Sadiku e Xhaka përzgjidhen nga “Blick” në “Top 11”

redaktor

Dy shqiptarë në formacionin e javës në Zvicër. Taulant Xhaka dhe Armando Sadiku janë përzgjedhur nga prestigjiozja zvicerane “Blick” në 11-shen më të mirë të raundit të 20-të në Superligën zvicerane.

Nëse për mesfushorin Baselit, Taulant Xhaka, fakti që është bërë pjesë e formacionit më të mirë javës nga “Blick” nuk përbën ndonjë risi, pasi 24-vjeçari ishte një nga lojtarët më aktivë në fushë në fitoren 0-4 të Baselit ndaj Grasshoppers, tingëllon me të vërtetë e çuditshme përfshirja e Armando Sadikut në 11-shen më të mirë.

Një javë më parë, 24-vjeçari nga Elbasani ishte protagonisti kryesor në fitoren 5-2 të Vaduzit ndaj Luganos me 2 gola dhe 2 asiste, por pavarësisht paraqitjes fantastike të tij, Sadiku si për çudi nuk u përzgjodh në formacionin më të mirë të javës nga “Blick”, dhe ky fakt krijoi shumë polemika, pasi kjo u konsiderua si një tjetër komplot të zviceranëve ndaj shqiptarëve kur na ndajnë vetëm pak muaj nga dueli mes Kombëtares kuqezi dhe përfaqësues helvete në Grupin A të Euro 2016.

Megjithatë për të kompensuar disi gabimin e një jave më parë që revoltoi edhe vetë Armando Sadikun, i cili gjithsesi nuk preferoi të polemizonte me gazetën zvicerane, “Blick” e ka përfshirë në formacionin më të mirë ish-lojtarin e Zurich në një javë që Sadiku nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.

Madje për t’i bërë vend bomberit shqiptar e përditshmja në fjalë ka përshirë në 11-shen më të mirë plot 4 lojtarë me tipare sulmuese, pasi përveç Sadikut bëjnë pjesë edhe dy bombera të mirëfilltë si rusi Kerzhakov dhe talenti i Baselit, Breel Embolo, pa harruar këtu edhe mesfushorin e avancuar Delgado që luan gjithashtu për kampionët në fuqi të Zvicrës.

Në ndeshjen që Vaduzi barazoi me shifrat 1-1 ndaj Young Boys, Sadiku gjithsesi ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë për skuadrën e tij duke qenë një rrezik konstant gjatë gjithë ndeshjes për portierin e miqve Mvogo që gjithashtu është përfshirë në formacionin më të mirë të javës.

Me këtë veprim të sajin, “Blick” ka bërë prapa-kthehu, duke i vlerësuar meritat sulmuesit kuqezi.

Përsa i përket Taulant Xhakës, mesfushori i Kombëtares shqiptare dhuroi një tjetër paraqitje fantastike në raundin e 20-të, duke ndihmuar Baselin të triumfonte me rezultatin e thellë 0-4 ndaj Grasshoppers.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *