Saga erotike “50 hijet e grisë” nxit abuzimet

anazapta

Ky libër normalizon standardet e rrezikshme, pasi morali i tij qëndron në atë që abuzimi, në fund të fundit është i pëlqyer nga gratë. Në kryeqytetin britanik, gjatë tri viteve të fundit, janë shtuar telefonatat e qytetarëve në polici, pasi përfundojnë në telashe duke imituar lojërat erotike të rrëfyera në ‘best-sellerin’ më të lexuar të këtyre viteve

Sociologët amerikanë kanë dalë kundër fenomenit letrar të dekadës, “50 hijet e grisë”. Cikli i romaneve të shkrimtares angleze E.L.James është në fakt një paraqitje me nota romantike e dhunës seksuale dhe abuzimeve emocionle në dëm të grave, duke e bërë ‘joshës’ e në njëfarë mënyre të tretshëm fenomenin dramatik. Sipas vlerësimeve të fundit, abuzimi i grave në Shtetet e Bashkuara faktohet në rreth 25% të çifteve.

Studimi i publikuar në “Journal of women’s health” drejtohet nga tre sociologë të Universitetit Shtetëror të Ohajos dhe analizon nga këndvështrimi shkencor rrëfimin e romanit, protagonistja e të cilit, Anastasia (në qendër edhe të dy romaneve të tjera të trilogjisë), pëson abuzimet e partnerit Christian. Miliarderi 27-vjeçar përdor frikësimin, izolimin dhe alkoolin për të minuar rezistencën e dobët të saj.

Një histori dhune e degradimi, shkruajnë ekspertët, të cilën studentja 21-vjeçare e pëson, por nga ana tjetër është edhe protagoniste aktive e saj. “Historia, e cila ka arritur kaq shumë sukses, në të vërtetë inkurajon dhe banalizon dhunën mbi gratë, duke e bërë atë të pranueshme për shoqërinë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj mënyrës me të cilën trajtohen gratë në libra dhe filma. Duke qenë e tillë, kultura popullore mund përjetësojë fenomenin e dhunës shtëpike”, shkruan Susan G. Kornstein, drejtoreshë e gazetës “Journal of women’s health”.

Fillimisht Anastasias i propozohet nga Christian një kontratë me disa rregulla që duhet të ndjekë gjatë marrëdhënies së tyre, të cilat bazohen pikërisht në rolin e “dominuesit” dhe “të nënshtruarës”. Christian është mësuar të mos ketë asnjë lloj marrëdhënie afektive me gratë dhe kontakti me to limitohet në atë fizik-seksual: ai jep urdhra dhe ajo i zbaton, në rast të kundërt ndëshkohet. Kështu sharmanti Christian tjetërsohet në një qenie sado-mazokiste, me tendeca seksuale jashtë normës.

“Ky libër normalizon standardet e rrezikshme. Morali i tij është që abuzimi, në fund të fundit, është i pëlqyer nga gratë dhe për më tepër ai përçohet në një histori romantiko-erotike shumë të lexuar nga gratë”, shton Ami Bonomi, autorja kryesore e studimit.

Në Londër e cilësojnë “efekti 50 hijet e grisë”

Në kryeqytetin britanik gjatë tri viteve të fundit janë shtuar së tepërmi telefonatat e qytetarëve ndaj policisë, pasi janë futur në telashe duke imituar disa lojëra erotike të rrëfyera në best-sellerin më të lexuar të këtyre viteve (edhe të burgosurit e Guantanamos e kishin zëvendësuar Kuranin me “50 hijet…”).

Autoritetet kanë ndërhyrë në 79 raste për të liruar personat e prangosur në dhomën e gjumit, 9 herë për të ndihmuar burra që nuk arrinin të hiqnin unazat nga organet e tyre gjenitale dhe në një rast një burrë u desh të dërgohej në urgjencë sepse gjenitalet e tij kishin ngecur në një thekëse buke.

“Nuk jam i sigurt nëse mund ta quajmë efekti “50 hijet e grisë”, – deklaron komandanti i forcave të ndihmës, – por e sigurt është se të papriturat me pranga janë shumëfishuar. Pjesa më e madhe e këtyre incidenteve të pakëndshme mund të shmangej duke përdorur pak maturi”./D.Gjuzi

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *