Lojtari shqiptar nuk përmbushi shpresat pas transferimit të bujshëm në shkurt
Nga Washington Times
Në shkurt të këtij viti, trajneri i DC United, Ben Olsen, foli për përpjekjet e mëdha të klubit të tij për të marrë një golashënues të vërtetë, pastaj pa nga i sapoardhuri Hamdi Salihi dhe deklaroi: “Mendojmë se e kemi gjetur”.
Nëntë muaj më pas, ndërsa lojtarët zbrazën dollapët e tyre në dhomën e zhveshjes, Olsenit iu desh të përballej me faktin se Salihi nuk ishte zgjidhja që ai kishte shpresuar. “Mendoj se do të vazhdojmë të kërkojmë për një sulmues”, tha Olsen. “Të gjithë sulmuesit tanë patën momente të mira gjatë këtij viti. Asnjë prej tyre nuk pati një vit të plotë nga pikëpamja e aktivizimit dhe realizimit”. I ardhur nga klubi austriak Rapid i Vienës, për të cilin shënoi 53 gola në tre vjet, Salihi nuk arriti të gjente ritmin më 2012, duke shënuar vetëm gjashtë gola në 22 ndeshje, nga të cilat dhjetë si titullar, me DC United. Duke pasur parasysh se Salihi ishte lojtari i dytë më i paguar te United për vitin 2012, me një kompensim të garantuar prej 487 460 dollarësh, pak gjasa ka që drejtuesit ta mbajnë shqiptarin 28-vjeçar me të njëjtën pagë. “Nuk kam asgjë tjetër në mendje tani”, thotë Salihi, i cili është nën kontratë për vitin 2013. “Në të ardhmen nuk dihet se çfarë mund të ndodhë, pasi gjërat mund të ndryshojnë çdo ditë në këtë zanat, sidomos kur vjen periudha e transferimeve”.
Statistikat e Salihit te DC
Ndeshje 23
Titullar 10
Zëvendësuar 8
Minuta 971
Gola 6
Kartonë 3v/0k