Salihi “mbyll” kalendarin: Mendja vetëm te Norvegjia

redaktor

Një gol i shënuar në Oslo bëri që një komb i tërë të besojë se më në fund ka ardhur momenti madh për Shqipërinë. E megjithatë, është pikërisht ai që i dha jetë entuziazmit, Hamdi Salihi, që tani kërkon përmbajtje. Është përshkuar vetëm gjysma e rrugës së gjatë drejt Brazilit dhe më e vështira fillon tani. Kush mendon se fitorja në Oslo përkthehet sukses edhe në Tiranë, gabohet. Salihi pret një kundërshtar krejt ndryshe, më të fortë, ndaj edhe Shqipëria duhet të bëjë një ndeshje më të mirë se më 22 mars. Sulmuesi kuqezi preferon të mos hapë fletët e kalendarit për të parë ndeshjet e tjera, pasi misioni i Shqipërisë tani është vetëm Norvegjia.

– Ka shumë entuziazëm dhe besim nga tifozët për këtë ndeshje, nisur nga fitorja në takimin e parë. Si e vlerësoni?

– Nuk diskutohet që është ndeshje shumë e vështirë. Sigurisht që të bashkuar mund t’ia dalim, pasi është e gabuar të varësh shpresat te dy apo tre individë, pasi, si në çdo ekip, edhe te ne është grupi ai që mbizotëron.

– Tani De Biazi ka në dispozicion shumë alternativa, me ardhjet e reja? Është në plus apo për momentin të rinjve u duhet më tepër kohë?

– Është diçka shumë pozitive që grupi është rritur me alternativa të tjera. Është moment shumë i mirë për ne, që duhet shfrytëzuar në maksimum dhe shpresojmë që me pak fat mund të dalim me rezultat pozitiv.

– Shqipëria ëndërron falë golit tuaj në Oslo dhe është e pashmangshme për të tifozët që të presin një tjetër gol nga ju…

– Të shënosh gol nuk është asnjëherë e lehtë si kundër Norvegjisë, ashtu edhe ndaj çdo skuadre tjetër, brenda apo jashtë. Besoj se të gjithë lojtarët që do të jenë në fushën e lojës do të bëjnë secili mirë detyrat e veta dhe të arrijmë të shënojmë. Pak rëndësi ka se kush e bën golin, e rëndësishme është që goli të na bëjë punë dhe kjo do të jetë një gjë e madhe për Shqipërinë.

– Sa mund të ndikojë fakti që fituam në një transfertë të vështirë në Norvegji dhe tani luajmë në shtëpinë tonë?

– Ndeshjet janë gjithnjë të ndryshme dhe nuk ka asnjë të lehtë. Ndeshja në Oslo ka përfunduar më 22 mars dhe duhet harruar. Të përgatitemi për një ndeshje krejtësisht të re me kundërshtarë që janë me tjetër motivim, me tjetër renditje, me objektiva të rinj. Është diçka krejt ndryshe nga e para.

– Të gjithë shpresojnë te kualifikimi. Jemi gati për një arritje të tillë?

– Kam lexuar shpesh kohët e fundit në gazeta se kjo fitore na çon në Botëror. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse pas kësaj sfide kemi edhe tri transferta. Për Shqipërinë kanë qenë ndeshje që ne i kemi llogaritur gjithmonë si zero pikë.

– Jashtë do të luajmë kundër Islandës, Sllovenisë dhe Qipros, ndërsa Zvicrën e presim në shtëpi. Si ju duket kalendari?

– Vështirë të pretendohet se mund t’i llogarisim pikë të plota këto ndeshje jashtë fushe dhe kështu shkojmë në Brazil. Duhet të mendojmë vetëm për sfidën me Norvegjinë dhe ta harrojmë Brazilin, të bëjmë një ndeshje të mirë që do të mund të na vërë në pozita të favorshme për ndeshjet e ardhshme.

Share This Article
3 Comments
  • te pakten 7 pik i kemi te garantuara jasht qipron tre pik islanden prap tre dhe nje e garantuar me sllovenin pse te mos themi tre problemi eshte zvicra nje fitore me zvicren dhe shkruajm historin qe mos te te bejme plei of suksese skuadres KUQ E ZI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *