Ministri i Gjermanisë, Michael Roth ka thënë në një intervistë për DW se Ballkani Perëndimor ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian dhe duke u nisur nga kjo, ai shton se rajoni nuk duhet lënë vetëm.
I pyetur për objektivat e samitit “Western Balkan 5”, ai është shprehur:
“Që të japim një sinjal të qartë që situata në Ballkan ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian, ne deklarojmë mbështetjen për perspektivën në BE (të Ballkanit), ne formulojmë shpresa, por edhe duam të ndihmojmë shumë konkretisht që të forcohet sundimi i ligjit, që të ketë para së gjithash perspektiva pozitive për brezin e ri, që të mund të kontribuojmë për bashkëpunimin rajonal dhe para së gjithash për pajtimin. Askush nuk lejohet ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor, ndaj në këtë kuadër kjo këtu në Londër është një konferencë e rëndësishme.”
Sa i takon pyetjes rreth premtimeve të ardhshme financiare, ai u shpreh se Gjermania ka bërë shumë të tilla, por tani me rëndësi paraqiten vetëm projektet.
“Këtu unë jam shumë i paduruar. Në anën e arritjeve ka disa gjëra pozitive që mund të përmenden, për shembull Zyra Rajonale e Rinisë të Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të shërbejë para së gjithash për ta afruar brezin e ri. Këtu do të dëshiroja që të realizohen më tepër projekte. Është një fakt që të gëzon shumë, që ka pasur një sërë aplikimesh me projekte, të cilat ende nuk ka qenë e mundur që të miratohen, sepse mjetet financiare janë të kufizuara. Këtu të gjithë duhet të bëjmë më shumë. Po e njëjta gjë duhet thënë për infrastrukturën. Ne patëm pak kohë më parë takimin e nivelit të lartë të digjitalizimit. Duhet të bëhet e qartë, që në fund edhe të mbërrijë diçka te njerëzit në Ballkanin Perëndimor; pikërisht vende pune dhe ndjesia se nuk i kanë lënë vetëm”, shtoi të thoshte ai.
Gazetari i DW-së iu shpreh se në përgatitjen e takimit është krijuar përshtypja se pikërëndesa e tij ka qenë pikërisht tema e sigurisë. Duke e pyetur ministrin gjerman nëse mund të cilësohet si një tendencë përzgjedhja e kësaj teme, ai iu përgjigj:
“Ne natyrisht do të hedhim edhe njëherë vështrimin se çfarë u nis në procesin e Berlinit dhe ku duhet të këmbëngulim edhe një herë, çfarë nuk ka ndodhur ende dhe çfarë ka ndodhur. Pra gjithnjë ka një proces pasues, por është shumë e drejtë që ne theksojmë edhe rëndësinë në politikën e sigurisë të Ballkanit Perëndimor. Këtë me sa duket ende nuk e kanë të qartë të gjithë: sa më i qëndrueshëm dhe më i sigurtë Ballkani Perëndimor, aq më mirë është për Bashkimin Evropian! Ai është fqinji ynë, ka një sërë shtetesh anëtare të BE, të cilët shtrihen në fqinjësi të drejtpërdrejtë me Ballkanin Perëndimor, pra ai nuk është një rajon që është shumë i largët. Dhe ekziston fusha e migrimit, ekziston fusha e luftimit të terrorizmit, ekziston para së gjithash fusha e përhapjes së armëve të kalibrit të vogël…”
Sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim, Davis u shpreh se “Natyrisht që ne kemi një kufi të jashtëm të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por ne nuk duam të ndërtojmë një “kështjellë” Evropë. Prandaj është shumë, shumë e rëndësishme që të bashkëpunojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat edhe mbajnë përgjegjësi, që t’i ndihmojmë ato që të jenë në gjendje t’i përgjigjen si duhet kësaj përgjegjësie. Pra këtu bëhet edhe fjalë edhe për solidaritet.
s.a/dita
