Sistemi shqiptar i mirëqënies po mbush dy dekada. Ndërkohë, shteti klasik i mirëqënies, i ndërtuar nga Bismark, po i afrohet moshës dyshekullore. Megjithë moshën e re, sistemi shqiptar ka eksperimentuar gjatë 20 vjetëve arritje dhe rreziqe. Gjatë zbatimit të tij sistemi, le ta quajmë shqiptaro-bismarkian,ka krijuar disa mite-kurthe. Të cilat janë pasojë e politikave të ekzagjeruara sociale mbrojtëse e pasive. Këto kurthe po veprojnë si sabotatorë të sistemit të mirëqënies.
- Rishpërndarje sipas parimit “Kërko e përfito”
Thelbi i sistemit shqiptar të mirqënies, të ndërtuar gjatë tranzicionit ka qenë rishpërndarja. Kjo nga ana e vet është pasuar nga mbështetja e zgjerimit të rrathëve të përfituesve, sipas parimit “Kërko e përfito” dhe jo sipas parimit “Kontribo e përfito”. Tashmë që sistemi i mirëqënies po ndjen nevojën e reformimit, ky mit-kurth, i kundërvihet jo thjesht filozofisë së sistemit, por vetë atij. Thelbi i reformave të social-demokratëve (të frymëzuar nga liberalizmi social) Blair, Shrëder, Jospin, të cilët reformuan sistemin e mirëqënies në Evropën e vjetër, trekëndëshin Mbretëri e Bashkuar-Gjermani-Francë, ishtë fleksibiliteti i tregut të punës dhe aplikimi i përfitimeve të kushtëzuara me kontributin e pjesëmarrjen sociale e komunitare. “Nuk ka të drejta, pa përgjegjësi” ua tha copë Blair britanikëve sapo erdhi në pushtet. Ndërsa Shrëder imponoi reforma standarte, aspak social-demokrate, të cilat qeverisë i pakësuan mbështetjen popullore, por Gjermaninë e bënë vendin më të fuqishëm dhe lider të Evropës. Jospin guzoi më pak, arriti më pak dhe për këtë shkak kujtohet e referohet më pak për reformat e sistemit francez të mirëqënies. Në Shqipëri tentativat për të kushtëzuar përfitimet janë kundërshtuar si nga mentaliteti i përfitimeve pasive, ashtu edhe nga interesat elektorale. Kjo “aleancë” është një “gjyle nëpër këmbë” për reformimin e sistemit.
- Miti i asistencës
Ndryshimet strukturore ekonomike dhe privatizimet e shpejta, që pasuan letargjinë ekonomike të viteve 80-të, u bënë përpjekje të amortizoheshin nëpërmjet asistencës sociale. Asistenca u ofrua në dy forma: si pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike. Megjithatë, publiku dhe përfituesit e kishin vështirë të dallonin njerin përfitim nga tjetri. Mjaft prej tyre nuk e bëjnë ende këtë dallim. Pagesa e papunësisë ka një bazë kontributive, sepse punëdhënësit dhe punonjësit paguajnë për sigurimin e këtyre të fundit në rast papunësie. Ndihma ekonomike është një përfitim social, i pakushtëzuar nga kontributi për tu siguruar. “Ngatërresa” e dy llojeve të përfitimeve nuk është një rastësi. Ky konfuzion tregon kapitullimin e sistemit përballë presionit për të ofruar përfitime të pakushtëzuara. Shpesh ky kapitullim ka marrë natyrë politike dhe nuk është guxuar të preket, për shkak të potencialit shpërthyes elektoral. Nuk është rastësi që ndihma ekonomike është bllokuar në fazat paraelektorale, për tu hapur “thesi i asistencës” gjatë muajit të zgjedhjeve. Shpesh këto taktika kanë marrë edhe trajtën e krimeve social-elektorale, por kjo është një temë tjetër. Ajo që mund të themi në këtë kontekst, është se programi i ndihmës ekonomike nuk ndryshon shumë nga pagesa e 80 përqindëshit të viteve 1980-të, periudhës së agonisë së të ashtuquajturit sistem socialist. Kjo ngjashmëri ka ushqyer vegjetimin në programin e ndihmës ekonomike të përfituesve për 10 ose 15 vjet. Madje, mos u çudisni nëse ndeshni edhe vetë persona që “marrin asistencë” që në vitin e largët 1991! Mentaliteti i përfitimeve të pakushtëzuara dhe afatgjata ka krijuar në Shqipëri një shtresë të papunësh të dekurajuar, të cilët nuk rikthehen në treg për shkak të mungesës së aftësive e mjeshtërive për punë. Një pjesë e tyre nuk dëshirojnë të rikthehen sepse janë aklimatizuar me përfitimet, të cilat edhe pse të vogla, janë një burim mbijetese. Një pjesë dëshiron të rikthehet në treg, por nuk mundet sepse ka humbur aftësitë e mjeshtëritë profesionale. Një pjesë tjetër mund të dëshirojë të kthehet, por mjeshtëritë e profesionet që zotëron nuk janë më të kërkuara në treg dhe “nuk i hyjnë njeriu në punë”.
