Agjenti Haxhia: Lugano kërkon aq sa në Itali paguhet për lojtarët e të rinjve
Armando Sadiku do të jetë i vëzhguar special në mbrëmjen e sotme kur të zbresë në fushë kundër Kamerunit. Djaloshi nga Elbasani është ndër më të kërkuarit e momentit dhe të dërguarit e shumë skuadrave do të jenë të pranishëm në stadiumin e Gjenevës për ta parë në aksion me kombëtaren. Ndërkohë, agjenti i tij, Sokol Haxhia, e ka krahasuar elbasanasin me Kristian Vierin: “Është shumë i fortë fizikisht dhe ka nuhatje goli. I ngjan Vierit të dikurshëm, shpërthyes, që nuk ka frikë të gjuajë nga çdo pozicion. Mund të luajë si pykë ose sulmues krahu, është lojtar që vrapon 90 minuta dhe kthehet në ndihmë të mbrojtjes”. Nisur nga mosha e re e lojtarit, Haxhia thotë se Sadiku ka mundësi të mëdha përmirësimi, “besoj se deri tani ka shprehur vetëm 70 për qind të potencialit që ka dhe duke luajtur në një klub të Bundesligës apo Serisë A do të rritet”. Haxhia ka përsëritur për sitin italian calciomercato.it se është në bisedime me dy klube italiane dhe dy gjermane, por nuk i tregon emrat. Ai shton se Lugano është i gatshëm ta shesë Sadikun nëse merr një ofertë të mirë. I pyetur për çmimin e lojtarit, Haxhia lë të kuptohet se ai është mjaft i favorshëm: “Se sa kushton, duhet të pyesni klubin, megjithatë bëhet fjalë për shifra që në Itali paguhen për lojtarë nga skuadrat e të rinjve apo nga Lega Pro”. Me pak fjalë, një bomber ala-Vieri, por me një çmim shumë më të ulët, çka do t’i bënte të gjithë të lumtur.