Amfiteatri 2700-vjeçar i Durrësit, një vepër gjigante antike, u zbulua vetëm në fund të viteve ‘60. Vendasit thonë se shkak u bë fundosja e një fiku që zgjoi kuriozitetin edhe të arkeologëve për të zbuluar pse pema u zhyt aq thellë në tokë.
Pas gërmimeve poshtë kodrës plot me banesa u gjet objekti gjigant antik 2700-vjeçar, Amfiteatri i Durrësit.
Gërmimet zbuluan se poshtë qytetit të Durrësit ishin rrënojat e një qyteti antik të vjetër.
Llambro Duni, ekspert i njohur i sizmologjisë në vend, thotë se ka dëshmi të besueshme se qyteti i vjetër i Durrësit (Dyrrahum) është goditur disa herë nga tërmete të fortë, të cilët kanë shkaktuar dëmtime serioze njerëzore dhe ekonomike.
Të dhënat historike tregojnë se në vitet 177 para Krishtit, 344 pas Krishtit dhe më vonë në vitet 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870 qyteti është shkatërruar totalisht.
Duni thotë se goditje të ngjashme ka pësuar edhe Butrinti në vitin 1153 dhe Apolonia që është shkatërruar tërësisht në shekullin I, para Krishtit.
Më vonë, gjatë shekullit XX, vendin tonë e kanë prekur një numër tërmetesh të fuqishëm, ndër të cilët tërmeti i Shkodrës i vitit 1905; ai i Pogradecit, i vitit 1911; Tepelenës i vitit 1920; i Lushnjës i vitit 1959; i Korçës i vitit 1960; i Fierit i vitit 1962; i Dibrës më 1967; tërmeti i 15 prillit 1979 me epiqendër në territorin e Malit të Zi si dhe tërmeti i 9 Janarit 1988 në Tiranë.
Shqipëria, njësoj si Italia, Greqia dhe Turqia është në një rajon në mes të pllakave tektonike që prodhojnë tërmete të fuqishme.
Përtej pasojave sociale, këto fenomene natyrore të pashmangshme kanë ndikim të madh në ekonominë e vendeve.
Eksperti Duni, në studimet e tij për riskun e tërmeteve, thotë se objektet më të rrezikuara në Tiranë janë ato të ndërtuara para viteve 1960, kryesisht parafabrikatet dhe ato me qerpiç. Për ndërtesat pas viteve ‘90 garancia është më e lartë, pasi për ndërtimin e tyre është përdorur hekur dhe beton.
Hajredin Fratari nga Konfindustria shqiptare, një nga ndërtuesit më të hershëm në vend, thotë se përgjithësisht, ndërtimet në Tiranë në dy dekadat e fundit janë realizuar duke marrë në konsideratë tërmete nga 7-8 ballë, por ai nuk e përjashton mundësinë e abuzimeve me hekurin dhe betonin.
Pas tërmetit të vitit 1979, në Malin e Zi u miratua një hartë sizmike e Shqipërisë. Më vonë gjatë viteve ‘80 është bërë një rishikim i përgjithshëm i kushteve teknike të projektimit antisizmik dhe kanë hyrë në veprim rregullat e reja për qëndresën ndaj tërmeteve në vitin 1989, të cilat vijojnë të jenë sot e kësaj dite në fuqi.
Shqipëria, e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet
Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, pra e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.
Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton se prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë.
Vendi ynë është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës.
Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore.
Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.
Skenarët shqiptarë të tërmeteve
Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë dhe një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë.
Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi.
Zona e dytë sizmike është ajo e Ultësirës pranë Adriatikut me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Beratit.
Zona e tretë sizmike është ajo e bregdetit Jon me qytetet e Vlorës, Himarës, Tepelenës dhe Sarandës.
Zona e katërt është Kukës–Peshkopi.
Zona e pestë sizmike është ajo Dibër-Elbasan-Korçë.
Rrjeti sizmologjik aktualisht përbëhet nga 13 stacione plus 34 stacione të tjera “të lëkundjeve të mëdha”. Këto rrjete monitorimi janë e vetmja infrastrukturë sizmologjike në vend, që trajton monitorimin dhe studimin e aktivitetit sizmik në Shqipëri.
Të rinjtë nuk kanë interes të fokusohen në sizmologji, për shkak se shpërblimet financiare nuk i korrespondojnë investimit në fushën kërkimore.
Në legjislacionin aktual, nuk ka përcaktim të qartë për përqindjen e fondeve të parashikuara për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Në nivel bashkie, 3% e buxhetit të vet, planifikohet për të kompensuar qytetarët nga dëmet prej fatkeqësive natyrore, një shumë kjo shumë më e ulët se përcaktimi në ligj. Aty parashikohet që buxheti për kompensimin e popullsisë së prekur nga fatkeqësia natyrore duhet të shkojë deri 40%.
Janë katër lloj buxhetesh për emergjencat: buxheti për emergjencat i MB, buxheti për emergjencat i pushtetit lokal, buxheti i rialokuar për emergjencat i ministrive të linjës dhe Fondi Rezervë i qeverisë.
Pjesa dërmuese e fondit në këto lloj buxhetesh është e alokuar për parapërgatitje dhe masat e rimëkëmbjes post-emergjencë.
Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë.
Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve.
Sipas studimit të sipërcituar skenari i shpërthimit të tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, mund të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë).
Studimi nxjerr në pah se veç tërmeteve dhe përmbytjeve, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes.
d.a. / dita
Amfiteatri i Durresit eshte amfiteater ROMAK dhe s`mund te jete 2700 vjecar.Shko e shih betonin romak ne korpusin e harkut te Amfiteatrit..Amfiteatri i Durresit nuk mund te jete me i vjeter se 2000 vjet.Te ngjashem jane bazamenti i Koloseumit dhe muret prej betoni te Termeve te perandorit Karakalla.
Nuk them qe gazetari te jete specialist per gjithcka,por gazetari PYET.
Po te lexosh historine e shkaterrimit te Durresit nga termetet del qarte se ndertimi i ndertesave afere njera tjetres, nga rrenimi i njeres kane rene me rradhe edhe te tjerat. Rrenimi ndertesave ka mbytur shumicen e viktimave. Duke qene nje zone sissmike Tirana nuk duhet te lejoje ndertime kullash me shume se dhjete kate. Ne oborrin e vogel te Hotel Tiranes dhe ne trotuar po ndertohet nje kulle 35 kateshe, gje qe do te sjelle probleme ne ujesjellesin, kanalizimin, qarkullimin e makinave , ne sigurine e njerezve e te tjera dukuri negative. Por me shume tashme vlen perfitimi financiar i nje grupi individesh sesa Tirana dhe jeta e njerezve
E shkateruat durresin, duke mbuluar antiikitetin qe bota e ruan,Prandaj do te keni problemi. Do Te paguani gjynahet qe beni duke barbarizuar ndertimet.
Babezia e ndertuesve dhe levizjet jo Te pakontrolluara por Te cmendura . Digjet I njomi me Te thatin.
Cdoni nga shteti kur nuk e respektoni shtetin. Ku jane siguracionet qe duhet Te beje Cdo njeri sic siguron makinen Te siguroje edhe shtepine.?
Eh shqiptar shqiptar.
Fiku nuk zbuloi Durresin por ndihmoi arkeologun te zbuloj Amfitetarin
Nuk e kuptoj se perse ka nje tendence per te mbrojtur ndertimet e viteve te fundit. “Rrezikshmeri paraqesin pallatet parafabrikate, sepse ato te ndertuara pas viteve 90 jane me hekir dhe beton”. E kupton se cfare thua o njeri. Ne ka pallat qe kane hekir dhe beton te nje cilesie te larte jane pikerisht parafabrikatet. Ato fotot e pallateve te care vertikalisht te cfare viteve ishin?