Haxhia: Po bisedoj me disa klube në Itali e Gjermani, por e mbaj sekret se cilat janë
Menaxheri i Armando Sadikut ka mohuar të ketë folur personalisht me Fiorentinën, Sienën dhe Katanian. Sokol Haxhia, njeriu që përfaqëson sulmuesin e Luganos, objekt merkatoje për shumë skuadra, është shprehur me superlativa për klientin e tij, por i ka cilësuar të pabaza disa citime në lidhje me skuadrat e interesuara. Për Itasportpress.it, Haxhiaj ka thënë se “Armando është lojtar i jashtëzakonshëm, e ka golin në gjak”. “Duke parë moshën e re dhe cilësitë e tij, ai do të jetë biznes i mirë për këdo që e merr”, vazhdon Haxhia. “Edhe vlera e kartonit të tij nuk është e tepruar, si ajo e ndonjë lojtari të mirë brazilian që vjen në Evropë për 5-10 milionë euro. Në janar, maksimumi në verë, ju siguroj se do të luajë në Itali ose në Gjermani, ku ka disa që e kërkojnë.
Personalisht nuk kam folur kurrë me drejtuesit e Sienës, Fiorentinës dhe Katanias. Ndoshta këto klube kanë ndjekur ndeshjet e Luganos dhe sigurisht që Sadiku nuk mund të kalojë pa rënë në sy. Ka pasur lajme të pasakta, sepse unë nuk i kam përmendur kurrë emrat e këtyre klubeve. Po bisedoj me disa klube gjermane dhe italiane, por emrat e tyre mbeten sekret”. Ndërkaq, Sadiku ka konfirmuar më parë se ndonëse Haxhia shpesh nuk ia thotë emrat e të interesuarve, ai merr njoftim nga klubi i Luganos, nga i cili klube të ndryshëm kanë kërkuar edhe videot e golave të futbollistit kuqezi.