Përshëndetje DITA! Kur të tregojnë sahanin e madh, atëherë merr lugën e vogël me vete…! Si ka mundësi që ne nuk po e gjejmë dot se ku po na vret samari, mbetëm gjithmonë me halle dhe probleme? Asgjë nuk kemi bërë ashtu siç duhet bërë. Dita! Ju faleminderit që më jepni mundësinë të shkruaj, as tek e majta, as tek e djathta, sepse kur i thonë fjalës, unë pesë ditët e mia i kam kaluar. Si ka mundësi dhe çfarë është kjo kujë e zezë me ne mor aman?! A e dini që nga viti 1912 dhe deri tani me z.Rama kryeministër, kanë qeverisur këtë vend jo më pak, por 45 kryeministra? Çudi, askush nuk e beson se ka pasur kaq shumë kryeministra në këtë vend dhe për fat të keq ja ku kemi mbetur. Qaje o Zot se ç’bëhet me ne kështu! Problemet po shtohen dita-ditës, një shi të bjerë në Tiranë, kthehet vendi në krah tjetër, nuk kalon dot në rrugë nga uji. Këto ditë të nxehta të verës si për çudi po na mungon edhe uji i pijshëm, gjë të cilin Zoti na e ka bërë dhuratë. Dita! Kam qenë dhe jam optimist i madh se diçka do të ndryshonte. Zoti e bëftë mirë! Ali Gjoni.
