Klubi amerikan nuk e do më, por sulmuesi ka një kontratë të blinduar dhe mund të ikë vetëm me konsensus
Hamdi Salihi nuk është më në planet e DC United, por klubi amerikan e ka të vështirë të ndërpresë marrëdhënien me sulmuesin shqiptar, për shkak të kontratës që i mban palët të lidhura edhe për vitin 2013. Lojtari kuqezi është i dyti në listën e më të paguarve të skuadrës së kryeqytetit të Amerikës, ndërkohë që në fushë nuk ka dhënë atë çka prisnin amerikanët kur vendosën ta merrnin nga Rapidi i Vienës. Drejtuesit e United janë duke vlerësuar situatën, në kërkim të një zgjidhjeje. Sipas gazetës “Washington Post”, klubi amerikan ka katër opsione në lidhje me sulmuesin shqiptar.
Huazimi – Ta japë Salihin në një skuadër tjetër të Ligës Amerikane të Futbollit (MLS). Kjo do të ishte tepër e vështirë, sepse ai ka një pagë mbi 310 mijë dollarë, plus kompensime të garantuara 490 mijë dollarë. Mund të jetë i mundshëm kompromisi që United të paguajë ende një pjesë të pagës, ose Salihi të pranojë një ulje rroge, me qëllim që të mbetet në MLS. Por, duke parë se ai ka qenë vetëm dhjetë herë titullar në sezonin e sapombyllur, vështirë se ndonjë skuadër tjetër do të bindej se ai është lojtar që mund të bëjë diferencën. Salihi, 29 vjeç muajin e ardhshëm, ka shënuar gjashtë gola në 945 minuta, mesatarisht një gol çdo 157 minuta. Të gjashtë golat janë shënuar nga loja, pa goditje standard apo penallti. Megjithatë, ai nuk u preferua më nga trajneri Ben Olsen, për shkak se nuk ishte efikas në fillim të vitit, ndërkohë që sipas trajnerit nuk ishte në gjendje të bënte punë “të pistë” në sistemin e skuadrës, duke bërë presing dhe ndihmuar mbrojtjen.
Likuidimi – T’i shlyejë pjesën e mbetur të kontratës. Klubet e MLS lejohen ta bëjnë një gjë të tillë me kontratat e garantuara. Një gjë e tillë do të hapte një vend në organikë dhe do të kursente paratë e shpërblimeve që Salihi do të merrte gjatë gjithë vitit 2013. Problemi është se United do të përdorte fonde tërësisht të vetat për ta bërë një gjë të tillë.
Konsensusi – Ta prishë kontratën me marrëveshje reciproke. Kjo do të ndodhte vetëm nëse Salihi do të gjente një klub në Evropë. Ai nuk mund të pranojë prishjen e një kontrate të rregullt pa pasur të sigurt një destinacion të ri.
Shansi – T’i japë Salihit edhe një tjetër mundësi më 2013. Megjithatë, United është në kërkim të një sulmuesi të ri, mundësisht nga Amerika Latine, ku Olsen ka qenë duke vëzhguar.
Në këto kushte, është e qartë që Salihi ka pak shanse të jetë titullar te DC United vitin tjetër dhe mund të qëndrojë aty vetëm falë kontratës së rregullt që ka. Megjithatë, sulmuesi nuk është në një moshë të tillë që të rrijë në stol e të gëzojë një “pension” të parakohshëm, aq më tepër që një gjë e tillë mund t’i mbyllë përfundimisht derën e kombëtares. Pak javë më parë pati zëra për një interesim të SV Ried, skuadra e tij e parë austriake, e cila mendon të kthejë goleadorin e saj.
6
Gola në
945
minuta ka shënuar Salihi, baras me
1
gol çdo
157
minuta