Sacchi i pamëshirshëm ndaj Napoli-t: Po bëjnë një gabim të pafalshëm

Gazeta Dita

Napoli, nga lojtarët deri te tifozët, ndihet optimist për sezonin e ri. Hysaj me shokë kanë deklaruar disa herë se besojnë te tilli. Arrigo Sacchi, në një intervistë të dhënë për “Il Mattino” ka dashur të frenojë menjëherë entuziazmin e napolitanëve: “Napoli mund të luftojë për titullin, por nuk është skuadra favorite dhe duhet të mendojë të luajë pa ankth.

Juventus mbetet favorite. Edhe pse ka skuadra të tjera që janë më mirë se Napoli, ato që kanë shpenzuar 40-50 milionë euro për një lojtar. Ata gabojnë kur flasin për titull”, ka thënë ish-trajneri i Italisë.“Ku bazohen për të bërë një deklaratë të tillë? Nuk më duket se Napoli ka në përbërje lojtarë që kanë fituar shumë në Europë apo në kampionatet ku kanë luajtur. Atëherë mendoj se është më mirë të mos flasësh shumë, të tregohesh i kujdesshëm.

Nuk duhet të luajnë me ankthin se duhet të fitojnë patjetër. Rritja e presionit është një gabim i pafalshëm. Loja e bukur nuk mjafton, Juventus di si të përballet me momentet e vështira, Napoli, nga ana tjetër, kalon në vështirësi sapo humbet përqendrimin. Dhe kjo ndodh sepse nuk ka lojtarë të mëdhenj. Sarri është i jashtëzakonshëm, por nuk më duket se këtë verë ata kanë blerë Maradona-n apo Careca-n…”, ka thënë Sacchi.

“Për këtë arsye nuk e kuptoj se nga ku vjen kjo eufori e tyre. Nëse ekzistojnë lojtarë të mirë në këtë ekip, kjo ka ndodhur për shkak të punës dhe lojës, të entuziazmit të tyre. Unë nuk them se Napoli nuk mund ta fitojë titullin, them se nuk mund të vendoset si objektiv. Nuk më duket se Cagliari, Sampdoria apo Verona, që kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë në të kaluarën, e kanë nisur sezonin me idenë se duhej të fitonin patjetër kampionatin. Nuk e kuptoj gjithë këtë gëzim në shtëpinë e Napoli-t: mjafton që dikush të mos jetë më altruist ose të mos sakrifikohet për ekipin që gjithçka të prishet”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *