3-4 mandate. Kemi 25 vjet që parlamenti ynë dominohet me 140 deputetë. Kaq shumë deputetë kemi saqë nga një herë në darkë kur nuk më merr gjumi, filloj dhe numëroj deri në 140, pastaj më zë gjumi rehat. Turp dhe vetëm turp për këta politikanë kaq të pandërgjegjshëm në vetvete, ndërkohë që fukarallëku ka arritur kulmin! Skamja ka trokitur derë më derë, kurse deputetët tanë e marrin rrogën çdo muaj si pashallarë për shtatë palë qejfe pa e vrarë mendjen fare. A nuk do të ishte më mirë që të kishim një parlament prej 70 deputetësh, duke ditur që kemi 61 bashki? Të kemi një parlament sa më cilësor, me djem dhe vajza që kanë mbaruar shkollën jashtë shtetit. Lusim Zotin që edhe neve të kthehemi nga e mbara!
Letër e nënshkruar,
Ali Gjoni, Tiranë
