Shkodrani shënon në Champions League të Azisë, por skuadra e tij mundet thellë
Hamdi Salihi tregoi se nuk e ka humbur aspak instinktin e golit, teksa shënoi në një ndeshje të rëndësishme për skuadrën e tij të re, por Jiangsu Sainty humbi thellë në përballjen me Seulin e Koresë së Jugut. Takimi ishte i vlefshëm për Grupin E në Champions League të Azisë dhe kinezët u mundën 5-1. Trajneri serb i Jiangsu Sainty, Dragan Okuta, preferoi ta mbante fillimisht në stol shkodranin, i cili ka mbërritur në skuadër vetëm pak ditë më parë, nga DC United e Amerikës dhe nuk ishte në gjendjen më të mirë. Koreanët e mbyllën pjesën e parë me shifrat 2-0 në favor të tyre, ndërkohë që kinezët nuk rrezikuan asnjëherë. Kjo bëri që Okuta të fuste Salihini pas pushimit, megjithatë Seuli shënoi edhe dy gola të tjerë. Sulmuesi kuqezi arriti të shkurtonte diferencën dhjetë minuta para përfundimit, me një gjuajtje të saktë brenda zonës. Shtatë minuta më pas, koreanët shënuan edhe golin e pestë, duke e bërë mjaft të thellë humbjen e skuadrës kineze. Sidoqoftë, Salihi tregon vlerat e tij si sulmues dhe me këtë i hap rrugën vetes për t’u aktivizuar më tepër.