- Miti i shtetit
Shteti vazhdin të jetë një punëdhënës i madh në Shqipëri. Numri i të punësuarve në sektorin shtetëror gjatë periudhës 2001-2012 është zvogëluar me 13 përqind dhe kjo mund të vlerësohet si një prirje pozitive e zhvillimit ekonomik. Megjithatë, rënia punësimit në sektorin shtetëror ndodh jo aq për shkak të filozofisë së sistemit të mirëqënies, sesa si pasojë e shkurtimeve e privatizimeve në sektorët e energjetikës, telekomunikacionit, shërbimeve esenciale dhe administratën publike. Megjithatë, punësimi në sektorin shtetëror mbizotëron ende në disa qarqe: Berat, Dibër, Kukës. Diferenca më e ndjeshme midis të punësuarve në sektorin shtetëror dhe privat është në qarkun Kukës (72 me 28) dhe Dibër (65 me 35). Ndërkohë, në qarqet e tjera mbizotëron punësimi në sektorin privat. Diferenca më e ndjeshme midis të punësuarve në sektorin privat dhe shtetëror është në qarqet Durrës (28 me 72), Tiranë (32 me 68), Fier (39 me 61) dhe Lezhë (40 me 60). Siç shihet, ka një korrelacion të drejt midis nivelit të zhvillimit dhe mbizotërimit të punësimit në sektorin shtetëror. Sa më të ulta janë të ardhurat për banorë dhe sa më e madhe përqindja e familjeve në Ndihmë Ekonomike, aq më i vogël është numri i të punësuarve në sektorin privat, krahasuar me sektorin shtetëror. Pra, gjeneratori kryesor i punësimit, të ardhurave dhe mirëqënies mbetet sektori privat. Vulnerabiliteti i këtij sektori është një tjetër “sabotator” i sistemit të mirëqënies. Prandaj mitet e mësipërme nuk mund të rrëzohen nëse punësimi nuk shndërrohet realisht në kolonën kryesore të sistemit.

“Mentaliteti i përfitimeve të pakushtëzuara dhe afatgjata ka krijuar në Shqipëri një shtresë të papunësh të dekurajuar”
Kjo eshte nje fraze qe e degjon ne vendet sociale perendimore por per Shqiperine eshte totalisht e pavend te thuhet. Papunesia ne Shqiperi eshte ne pjesen me te madhe nga mungesa e tregut te punes, jo nga asistencat e shtetit qe jane gjithsesi cikerrima.
Nga te gjithe artikullshkruesit e DITA-s, Kosta me duket duket me racionali….
ORE MIRE E KE TI, PO KUSH DO TA BEJE THUAJ, HAJDUTI KA DISA PASOJA,
E PARA ESHTE PARATE QE VJEDH, E DYTA ESHTE SE MBAN POSTIN PUBLIK DHE NUK BEN PUNEN QE DUHET BERE.