Dje, Partizani arriti të fitonte në transfertë kundër Laçit me rezultatin 3-0.
Në këtë takim të rëndësishëm të javës së 28-të, ishte përcaktuar gjyqtar Enea Jorgji, i cili mban edhe stemën e FIFA-s dhe asistentë Denis Agaraj dhe Astrit Mahmuti.
Me t’u bërë zyrtarë emrat e “bilbilave” që do vendosnin drejtësi në sfidën e djeshme, nisën aludimet dhe paragjykimet. Madje shkoi deri aty saqë kurbinasit e kishin fitoren e sigurtë, gjithmonë sipas “parashikuesve”.
Megjithatë fusha e blertë tregoi krejt të kundërtën. Treshja e arbitrave jo vetëm që nuk u bënë protagonist me vendimet e tyre, por arritën të administronin siç duhet edhe dy situata ku pati përplasje mes lojtarëve të Partizanit edhe atyre të Laçit.
Në fund, nga asnjëra prej skuadrave nuk pati kontestime, por pranuan në qetësi rezultatin. Sigurisht të kuqtë fituan me meritë dhe kjo nuk mund të diskutohet aspak. Ndryshe nga sa u tha, nuk ishte arbitri ai që vendosi fatin e takimit, por vetë cilësitë e dy ekipeve.
Gabimet e gjyqtarëve të Superiores këtë sezon kanë qenë të shumta. Të “etiketuara” me dashje apo padashje, në shumë sfida vendimet e tyre kanë vulosur shifrat e takimeve. Megjithatë kjo nuk justifikohet apo nuk përbën lajm se “filan” gjyqtar i vendosur nga FSHF-ja për “x” ndeshje, do të përfundojë me rezultatin e parashikuar nga sportdashësit apo analistët.
Fundja, takimi i djeshëm qe një “leksion” për të gjithë skeptikët që paragjykojnë gjithmonë arbitrimin në Shqipëri. E theksojmë se nuk është aspak i “kulluar”, por jo çdo përballje do të ketë protagonistë me dashje gjyqtarët. /Newsport
Foto: Çaste para fillimit të ndeshjes, Laçi – Partizani. Arbitër kryesor Enea Jorgji, asistentë Astrit Mahmuti dhe Denis Agaraj
e.k/dita
